Vende & Zakone

“Panda” dhe “Lira”, margaritarët e (pa) harruar të Korçës - Nga Artan Gjyzel Hasani

Dua ta filloj ndryshe këtë shënim. Është një portret i paautorizuar i një njeriu. Jo. I disa njerëzve. I një familjeje. Mbase i të gjithëve bashkë.

Duhet të jetë prag Krishtlindjeje dhe jashtë bie dëborë e dendur. Më janë ngatërruar kohët, epokat dhe njerëzit nuk kanë moshë. E për pasojë janë të pavdekshëm. Po ashtu pijet, muzika dhe veshjet. E natyrisht edhe shpirti.

Një tavernë e famshme e Korçës së fillimshekullit 20-të, ngritur buzë një lumi që sot nuk është më.

I zoti i saj, një burrë i ngeshëm mustaqelli udhëzon kamarierët që u shërbejnë kafenë dhe ëmbëlsirën libaneze “Osmali” ushtarëve turq, birrë dhe shnicel për austrohungarezët, verë të kuqe për francezët, Themistokliun dhe qytetarët e fismë korçarë të veshur me frak, shampanjë për Tefta Tashkon dhe zonjat e bukura e të ngrohta nën qyrk dhe peliçe, raki kumbulle për një grup entuziastësh që sapo kanë prerë biletën për të lundruar drejt Argjentinës dhe për xhandarin e vetëm të qytetit që veç fut kokën për t’u siguruar që, edhe pse i luhatur nën avuj alkooli, rendi përsëri mbahet në këmbë, deputetë, ministra, ambasadorë, motrat e Mbretit, diku në një cep duke tymosur “Camel” edhe diktatori i ardhshëm i Shqipërisë, shërbehet konjak “Skënderbeu” për korçarët e epokës së drapërit e çekanit dhe red bull për një grup të rinjsh, vizitorë nga e ardhmja, të veshur në xhinse të grisura dhe T-shirts, pra, një amalgamë njerëzish të një shekulli të përbashkët mbledhur të gjithë në një tavernë.

Është ngrohtë aty brenda. Tymi i cigareve, tingujt e muzikës, të qeshurat e zhurmshme të burrave dhe vështrimet flirtuese të grave nën velin e kapeleve nuk mund t’i shpëtojnë as syrit të atyre që kurrë nuk kanë vënë këmbë në këtë tavernë. Poetë, këngëtarë, patriote të shkolluar në Perëndim, atdhetarë idealistë, xhonglerë cirku, valltare të belit dhe punonjës të lopatës, hallexhinj, dashnorë të fshehtë, pra në këtë tavernë ka vend për çdokënd të së shkuarës dhe të së ardhmes.

Në një vend të ngritur pranë banakut një grup burrash me kitara e mandolina në duar i këndojnë Atdheut, Korçës dhe Dashurisë, diku më tutje një mjeke bionde që pasi hedh përdhe bluzën e bardhë luan në kitarë një rondo spanjolle, dhe pak më pas ulet në pianon që besoj mund të ishte vendosur pranë oxhakut të madh ku digjen drurë dhe kujtime, e pastaj dera hapet dhe katër vajza të reja hyjnë me vrap mes tavolinave dhe i hidhen në qafë plakut me përparëse që kur ka shumë klientë si sot shërben edhe vetë kafe dhe salep, përqafojnë burrin që drejton mandolinat dhe mjeken kitariste që tashmë po luan në piano “Tombe la Niege” nën syrin profesionist të motrës së madhe.

Hapet dera dhe bashkë me dëborën i vonuar hyn edhe i ftuari i fundit i kësaj feste.

Mesa kuptoj ai jam unë. Dhe kam hyrë në tavernën e pavdekshme të Korçës, “Panda”...

Po cilët janë këta njerëz?

Pronari i tavernës është Panda Osmalli, nga i cili mori emrin toponimi i famshëm “Panda” simbol i ushqimit të mirë, zbavitjes dhe pijeve të paharrueshme të Korçës. Ai është plaku legjendar i familjes.

Drejtuesi themelues i grupit Lira është i biri, Kostaq Osmalli, që për 35 vjet rresht e drejtoi atë grup të famshëm muzikor (1944 -1978). Ina Osmalli e diplomuar per kompozicion muzikologe e vjetër. Janë gjyshi, babai dhe motra e mikes sime kitariste dhe pianiste, doktoreshe Damianës, mikrobiologes së njohur.

Dhe 4 vajzat e reja që nxitojnë t’u hidhen në qafë janë të bijat e saj, Lira (Paço) violiniste në Paris dhe filarmoninë e Strasburgut dhe Viola (Paço) pianiste në Paris, si edhe mbesat Anxhela (Janaqi) pianiste dhe ajo ne Sirakuza të SHBA dhe Eva (Janaqi) psikologe ne Londër.

Duket sikur asgjë nuk është e rastësishme në këtë familje muzikantësh. As emrat.

Pi një gotë verë nga duart e plakut Panda, dhe pasi kërcej edhe një vals të fundit nën tingujt e bandës muzikore të familjes Osmalli, lë një autograf në librat e mi që mban në duar mikesha ime e vjetër dhe shkruaj këto rreshta që tashmë edhe ju i mbaruat së lexuari…

Ndërsa dëgjoj zhurmën e hapave të mi mbi dëborë pyes veten, nëse ka vallë në atë qytet magjik ndonjë shenjë simbolike nderimi për ata dy njerëz, babë e bir, Panda dhe Kostaq Osmalli që me jetën, përkushtimin dhe energjinë e tyre i falën përjetësisht Korçës dy nga simbolet më perfaqësuese të saj me emrat “Panda” dhe “Lira”...

Toronto, Dhjetor 2019