Komunitet

Ardian Radovicka: Për raportin me të vërtetën, zgjedhja është në dorën tonë

  • Published in Komunitet

Ardian Radovicka, inxhinieri hidroteknik i diplomuar Master në Universitetin e Romës “La Sapienza”, ish-drejtori i Ujësjellësit të Bashkisë Durrës në vitet më të vështira të tranzicionit dhe për shumë vite menaxher i disa projekteve në Divizionin e Ujësjellësit të Bashkisë Toronto, është një emër i njohur mes shqiptarëve të Kanadasë dhe jo vetëm. I pasionuar gjithashtu pas pikturës, ai prej vitesh është i angazhuar veçanërisht në organizimin e ekspozitave të përbashkëta të artistëve shqiptaro-kanadezë të fushës së arteve figurative, por edhe në diskutimet e debatet për çështje me interes për komunitetin e diasporës si dhe për zhvillimet në atdhe. Veçojmë këtu angazhimin publik në favor të kauzës së mbrojtjes të godinës së Teatrit Kombëtar. Si përfaqësues nga Kanadaja, për disa kohë ai ishte edhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe do të mbahet mend për gjestin e tij kurajoz të dorëheqjes nga ky forum (tashmë thuajse inekzistent dhe vegël e qeverisë së korruptuar “rilindase”) pas mohimit të votes së diasporës dhe zgjedhjeve të përgjithshme tepër të diskutuara.

Para një viti Ardiani vendosi të dalë në pension të parakohshëm nga detyra si inxhinier në Bashkinë e Torontos për t’iu përkushtuar totalisht pasionit të tij të jetës, pikturës. Qetësia shpirtërore dhe koha në dispozicion duket se kanë ndikuar jo pak në krijimtarinë e tij. Shumë nga ata që e njohin dhe e ndjekin krijimtarinë e Ardianit në rrjete apo drejpërdrejt në aktivitete, përfshi dhe artistë e kritikë të artit, janë shprehur se punimet e tij të kohëve të fundit kanë më shumë dritë dhe frymëzim. Aktiviteti i tij artistik ka qenë goxha i ngjeshur këtë vit, i konkretizuar veçanërisht me pjesëmarrjen në pesë ekspozita, nga të cilat katër në Itali dhe një në Kanada: Premio Internazionale dell'Arte “Maestri a Venezia” në Venecia, Premio Internazionale “Michelangelo” në Firence, Ekspozita e artistëve shqiptaro-kanadeze “Art Without Borders” në Toronto, “Il Primo Biennale Internazionale Art Expo” në Sanremo (Salla Ariston) dhe “Il Biennale Internazionale per le Arti Visive” në Montekarlo. Sot ai vjen sërish i ftuar për një intervistë në Flasshqip, për të bashkëbiseduar mbi artin, diasporën, atdheun dhe politikën.

Flasshqip: Ardian, herën e fundit që komunikuam, ishin momentet kur u hap ekspozita e fundit e artistëve shqiptaro-kanadezë më 22 qershor të këtij viti në Toronto. Çfarë do të kujtoje sot nga ai event?

Ardian Radovicka: Ekspozitën “Art Wihout Borders” e organizuam së bashku me Robert Simonin dhe Lindita Aga Meçon. Kujtoj që pati një pjesëmarrje të mirë nga komuniteti. Gjithashtu ishin prezent edhe përfaqësues të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës. Në ekspozitë morën pjesë 15 artistë me rreth 60 punime në pikturë, skulpturë dhe fotografi. Kishte shumë larmi në qasjen dhe zhanret e zgjedhura prej tyre. Gjatë ditës së përurimit, m’u afrua një zonjë e nderuar e komunitetit duke më pyetur me zë të ulët “po shoqatat pse nuk kanë ardhur në inagurim? - dhe ajo vijoi duke thenë: “Nëse nuk marrin pjesë në aktivitete të tilla kulturore, ku duhet të marrin pjese?” Pyetja e saj e kishte përgjigjen brënda. Megjithate i thashë që u kemi dërguar ftesa, por nuk e dimë arsyen e mosardhjes. Janë disa gjëra në jetë që nuk kanë nevojë për përgjigje, pasi veprimet flasin vetë…

Flasshqip: Me sa kemi parë, pas daljes në pension të parakohshëm para një viti, tashmë jeni krejt i fokusuar tek piktura dhe aktivitete që lidhen me të…

