Opinione

Meditime: Politika - Nga Ethem Ruka

Sipas Aristotelit, politika bazohet te morali, ndërsa për Platonin te bindja ndaj ligjit. Shekujt provuan shumë forma qeverisjeje për të mbërritur deri në ditët tona, ku flitet për shtetin e së drejtës që siguron barazinë para ligjit. 

Shqiptarët, si dhe shumë popuj të tjerë, për shekuj të tërë nuk e patën fatin të vetëqeveriseshin, por të provonin mbi shpinën e tyre peshën e perandorive më të mëdha të njerëzimit siç ishin ato romake, bizantine e osmane. Jo pak perandorë romakë e bizantinë patën origjinë ilire, ashtu sikundër shumë kryeministra me origjinë shqiptare i shërbyen me zell Perandorisë osmane. Ata bënë karrierë të shkëlqyer për veten e tyre, por askush nuk mund t’i lëvdojë se çfarë bënë për vendin e tyre.

Vetëm Gjergj Kastrioti i dha me forcë vendit të tij mëvetësinë përballë një makinerie ushtarake të tmerrshme siç që ajo e Perandorisë osmane. Ajo është një ndër epokat më të lavdishme në historinë e shqiptarëve dhe ne kemi gjithë të drejtën e Zotit të mburremi me të. Për fat të keq ajo periudhë qe mjaft e shkurtër, por shumë e rëndësishme për identitetin e shqiptarëve, përballë një perandorie që imponoi me forcë zhbërjen e qenësisë kulturore, gjuhësore dhe besimit fetar të të parëve tanë. I dyti që pati forcën t’i kundërvihej me zgjuarësi e diplomaci kësaj perandorie ishte Luani i Janinës, Ali Pashë Tepelena, që trokiti te mëvetësia për një pjesë të truallit arbëror.

Shekulli i 20-të ka qenë i mbushur me plot sfida ekzistence për kombin shqiptar. Historia e qeverivisjes shqiptare fillon me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912. Ismail Qemali zgjidhet kryeministri i parë në historinë e Shqipërisë. Ai u mandatua nga delegatët për të formuar qeverinë e re me tetë ministri: Ministrinë e Punëve të Brendshme, Post Telegrafeve, Financës, Punëve Botore, të Luftës, Arsimit, Bujqësisë dhe Drejtësisë. Kjo qeveri e ushtroi aktivitetin e vet nga 4 dhjetor 1912 deri më 24 janar të viti 1914.

Qysh nga viti 1912 e deri më sotë kanë kaluar pak më shumë se 111 vite. Gjatë kësaj periudhe kohore, shteti shqiptar ka njohur dhjetëra qeveri dhe është drejtuar nga 33 kryeministra. Historia e kryeministrave shqiptarë fillon me Ismail Qemalin për të mbërritur sot në qeverinë e tretë të kryeministrit Edi Rama.

Ndër kryeministrat më jetëgjatë gjatë këtyre 111 viteve kanë qenë Mehmet Shehu që ka qeverisur 27 vite (1954-1981), Edi Rama ende në deyrë prej 10 vitesh (2013-2023), Adil Çarçani 10 vite (1981-1991), Enver Hoxha 8 vite (1946-1954), Sali Berisha 8 vite (2005-2013), Pandeli Vangjeli 5 vite (1930-1935), Aleksandër Meksi 5 vite (1992-1997), Esad Pash Toptani 4 vite (1914-1918) dhe Fatos Nano 3.7 vite (24 korrik 1997 - 2 tetor 1998 dhe 31 korrik 2002 deri më 11 shtator 2005). Qeveria më jetëshkurtër ka qenë ajo e Qazim Koculit, e 6 dhjetorit 1921, që zgjati vetëm gjashtë orë. Qeveritë e tjera kanë zgjatur me ditë, muaj e pak vite.

Po aq interesante është edhe historia e parlamentarizmit shqiptar. Parlamenti shqiptar fillon me Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë në vitin 1912, dhe vazhdon me Këshillin Kombëtar me 36 anëtarë (1920-1923), me Kuvendin Kushtetues me 37 anëtarë (1924), Dhomën e Deputetëve (1925-1928), me Senatin (1924-1926), Asamblenë Kushtetuese me 58 anëtarë (1928), Parlamentin (1928-1939), Këshillin Fashist Koorporativ me 247 anëtarë (1940-1943), Kuvendin Kombëtar (1943-1944), Këshillin Antifashist Nacional-Çlirimtar (1944), Asamblenë Kushtetuese (1946-1947), Kuvendin Popullor (1948-1997) dhe me Kuvendin e Shqipërisë (1997 e deri më sot).

