Vende & Zakone

Fija e flokut - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka

U bënë dy javë që Vjosa nuk ve gjumë në sy. Qysh atë ditë kur te sedilja e makinës së Avniut, burrit të saj, gjeti një fije floku të gjatë ngjyrë kafe. Ia tregoi me një shikim provokues, por ai si gjithnjë hazër për përgjigje ekspres:

-Sa femra hypin te makina ime nuk e gjej dot se e kujt është! Të bëjmë një quiz.

Në fakt ai punon veç me femra. Kështu e ka stafin. Ka një klinikë dentare e nga që punët i ecin mirë ka punësuar gjashtë stomatologe. Njëra më e bukur se tjetra. Të rrezëllijë klinika, bën shaka Avniu.

Por ja që ajo fije floku ia përmbysi drejtpeshimin. Mendja i thoshte se Avniu e tradhëtonte. Ishin martuar me dashuri, jetonin me dashuri e dy djemtë po i rrisnin me dashuri.

Avniu sivjet kapi 45 vjetë. Qe plot shëndet, humor e gjallëri. Me këtë dashurohet çdo grua, thoshte Vjosa. Jo çdo grua, por edhe çdo vajzë, saktësonte.

Ditët vraponin e ajo fije floku ishte kthyer në kamzhik. E përcëllonte nga këmba te koka sa herë e sillte në mend. Vetë punonte mjeke pranë një spitali me emër. Por iu zvenit pasioni për profesionin. Endërronte burrin me flokëkafen. Eshtë me siguri më e re se unë, kuptohet dhe më e bukur. Në seks kush e di si shfryn e si bërtet. Kaq duhej e i çahej kafka nga dhimbja. E merrte para dalldia e një ditë shkoi te klinika e Avniut. E hapi derën e kabinetit të tij sikur plasi tritoli. Burri ngeli me sondë në dorë. I trembur nga furia e derës. Por sa pa Vjosën qeshi, u qetua. Edhe Vjosa ndjeu lehtësim,se nën vete ai kishte një burrë.

-Dola kot, - i tha e shkoi në kabinetet e tjera.

Nuk po i shihte koleget e burrit nga sytë, por nga flokët. Dhe për kënaqësi të gjitha ishin brune.

Iku në shtëpi me fijen e flokut në tru. Do çmendem, i fliste vetes. Afër mesnatës i ra një alarm i madh. Avniu punën e mbaronte në orën 5. Pse këto dy javë kthehej në 7? Ku shkonte ato orë?  Do e ndjek, vendosi.

E që më 4 po priste te klinika e Avniut. Me makinë ndezur. Fiks në 5 ai doli, hypi te makina e tij e po shkonte drejt lagjes te kodrat. Vjosa nuk po i ndahej. Diku, pranë një dyqani lulesh ai ndaloi. Zbriti, bleu një tufë me zambakë e u nis prapë. Vjosës sa nuk po i binte të fikët. Kurvari, i shpëtoi. Duhej të qe tronditur se rruga para i dukej e verdhë, e zbehtë. Pas pak ndaloi. Mu tek dera e...ua, ua te shtëpia e Lilos, shokut të tij të ngushtë! Kur hyri brenda me tufën e luleve Vjosa ishte gati të vraponte e ta vriste. Si mund të shkosh me gruan e shokut, mor zagar? Si mund të tradhëtosh duke qeshur edhe gruan, edhe Lilon?

Nuk e kuptoi si e frenoi veten. Çoi veturën te cepi i rrugës e po priste me sytë mbi derën e Lilos.

Edhe Lilo ishte dentist. Me Avniun u rritën bashkë. Nuk i shihje ndarë asnjëherë. Dukej sikur qenë vëllezër. Kur u martuan u lidhën më shumë. Berta, gruaja e Lilos qe pedagoge. Bukurinë e kish të lindur, pati fituar dhe Miss Tirana. Por qenka shpirtshëmtuar, fliste Vjosa me vete. Ora ecte e Avniu kishte ngecur aty brenda, te mëkati, vazhdonte Vjosa e sytë nuk ia ndante derës. Afër orës 7 Avniu doli shend e verë. Bile po fishkëllinte. U kënaqe kurvar, e pyeste e shoqja nga larg. Më pas ajo u sorollat nëpër qytet e në shtëpi mbërriti nga ora 8. Sa hyri e priti Avniu me pyetjen:

-Të kam bërë një supë brokoli që...

Por Vjosa ia ktheu:

-Ore, ta ftojmë ndonjë darkë Lilon me Bertën? Si thua?

Mendonte se Avniu do skuqej e zverdhej, por ai qeshi:

-Mirë e ke menduar, por ata janē në Amerikë. Do rrinë një muaj. Nëna e tij ka dy javë që është sëmurë e i shkoj çdo mbasdite. I gatuaj ndonjë gjë dhe i çoj pëherë lule. Nënë Esmaja ngordh për to.

Vjosës iu tha gjuha. Qeshi e lehtësuar e propozoi:

-Të shkoj nesër ta vizitoj.

Ajo natë qe më e lehtë. Survejimi doli nul, por,ah ajo fija e flokut, fija e dhimbjes, e dyshimit...

Mëngjesi e gjeti mbi makinë. Afër shtëpisë së Lilos do e linte te lavazhi i Beqos, atje e lante gjithnjë. Pastaj do vizitonte nënë Esmanë. Ashtu bëri e kur u kthyhe bash mbi timon pa një fije floku ngjyrë kafe dhe plot ndriçim. Sikur po e përqeshte. U çudit e u trondit. Edhe te makina ime fije floku femre?! Pyeti Beqon si me shaka:

-S’e ke larë mirë. Na, shiko fijen!

Ai qeshi.

-Kështu mbushem çdo ditë. Prapa lavazhit mbaj ca kuaj që argëtohen fëmijët mbasdite. Nxjerr ndonjë lek me ta. Po kur i pastroj më ngjiten mua qimet e tyre dhe padashje i lëshoj mbi sediljet tuaja. Eh, kushedi sa burra i kam futur në siklet e sherr me gratë. Hahaha.

Vjosa u plandos në makinë, vuri kokën mbi timon e kaq u qetësua sa i erdhi një këputje e madhe. Donte të flinte jo me orë, por me ditë.

-Avni, më fal, më fal, - tha dhe e nisi makinën drejt bulevardit mes zhurmës e borive që sot i ndjente si muzikë ëndrrash përzjerë me paracatamol...

© Agim Xhafka