Ardian Radovicka: Po, e vërtetë.  Vitin e fundit kam marrë mjaft ftesa për pjesëmarrje në ekspozita të ndryshme nga disa fondacione dhe galeri arti në Itali, SHBA dhe Turqi. Deri tani kam bashkëpunuar me fondacionin “Efetto Arte” të Palermos dhe Galerinë e Arteve të Milanos, të cilat kanë publikuar veprat e mia të çdo pjesmarrjeje në ekspozita, në revistat “ART NOW” dhe “Art Expo Gallery”. Fondacioni “Effeto Arte” organizoi ekspozita në Venecia, Firence dhe së fundi në Sanremo. Kanë qënë për mua eksperienca vërtet shumë të bukura, sidomos Bienalja e Parë e Sanremos, me rreth 500 punime të artistëve nga 40 vënde të botës. Aty merrnin pjesë edhe 10 artistë shqiptarë. Me disa prej tyre pata kënaqësinë të takohem dhe të shkëmbejmë kontaktet. Shpresoj që në të ardhmen të takohemi përsëri, mundësisht në aktivitete të përbashkëta. Në Sanremo pata rastin të takoj Nën-Sekretarin e Kulturës, z. Vittorio Zgarbi si dhe ekspertin e ekonomisë, mediave dhe artit, z. Angelo Crespi, me të cilin pata rastin edhe të bisedoja.

Flasshqip: Me sa jemi informuar nga rrjetet, keni marrë edhe një çmim para një muaji. Si e përjetuat këtë moment dhe cili do të jetë aktiviteti i ardhshëm?

Ardian Radovicka: Galeria e Milanos “Art Expo” organizoi më 23 shtator Bienalen e Montekarlos dhe atje u nderova me çmimin ndërkombëtar “Oscar në Kreativitet” për punimin në vaj “Dallget smerald”. Motivacioni i dhënë nga kritika profesionale e Galerisë së Milanos “Art Expo” ishte shumë frymëzues për mua. Shqipërimi i motivacionit është si vijon: “Pikturë e karakterit intim, që shpreh emocionet nëpërmjet kontestit të rafinuar dhe të shtrirë në kromatizmin e tij. Temat e përqafuara paraqesin dimensione peizazhiste me gjurmë të personalizuara, duke ruajtur evokimin e brendshëm.” Ndërkohë nesër, më 22 Tetor, jam i ftuar për të ekspozuar punimet e mia në një aktivitet kulturor të organizuar nga një fondacion jo fitimprurës i quajtur “Giardini e Dintorni”. Veç ekspozimit të disa punimeve të mia, do kem edhe rastin të pikturoj. Aktiviteti im i ardhshëm do jetë në Toronto më 25 nëntor. Jam ftuar të paraqes punimet e mia në RAW Toronto, ku do të marrin pjesë mbi 100 artistë nga e gjithë Kanadaja. Ky aktivitet përfshin zhanre të ndryshme (art viziv, fashion, muzike, film, fotografi etj.) Pres një mbështetje sa më të madhe të komunitetit në këtë aktivitet që koincidon me periudhën e festave.

https://rawartists.com/radovickaardian?fbclid=IwAR17Wq-OUTq2eCBs-X-sKjQ7xz0Dj6lqwanC676Gz_FQJkYiuiUqsG3WU4I 

Flasshqip.ca: Ky vit ka qenë i ndarë në kohë mes Italisë dhe Kanadasë. Gjithsesi keni mbetur i angazhuar përmes qëndrimeve, deklaratave apo komenteve në rrjete edhe për temat me interes për komunitetin shqiptar që jeton këtu. Për këtë pjesë, çfarë ju ka tërhequr më shumë vëmendjen kohët e fundit?

