Kolumnist

“Edhe një kryeministër shqiptar në rajon” - Nga Ilir Levonja

Janë mbushur faqet e Webeve me gjithfarësoj titujsh. Filloi punën makineria. Megjithëse nuk ka asnjë tagër ekzekutiv veç faktit për të përgatitur zgjedhjet e parakohëshme për në muajin maj 2024, propaganda shqiptare ka nisur furtunën.  Tituj me shumicë: “Kemi edhe një kryeministër tjetër shqiptar në rajon”, “Maqedonia e Veriut për herë të parë me një kryeministër shqiptar”, “Forcohet faktori shqiptar”, “Historike, zgjidhet kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut” etj.

Le t’i themi me zë të lartë disa gjëra, madje t’ia plasim në surrat edhe statuseve në X (Twitter) të kryeministrit tonë, aq shumë i sugjenstionuar nga lideri Ali Ahmeti, i cili prodhoka burra shteti.

Kjo qeveri është një strukturë e cila i duhet qeverisë maqedone për një palë zgjedhje, kaq. Por të paktën ata ndoqën disa etapa në dukje demokratike, të cilat qeveria shqiptare apo një forcë politike shqiptare si “Rilindja” dhe Edi Rama as nuk i çojnë nëpër mend.

Cilat janë këto etapa në dukje..., apo proçese legale në një demokraci normale?

Zoran Zaevi dha dorëheqjen në vitin 2021 (tetor) pasi humbi zgjedhjet lokale dhe nuk arriti të çelë negociatat me Europën. Ndërkohë, ne në Shqipëri nuk bëjmë zgjedhje dhe si rrjedhojë, nuk njohim asnjë lloj tërheqje, dorëheqje apo hapje krahu. Madje bëjnë votime dhe mburremi për këtë.

Zaevi dhe partia e tij kaluan disa shkundje të forta, sidomos pas tërheqjes së Lëvizjes “Besa”. Dhe Zaevi mori përgjegjësi politike. Tek ne përgjegjësitë politike nuk njihen, janë brenda kokës së çdo shtetari shqiptar në bulevardin e piramidës, por në kontekstin e një fuqie atomike, jo kontekst qarkullimi. Madje nuk ka burrë as t’ia kujtojë.

Zaevi e kishte deklaruar me kohë tërheqjen edhe për rrethanat me Europën, megjithëse arriti një marrëveshje të madhe me Greqinë në lidhje me emrin kushtetues të vendit, por Maqedonisë së Veriut nuk iu dha drita jeshile për çeljen e negociatave. Kësisoj një politikan normal merr përgjegjësi politike.

Kurse në Shqipërinë e rilindjes, shtetarët e bulevardit të piramidës, nuk marrin asnjë lloj përgjegjësie, madje që nga 2020 e këtej, shqiptarët po dirigjohen në kor nga Edi Rama, përmes statuseve në Facebook, Twitter, me podacaste apo RamaTv. Të shajnë në kor, kë? Europën? Botën? Një radhë nuk deshi Hollanda. Ku ta ketë Hollanda. Një radhë tjetër, nuk deshi Makroni. Ku te ketë Franca. Nuk deshi Gjermania. Ku ta ketë Gjermania. Tani nuk do Greqia. Ku ta ketë Greqia. Se kështu bënim edhe kur na thoshte Enveri. Nuk na do Tito, ku ta ketë Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina etj.

Dhe tjetra që e paska mahnitur kaq shumë kryeministrin tonë, ky Ali Ahmeti prodhoka burra shteti. Mbase. Kurse Edi Rama prodhon të arratisur dhe të burgosur, prodhon materiale inerte për SPAK-un. Nuk i ka mbetur këmbë bashkiaku pa u burgosur, ministry, madje dhe zëvendësi i vet, por asnjëherë nuk mori përgjegjësi politike. Doli e tha se, hanë dardha e mollë prapa meje etj., etj.

Sa për këtë Ali Ahmetin, ka gjithë jetën në pushtet sa me të majtën, sa me të djathtën aq sa faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka nja 5 parti, të cilat vetëm sa i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Po të ishte një e vetme, mund të siguronin numër më të lartë deputetësh në Parlament. Por kjo nuk ndodh me ne shqiptarët. Me sllavët, grekët, latinët, po. Me ne hiqe nga mendja!

E thënë thjesht, mos i hani për sallatë këto foragjeret plastike të propagandës së qeverisë shqiptare. Ky kryeministër pa pushtet, është vetëm një cen teknik për zgjedhje të reja, nocion të cilin koka e Edi Ramës nuk e pranon sa të ketë frymë.

© Ilir Levonja