Blog

Jetën e japim, Shushicën nuk e japim! - Nga Gëzim Zilja

Lumi i Vlorës i njohur dhe me emrin Shushica, përbëhet nga 37 fshatra, me 50.000 banorë (djemuria është në emigrim), me rreth 25.000 ha tokë arë nën ujë, të mbjella me të gjitha kulturat bujqësore, me mijëra kokë bagëti, të imta e të trasha, koshere bletësh, e qindra mijëra rrënjë agrume, ullinj, mijëra drurë frutorë, pyje e kullota të bollshme etj., etj. Gjithë kjo pasuri po bën që jeta e fshatarëve pas diktaturës të ndryshojë e të përmirësohet. Në këtë ndryshim veç punës së palodhur të njerëzve rol jetik ka Shushica, me ujin e të cilës vaditen tokat e 37 fshatrave e më tej. Ky lumë rreth 80 kilometra i gjatë furnizohet nga dy burime mbi fshatin Kuç dhe disa përrenj që në periudhën e verës thahen plotësisht. Lumi është aty qysh se ka filluar jeta e gjallë. Por si thuhet në këto anë, atë që të bën qeveria nuk ta bën as perëndia.

Me një vendim qeverie të fshehtë e të pakonsultuar me komunitetin, Shushica transferohet përjetësisht me tuba, në Himarë (nëse e lejojnë trimat e lumit të Vlorës se beteja sa ka filluar), kryesisht për furnizimin me ujë të rezidencave dhe hoteleve të Kokëdhimës, Gjikurisë, Manes, Fushës dhe ca larove të biznesit vlonjat, që shërbejnë si kontraktorë të dytë apo të tretë për oligarkët dhe i lëpihen kryeministrit në të katër stinët e vitit në shi e në diell. Në rrethe të ngushta kryeministri, që nuk ka pranuar të takojë banorët e fshatrave, ka pohuar se është garantuar nga deputetët socialistë vlonjatë që banorëve të Lumit të Vlorës boll t’u japim ndonjë thes me miell, nja dy bodile vaj për petulla, ca pako me makarona, ua zëmë frymën, e nuk ndihen. Por ç’ndodh nëse lumi Shushica kalon 100% të ujit në Himarë ashtu si është projekti?

E para, shkaktohet një katastrofë që përbën krim ekonomik. Asnjë kulturë bujqësore nuk mund të mbillet e korret në 25,000 ha tokë; thatësira do t’i ktheje ato vende të bukura e të begata në shkretëtira pa jetë, njerëzit do rrinë me sytë nga qielli në pritje të shiut. Mbajtja e bagëtive, bletëve dhe shpendëve do të jetë e pamundur. Përfundimisht ajo popullatë që ka përbërë për qindra vjet ashtin patriotik të Vlorës e Shqipërisë, brenda disa vitesh do të shpopullohet, njerëzit do të shkojnë syrgjyn nëpër botë ose do të kthehen në skllevër me mëditje në hotelet e resortet e Gjikurisë, Manes, Fushës, Kastratit, Spiropalit, Xhaçkës, Ballukut, kolltukut e kurvllëkut.

E dyta, shkaktohet një krim i rëndë mjedisor. Gjithë bimësia, shpendët, insektet, gjallesat e lumit dhe kafshë të tjera të egra zhduken ose kalojnë në abitate të tjera.

E treta, Shushica është një nga tri degët kryesore që furnizon lumin Vjosa të shpallur Park Kombëtar dhe si e tillë nuk duhet të preket. Po kush do t’ia dijë për këtë?

E katërta, vlerësimi i bërë në aspektin ekonomik (dëmi në shkatërrimin e ekonomisë së banorëve) dhe mjedisor (leja mjedisore) në këtë projekt është plot falsifikime dhe shkelje të rënda të legjislacionit shqiptar për lumenjtë e ujërat e ëmbla.

Të ndodhur përballë këtij rreziku për mbijetesë, kur ky projekt u bë i ditur zyrtarisht në dhjetor 2023 (u mbajt i fshehtë mbi dy vjet) fshatrat e Lumit të Vlorës formuan Shoqatën për Mbrojtjen e Lumit Shushica (SHMLSH). Në bashkëpunim me shoqatën Eco Albania (Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve dhe Natyrës në Shqipëri) hodhën në gjyq qeverinë. Pas katër muajsh gjykata lajmëroi zhvillimin e seancës se parë më 16.04.2024 ora 13.00 që u shty për arsye të paarsyeshme. Seanca e radhës do të lajmërohet. Në bazë të legjislacionit shqiptar punimet duhet të pezulloheshin derisa të merrte vendim gjykata por ato vazhdojnë disa kohë natën e tashmë ditën e natën. SHMLSH-ja në bashkëpunim me Eco Albania kanë organizuar disa protesta, kanë bërë disa takime me institucione të ndryshme dhe i kanë kanë dërguar disa peticione pushtetit lokal e qëndror nga të cilat nuk kanë marrë përgjigje.

Në datë 03.04.2024 në traditën e Kuvendeve të famshme të kësaj krahine, kur cënoheshin të drejtat e banorëve, u mblodh Kuvendi i Burrave të Lumit të Vlorës në fshatin e heroit legjendar Zenel Gjonlekës, që zgjodhi Këshillin Drejtues dhe vendosi për hapat e mëtejshme nga rruga ligjore deri në mosbindje civile, si bllokimi i punimeve të mëtejshme të Ujësjellësit Kuç-Himarë, bllokim i aksit rrugor kombëtar Drashovicë-Qeparo, protesta para gjykatës në Tiranë etj. Të gjitha këto deri në fitoren e kauzës me moton: “Jetën e japim, Shushicën nuk e japim”, të frymëzuar, nga vargjet e pavdekshme të kryengritësve të vitit 1847. U trete Gjonlekë u trete/Tuke rënë asaj trumpete/Sos u përpoqe për vete/Po për gjithë vilajete/O Gjonlekë a derëzi/Qish s’tu tremb ai si/Falu Gjonlekës i thanë/S’falem tha, mburoj vatanë.

Tashmë rreziku nuk vjen as nga turku, as nga greku, serbi apo italiani. Tashmë rreziku vjen nga qeveria shqiptare e mpleksur me krimin, oligarkët dhe bajlozët e tjerë të korrupsionit. Vargjet bëjnë thirrje për rezistencë deri në vetmohim ashtu si të parët tanë kur viheshin në rrezik tokat e tyre. Sot Vatani i këtyre njerzëve që po grabitet është lumi Shushica.

© Gëzim Zilja