Ardian Radovicka: Para disa ditësh po ndiqja me vëmendje tek media televizive shqiptaro-kanadeze “Pasqyra Shqiptare”, një kronikë të një proteste masive të prindërve që reagonin ndaj sistemit arsimor në Toronto. Më erdhi mirë kur dëgjova që në mesin e protestuesve kishte edhe prindër të komunitetit tonë. Edukimi i fëmijëve është tepër delikat, pasi mjaft bashkëatdhetarë kanë imigruar në Kanada veçanërisht për një shkollim më të mirë të fëmijëve. Më pëlqeu reagimi i tyre qytetar ndaj situatës problematike në shkolla. Edhe javën që shkoi, një grup shqiptaro-kanadezësh nga disa qytete si Toronto, Ottawa e Montréal, reaguan ndaj prezencës së kryebashkiakut të Tiranës në Urban Economic Forum, organizuar në Toronto. Këtij qëndrimi iu bashkova pa asnjë hezitim edhe unë. Më tërhoqi gjithashtu vëmendjen fakti që shtypi i “Rilindjes” e krahasoi këtë reagim qytetar me sulmet e Hamasit ndaj Izraelit. Kjo me kujtoi një shprehje të Arthur Schopenhauer: “E gjithë e vërteta kalon tre faza. Së pari është tallur. Së dyti, kundërshtohet dhunshëm. Së treti, pranohet si e vetëkuptueshme.” Ndërkohë, disa individë dhe shoqata e pritën Veliajn me këngë e me valle në Ottawa dhe Toronto. Ķjo na ktheu në kujtimet e të shkuarës, kur udhëheqësi pritej me lule, këngë e valle. Sigurisht, çdo individ dhe grupim ka të drejtën e vet që të ketë qasje të ndryshme ndaj politikës dhe politikanëve. E rëndësishme është të ruhet etika dhe respekti në komunikim. Çështja që shtrohet në një situatë të kësaj natyre është se çfarë raporti kemi ne me të vërtetën, sepse e vërteta është e domosdoshme në jetën tonë ashtu siç është drita. Pa dritë, piktura është pa jetë dhe pa të vërtetën jeta jonë është plot mëkate. Zgjedhja është në dorën tone...

Flasshqip: Së fundi le të ndalemi pak edhe te politika, preferencat tuaja, situata politike në Shqipëri dhe ndikimi që mund të ketë diaspora në ndryshimin me kahje pozitive të saj…

Ardian Radovicka: Sa i takon preferencave politike, unë jam i djathtë, por përkatësine time politike nuk e lidh me individë të caktuar, por me principe të qarta që respektojnë dhe nderojnë Zotin, Atdheun, dhe Familjen. Ronald Regan e shihte qeverinë si problem e jo si zgjidhje. Nisur nga kjo logjikë, qeveritë duhen ndërruar shpesh, pasi pushteti të lodh, të konsumon dhe korrupton. Fatkeqësisht Shqipërisë i mungon opozita, pasi Rama e përçau atë. Këtë gjë e arriti jo vetëm për paaftesinë e opozitës, por me sa duket edhe sepse persona të caktuar të opozitës janë të shantazhueshem. Po kështu e theksoj, që shkaterruesit e Teatrit Kombetar dhe urbanistikës së Tiranës, Durrësit dhe me gjerë, nuk mund të harrohen. Shkatërruesi i Teatrit në Tiranë vjen e bën “teatër” në Ottawa dhe Toronto. Dhe pyetja që unë shtroj me këtë rast është çfarë roli luajnë intelektualët në këtë “teatër” të madh? Janë ata aktorë apo spektatorë? Në pozicionime dhe reagime qytetare shpesh përmendet termi intelektual. Mendimi im është që me këtë term abuzohet me apo pa dashje. Jo çdo njeri që ka arsim të lartë dhe bën punë mendore mund të quhet i tillë. Po kështu, jo çdo individ që ka kurajo të reagojë ndaj një fenomeni mund te quhet intelektual. Aristoteli i përcaktonte qartë duke thënë se “intelektualët janë individë me virtyte që bënin pjesë në shkencë, njohuri, art dhe punë mendore, e që i lejonin shpirtit të arrijë të vërtetën”. Si konkluzion, shpresoj që ujërat të lëvizin si në Shqipëri, po ashtu edhe në diasporë. Pasi vetëm duke lëvizur ujërat mund ta pastrojnë politikën e vjeter të përqendruar në 3-4 duar, duar që e mbyllën ciklin dhe shpresoj të dalin në pension në vitin 2025 duke u hapur rrugën individëve me integritet dhe kurajozë, që të drejtojnë si pozitën, ashtu dhe opozitën. Shpresoj që diaspora jo vetëm të votojë, por të ketë edhe përfaqësuesit e saj në parlamentin e ardhshëm. Zoti e ndriçoftë mëndjen e bashkëkombasve tanë kudo që ndodhen në rrugën e duhur! Ju falemnderit për intervistën!

© Flasshqip.ca