Ekonomi

Cila ka nevojë për amnisti, qeveria, mafia apo të dyja bashkë? - Nga Zef Preçi

  • Published in Ekonomi

Duke ndjekur aktivitetin publik, në të ashtuquajturin “konsultim publik” të kryeministrit Rama dhe disave nga ministrat më të rëndësishëm të tij për amnistinë fiskale, nuk mund të mos të lindin disa pyetje dhe pikëpyetje. Kjo, jo për diskutimin nëse duhet ose jo ky hap, sepse për këte personalisht nuk kam asnjë dyshim se ështe një hap i gabuar në qeverisjen e vendit, por për disa elementë të tjerë që nuk mund të injorohen.

Së pari, duket qartë se motivet kryesore përmblidhen në të paktën dy më kryesorët: nevojat e ngutshme të buxhetit për para, për të paguar kontratat e PPP dhe programin e investimeve publike të qeverisë me sa duket tejet agresiv dhe jashtë kapaciteteve fiskale të vendit. Kjo u duk edhe nga prezantimi i sforcuar i argumenteve mbështetës, kryesisht morale dhe “duke qare hallin”, për shembull të emigratëve, nga vetë z. Rama.

Së dyti, duke marrë parasysh prononcimet zyrtare kundër kësaj amnistie të një numri organizatash të biznesit dhe heshtjen e disa të tjerave, të krijohet bindja se vetëm ajo pjesë e biznesit që perceptohet rëndom si lobiste apo oligarkët vetë janë thelbësisht të interesuar për të. Thënë ndryshe, ata që janë pasuruar me burimet natyrore të vendit, me fondet publike, apo përmes shfrytëzimit të avantazheve financiare që burojnë nga lejet dhe licensat shtetërore. Ndonëse mbështetja ndaj amnistisë në këmbim të favoreve që ajo mendohet se do të krijojë për ta është një e drejtë e tyre, nuk besoj se kjo është pikërisht ajo gjë për të cilën ka nevojë ekonomia jonë kombëtare.

Së treti, mendoj se nevoja për konsensus me ata që kanë paguar rregullisht tatim-taksat gjatë tre dekadave të fundit, që përllogaritet rreth 50-70% e qytetareve dhe bizneseve të vendit, nevoja për konsensus politik për amnistinë ligjore që shoqëron aministinë fiksale dhe të aseteve sipas draftit zyrtar të prezantuar deri më tani, si dhe nevoja për konsesusin e institucioneve financiare ndërkombëtare, mbeten parakushte të saj. “Këshillimi” i kryeministrit nuk ofron asnjërin nga këta parakushte, pavarësisht sulmeve të z. Rama ndaj Dhomës Amerikane të Tregtisë apo asaj Gjermane.

Së katërti, nuk besoj se kërkon që të jesh politikan i lartë apo biznesmen i njohur, për të ditur se nuk ka asnjë kriminel dhe hajdut të fondeve publike (alias nëpunës i korruptuar qeverie) aq budalla sa të vendosë fondet e vjedhura apo paratë që vijnë nga aktivitete të paligjshme në emrin e vet. Shumica e tyre nuk kanë as makinë, përjashto këtu personat më të anatemuar si të korruptuar nga elita politike, të cilët “mbrohen” duke marrë poste shumë të larta në Parlament apo në qeveri...

Historia në zhvillim e sipër e njohur në publik si “afera e inceneratorëve” dëshmon se problemi kryesor tek ne është vjedhja e fondeve buxhetore dhe pasurive kombëtare duke përdorur pushtetin dhe se rrjetet kriminale të përfshirë në evazion dhe krime fiskale janë shumë më të mëdhenj nga çfarë njihet deri më tani.

Të jemi më të drejtpërdrejtë: sot kemi tre lloj ekonomie në përbërje të ekonomisë sonë kombëtare: ekonominë formale, ose 50-70% të ekonomisë, ekonominë informale, ose 20-30% dhe një nivel ende të panjohur me paratë që vijnë nga aktivitetet e paligjshme (kryesisht prodhimi, tregtimi dhe trafikimi i drogave të buta dhe të forta dhe përfitimet nga korrupsioni qeveritar).

Zhvendosja e parave nga njëri lloj ekonomie në tjetrin, është lirisht e mundshme dhe disa zhvillime në dekadën e fundit, që koincidon me periudhën e qeverisjes së z. Rama, tregojnë se lloji i tretë (ekonomia kriminale) po “fiton” terren ndaj dy të tjerave. Kështu, paratë kriminale tashmë kanë depërtuar apo “janë rrugës” në konçesionet e energjitikës, minierat, kontratat konçesionare të llojit PPP, në ndërtimin e kullave, deri edhe në sektorin bankar, etj. Viktima e kësaj situate është konkurrenca në tregje, disa vendim-marrje të qeverisë dhe Parlamentit si “ligjet e porositura”, etj.

Së pesti, duke gjykuar edhe nga shifrat që kanë dalë në raportimet e kësaj jave të institucioneve të drejtësisë, nuk mund të mos vihet re se veprat penale të lidhura me pastrimin e parave janë rritur dukshëm, ndonëse ndëshkueshmëria e tyre është një shqetësim në rritje i qytetarëve dhe bizneseve.

Në këtë kendveshtrim, mendoj se qeveria po ndjek rrugën më të shkurtër dhe më të gabuar njëkohësisht, për të sjellë në standardet e ligjit atë segment të ekonomisë kombëtare që për ironi të fatit, lidhet me vetë rolin dhe funksionimin e qeverisë, e qëndron ende jashtë sistemit.

Së fundi, një eksperiment i dështuar më shumë në ekonominë tonë, nuk duket ndonjë gjë e madhe, por kostot që lidhen me performancën e administratës fiskale dhe institucioneve të drejtësisë, për moralin e shoqërisë dhe të bizneseve (vullnetin e tyre për të paguar tatim-taksat), për procesin e integrimit europian të vendit si dhe për legjitimitetin e vetë qeverisë, janë të pariparueshme.

Natyrisht që për shumë njerëz, duke përfshire edhe autorin e këtyre radhëve, qeverisja e z. Rama gjatë gjithë dekadës ka qenë shumë herë në kufijtë e të paligjshmes, por kësaj radhe mendoj se anon plotësisht në këte anë, duke shtuar rreziqet për paqen sociale e politike në vend, duke i dhënë kështu hov keq-qeverisjes dhe populizmit që pjell prej saj. Kështu që, për t'iu përgjigjur pyetjes në titullin e këtij shkrimi: të dyja, qeveria dhe Mafia, kanë nevojë për amnistinë fiskale dhe ligjore që qeveria po mbron sot.

©Zef Preçi