Opinione

Meditime: Dyzimi mes identitetit politik dhe atij profesional - Nga Ethem Ruka 

Ka jo pak gjëra me të cilat identifikohet çdo qenie njerëzore. Të tilla janë përkatësia kombëtare e krahinore, gjininia, besimin fetar, pozicioni social, profesioni, mosha etj.  Raporti mes identitetit profesional dhe atij politik për dikë që lë profesionin dhe i bashkohet politikës nuk është kaq i thjeshtë.

Identiteti profesional fillon qysh në auditoret e universitetit dhe vazhdon me ushtrimin e profesionit në një fushë të caktuar. Sa më i spikatur të jetë identiteti profesional aq më shumë rritet respekti i shoqërisë ndaj një një profesionisti. Mjekë, agronomë, inxhinierë, matematikanë, sociologë, ekonomistë, juristë, biologë, fizikanë etj ka shumë, por pak prej tyre dallohen, njihen, respektohen e mbahen mend jo vetëm brenda një brezi, por për breza të tërë.

Identiteti politik përgjithësisht nuk formohet në shkolla të veçanta. Shkolla e parë politike për promovomin e vlerave demokratike u themelua për herë të parë nga një grup aktivistësh të shoqërisë civile në Moskë në vitin 1992. Ky model u përqafua edhe në vende të tjera të lindjes e deri në Shkollën e Studimeve Politike të Këshillit të Europës që synon forcimin e potencialit demokratik të lidershipit të politikanëve të rinj.

Politika ushqehet kryesisht nga profesione të tjera. Një pjesë e politikanëve e përqafojnë politikën pasi kanë formuar identitetin e tyre të fortë profesional, por ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë që disa prej tyre përfshihen në politikë pa hedhur qoftë edhe njëherë firmën për të marrë rrogën e parë në profesionin e tyre. Këta politikanë kanë thuajse identitet “monohibrid”, vetëm atë të politikanit, ndërsa të tjerë që vijnë pas konsolidimit të identitetit profesional janë “dyhibridë”, pra profesionistë dhe politikanë. Si rregull monohibridët e kanë shumë të vështirë t'i kthehen profesionit, ndërsa dyhibridët, edhe nëse e lënë politikën e postet ekzekutive, mund të rikthehen lirisht në profesionet e tyre.

Politikanët jetëgjatë fillojë e humbasin pak e nga pak identitetin e tyre profesional dhe u mbushet mendja se kanë lindur vetëm për funksione politke. Nëse pyesni njerëzit e thjeshtë për një pjese të politikanëve, do ta kuptoni se ata nuk dinë asgjë për profesionet e të zgjedhurve të tyre. Sa më gjatë qëndron në politikë e pushtet, aq më shumë forcohet identiteti politik dhe aq më shumë dobësohet ai profesional.

Të ruash identitetin profesional dhe atë politik është e vështirë, por jo e pamundur. Për të arritur këtë sandard duhet të harxhosh dyfishin e energjisë për t’i shërbyer njëherazi funksionit politik dhe atij profesional. Dyzimi mes profesionit dhe politikës është një ndjesi që të gërryen çdo ditë.

Në Parlament unë qëndroja në një tavolinë pas Dritëro Agollit. Ndiqja me kujdes sjelljen e tij. Në seancat e gjata e monotone të Parlamentit, Dritëroi nxirrte stilolapsin dhe latonte vargje të rastit ose kërkonte fjalë të reja të gjuhës shqipe. Pasi mbaronte seanca, i bënte letrat shuk dhe i hidhte në kosh, ndërsa unë i merrja ato nga koshi i drejtoja dhe i fusja në një dosje. Një ditë i thashë Dritëroit se i kisha hapur një dosje. Ai me siguri e konsideroi shakanë time bajate dhe më pa pak si vëngër.

-Është e vërtet Dritëro, mos më shiko ashtu, - i thashë dhe i nxorra dosjen e letrave të zhubravitura.

