Vende & Zakone

Berati, kjo mrekulli e globit - Nga Ilir Ikonomi

Dje bëra një vizitë në kalanë e Beratit, eca nëpër rrugicat me kalldrëm që të krijojnë iluzionin sikur po shkel nëpër histori. Ndërtuesit e parë i kanë bërë rrugicat të ngushta, sepse toka duhej përdorur me kursim.

Meqë historia është pasioni im i hershëm, më tërheq çdo gjë që ka mbetur në formën e vjetër, ashtu siç e kanë parë udhëtarët e dikurshëm që kalonin këtej.

“Kala e kalave”, e quante udhëtari Evlia Çelebi kështjellën e Beratit 300 e ca vjet më parë. Ajo ngrihet mbi shkëmbinj të thepisur dhe gremina të tmerrshme; portat e saj mbështeten mbi gurë aq të mëdhenj sa barazojnë me trupin e një elefanti, shkruante ai. E gjitha kjo është mëse e vërtetë.

Për të disatën herë vizitova Muzeun Onufri, që ndodhet brenda kishës katedrale Fjetja e Shën Mërisë. Brenda kishës 230-vjeçare bisedova me Miklor Paskun dhe Arjan Priftin, sepse dy specialistët e Beratit gjithnjë kanë gjëra të reja për të më thënë.

Te ikonostasi me zbukurime të mrekullueshme, të praruara në stilin barok, bëra fotografi.

Dhe nuk harroj se prapa kësaj vepre të gdhendur me shumë përkushtim, nën dysheme, është vendi ku u gjetën Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shekullit VI dhe “Codex Aureus Anthimi” i shekullit IX, që të dy pjesë e disa prej veprave më të rëndësishme të njerëzimit.

Berati kjo mrekulli e globit!

© Ilir Ikonomi

Fotot: Ilir Ikonomi