Sport

Çikat e Arta të Kosovës - Nga Adriatik R. Dosti

Adriatik R. Dosti - Michigan, SHBA

Plot 57 vjet më pare, kur sporti luftarak i Arteve Marciale japoneze Judo u përfshi në Lojërat Olimpike pikërisht në Olimpiadën e Tokyo-s në 1964, vështirë të besoj se ndonjë shqiptari të Shqipërisë, a të Kosovës do t'ia kishte marrë mendja se një ditë ne do të kishim një kampion a kampione olimpike, e do të vinim në vitrinën e sportit kombëtar shqiptar jo një, por tre medalje ari, e madje brenda 5 vjetësh 2016-2021. E që të treja janë “Made in Kosova”, e që të treja mbajnë vulën e tre Çikave të Arta të saj.

Rrugën e çeli Majlinda Kelmendi në Rio de Janeiro në 2016, për t’u pasuar pak vite më pas nga Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Çfarë mrekullie e çfarë krenarie kombëtare!

Kjo histori suksesi që gëzon çdo shqiptar në mbarë globin, nisi disa vite më parë, kur falë pasionit, guximit e profesionalizmit të trajnerit të jashtëzakonshëm, punë shumë e fjalë pak, Driton Kuka, Çikat e Kosovës, e kryesisht ato të Pejës, pas një lumi djerse e sakrificash pa fund, ia dolën që në 2012 të marrin frytin e asaj çka kërkonin e ëndërronin.

Majlinda sjell në Kosovë trofeun e saj të pare në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar, duke fituar në Kupën Botës në Stamboll medaljen e artë. Në 11 vite karrierë brilante, arsenali i saj i trofeve do të pasurohej nga viti në vit me një numër pa fund medaljesh, që do t’i kishte zili edhe sportisti më elitar i globit. Plot 32 të arta, 6 argjendi e 8 bronzi.

Kampione Olimpike, Kampione e Botës, Kampione e Europës, Kampione e Ballkanit, si askush tjetër, por dhe e pa fat në Tokyo 2020 (korrik 2021) në mbyllje të karierës së vet brilante. Ani, ky është sporti. Vajza e parë Kampione Olimpike e kombit shqiptar gjithsesi ka hyrë tashmë për të mos dalë dot kurrë, në arkivin, historinë e memorien e nderit të sportit të kombit e të popullit të vet.

E nëse Majlinda mbeti absolute në peshën 52 kg, një tjetër pasuese e saj e sportiste e trajnerit Kuka, Distria Krasniqi, arrin ti sjellë Kosovës një tjetër të artë olimpike në peshën 48 kg. Pas saj, Nora Gjakova, në peshën 57 kg do të bëjë ''tris-in'' e medaljeve të arta olimpike për Kosovën. Pra në 2 Olimpiada e brenda 5 vjetësh 3 ari. Çfarë mrekullie!

Dhe ka akoma, ku i dihet. Në garë është ende Loriana Kuka, e cila konkuron të Enjten e 29 korrikut në peshën 78 kg...

I ndoqa. Disa live e disa të përsëritura e në formë përmbledhje në RTK ndeshjet e Çikave të Kosovës, por edhe atë të vëllait të Norës, Akilit. Emocion, por edhe krenari, aq më shumë sot tek sheh që disa vende me Rusinë e Francën në krye, ç'nuk po bëjnë kundër Kosovës e s'rreshtin poshtërsisht të komplotojnë e të thurin plane ogurzeza kundër saj në guzhinat e pista të Beogradit, Moskës e Parisit...

E bash për këto e shumë të tjera si këto, bash për atë histori tragjike e të shkruar me gjak, nderi yt Kosovë u vu disi në vend, qoftë edhe kësisoj, sportivisht e në tryezën më të madhe të sportit botëror në një Olimpiadë, e kjo falë Çikave të tua të Arta, Majlindës, Distrias e   Norës, që me siguri nesër do të pasohen nga emra të tjerë, se orteku i Driton Kukës vështirë të ndalet më dot prej kërkujt.

Dhe nuk ishte aspak rastësi, por shumë nder e krenari, që medaljen e artë fituese të Tokyo 2020, Norës ia dorëzojnë pikërisht dy autoritete shumë të larta të sportit botëror, Tomas Bach, Presidenti i IOC (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) dhe J. Rouge, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Judos.

Falemnderit Driton! Faleminderit Çikat e Arta   të Kosovës! Na bëtë krenarë si kurrë më parë e na bëtë ta mbajmë kokën lart si shqiptarë, e kjo falë suksesit tuaj të jashtëzakonshëm!

Dhe veç jush, nuk kam si të mos sjell sot ndërmend edhe simotrat tuaja të të njëjtit gjak, që gjithashtu na kanë nderuar AND-në e kombësinë tone, po falë punës e talentit të tyre, por edhe patriotizmit e dashurisë pa fund për ty Kosovë, tokë e trimave dhe e burrneshave. Të tilla janë edhe Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, pasuar edhe nga Atifetja, Vlora, Donika, e deri tek Presidentja e sotme e jotja Kosovë, dinjitozja Vjosa Osmani.

Jo më kot i quajta ashtu siç ke qejf t’i quash e t’i thërrasësh ti vetë Kosovë. Çikat tona. Tingëllon më bukur kështu besoj!

Të falemnderit Kosovë!

©Adriatik R. Dosti/Flasshqip.ca