Parlamenti shqiptar është drejtuar nga 35 kryetarë, nga të cilët vetëm dy janë femra, Jozefina Topalli dhe Lindita Nikolla. Kryetarët më jetgjatë janë Pandeli Vangjeli (9 vite), Jozefina Topali (8 vite), Medar Shtylla (7 vite), Pjetër Arbnori (5 vite), Simon Stefani, Gramoz Ruçi, Ilir Meta dhe Skënder Gjinushi (me nga 4 vite). Ndër ta 16 i përkasin besimit mysliman, 15 besimit ortodoks dhe 5 atij katolik.

Megjithëse me shumicë myslimane, vendi është drejtuar gati në mënyrë të barabartë nga kryetarë me besimin mysliman e të krishterë. Statistikat duken memece, por ato kanë rëndësi për të nxjerrë edhe njëherë në pah një vlerë të jashtëzakonshme të shqiptarëve, atë të tolerancës fetare. 

Rastësia e e solli që edhe unë të përfshihesha në politiké. Jo pak, por 17 vite, 17 vite të pjesës më të bukur dhe të frutshme ne jetën e njeriut. Si deputet i Partisë Socialiste, pata si kryetarë kuvendi Pjetër Arbnorin, Skënder Gjinushin, Namik Doklen, Servet Pellumbin dhe Jozefina Topallin, ndërsa si Ministër i Arsimit dhe Shkencës, dy herë Ministër i Mjedisit dhe Ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit pata si kryeministra Fatos Nanon, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën.

Unë dhe dhe shumica e kolegët e mi, që u përfshinë në jetën politikë në vitet 1990, nuk kishin kulturë politike. Ne ishim intelektualë të dalluar për kohën dhe erdhëm kryesisht nga jeta akademike, mjekësia, bujqësia, ekonomia, inxhinieria, shkencat politike etj. 

Ishin vite më shumë se të vështira. Shqipëria duhet të linte pas sistemin komunist që kish lënë gjurmë të thella në formimin e brezit tonë. Shumë prej tyre, djathtas e majtas kishin qenë komunistë, ndërsa ata që do të duhej të merrnin frenat e qeverisjes së djathtë, megjithëse u derdhën shesheve për ndryshim, u ushqyen vetëm me propagandë, por thuajse asnjëherë me portofole shtetërore. Kështu ishte dje, kështu vazhdon të jetë edhe sot. 

Tranzicioni shqiptar u drejtua dhe vazhdon të drejtohet nga të majtë dhe kripto të majtë që u ndanë djathtas e majtas. Nga 160 000 anëtarët e Partisë së Punës të Shqipërisë, rreth 110 mijë kaluan në Partinë Socialiste, të tjerët në partitë e tjera të djathta. Vetëm ky fakt tregon gjymtimin e pluralizmit të vërtetë në tridhjetë vitet e fundit.

Kohët kanë ndryshuar. Koha e idealizmit ka vdekur. Vendin e tij e ka zënë pragmatizmi. Partitë me bazë popullore në fillimet e tyre, sot janë shndërruar në parti presidenciale, ku shumica e kryetarëve të tyre, po drejtojnë afërsisht sa edhe Enver Hoxha në kohën e vet.

Politika… çfarë nuk është shkruar e thënë për të. Ajo “supozohet si profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit”, ka thënë udhëheqësi i një vendi të madh perëndimor. “Ajo ndërton ura atje ku nuk ka lumë”, ka thënë një udhëheqës i madh lindor.  “Ka tre lloje politikanësh: ata që turbullojnë ujin; ata që peshkojnë në ujëra të turbullta; dhe ata më të talentuarit që turbullojnë ujin për të peshkuar në ujë të turbullt”, ka thënë shkrimtari francez Zhorzh Perros.  “Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin” shprehej Vaclav Haveli. “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq”, shkruante Fridrih Niçe. “Nëse politikanët francezë do të fillonin t'i mbanin premtimet e tyre, do të kishin nevojë për buxhetin e Shteteve të Bashkuara”, thotë humoristi i shquar francez Kolysh.

Politikën e shajnë të gjithë, por pa të askush nuk bën dot. Nëse qytetarët nuk do të merreshin më të, është politika që merret me ta.  Normalisht kush hyn në politikë duhet të pyesë veten nëse është i ndërtuar prej shkëmbi apo prej rëre.

Besoj se Uinston Çërçilli kishte të drejtë kur shkruante se “Politika është më e rrezikshme se lufta... Në luftë mund të vritesh vetëm një herë. Në politikë, disa herë”.  Kujdes, në politikë, kundërshtarët e vërtetë janë në kampin tuaj!

Ja, këto janë ca motive pse kam vendosur të shkruaj ca rrëfenja për jetën politike, ndryshe nga çfarë kam lexuar deri tani nga bashkohësit e mi.

© Ethem Ruka