U habit dhe më tha se isha i marrë që mblidhja letra që nuk kishin kurrëfarë vlere. Unë e kundërshtova dhe i thashë se këto letra janë si puna e verës. Ato janë shkruar nga dora e Dritëroit. Sa më gjatë të qëndrojnë në dosjen time aq më shumë vlerë do të kenë një ditë. Që nga ajo ditë, Dritëroi e mori seriozisht. Bënte poezi të shkurtra dhe mi jepte t’i ruaja. Nuk i pranova asgjë pa hedhur firmën, datën dhe dedikimin në emrin tim.

Jo vetëm Dritëroi, por edhe shumë plolitikanë të tjerë e vuanin dyzimin mes politikës dhe profesionit. Prof. Dr. Sabit Brokajn e gjeje gjithmonë me një libër kardiologjie me vete, Dr. Rushen Golemin duke diskutuar më shumë për kirurgjinë, Prof. Dr. Xhevat Lloshin duke punuar me ndonjë fjalor a vepër gjuhësie. 

Moikom Zeqo ishte gjithmonë i përpirë nga pasioni i tij i jashtëzakonshëm për letërsinë, artin, arkeologjinë e antikitetin, ashtu si Vath Koreshi, Ben Blushi, Namik Dokle, Faslli Haliti, Bardhyl Londo, Sadik Bejko, Teodor Keko, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Natasha Lako, Diana Çuli, Besnik Mustafaj, Rudolf Marku, Preç Zogaj etj., besoj se trupin e kishin në Parlament, ndërsa mendjen te letërsia. Shumë prej tyre patën një karrierë të shkurtër në politikë dhe u kthyen në identitetit e tyre profesional duke na dhënë vepra me shumë shumë vlerë.

Edi Rama, sot kryeministër, edhe kur flet me të tjerët, vizaton. Tavolina e tij e punës ka qenë dhe vazhdon të jetë e mbushur plotë lapsa me ngjyra. Vizatonte kur e njoha si ministër Kulture e më vonë si kryebashkiak i Tiranës. Me të njëjtin pasion vazhdon edhe sot. Përtej modstisë, unë jam njeriu që koleksionova për herë të parë vizatimet e tij dhe e motivova se ato nuk duheshin hedhur, por duheshin ruajtur. Identiteti i tij politik nuk ia errësoi asnjeherë identitetin si artist.

Edhe unë isha një pre atyre që vuajtën nga dyzimi i identitetit politik e profesional.  Qëndrova gjatë në politikë si deputet e ministër, por nuk hoqa asnjëherë dorë nga identiteti im profesional si akademik në fushën e biologjisë. Gjatë 21 viteve që u përfshiva në politikën aktive, si pjesë e së Majtës shqiptare, me shoqëroi ndjesia se kisha tradhëtuar profesionin për të cilin kisha investuar aq shumë brenda dhe jashtë vendit. Asnjeherë nuk hoqa dorë nga Fakulteti i Shkencave Natyrore. Mbajta leksione pa u shkëputur asnjë vit, udhëhoqa studentë për mbrojtje diplomash e kandidatë për doktorë shkencash, e mbi të gjitha botova dhjetëra libra për arsimin parauniversitar, universitar dhe publikun. Ka qenë një jetë e mbushur plot e pëplot. Nuk kam lënë asnjë ditë pa e tejshfrytëzuar. Në shumicën e ditëve të javës e nisja punën duke filluar të shkruaja qysh në orën katër e gjysëm të mëngjesit.

Njëherë një miku im politikan jetëgjatë, më pa me një libër në dorë që po e rilexoja edhe njëherë për ndonjë korigjim para se të futej në shtyp. Akoma me këto libra?  Nuk I mbarove akoma së shkruari?  Qesha dhe i thashë se pasioni për librin nuk vdes kurrë. Asnjëherë nuk ngopesh me librat dhe asnjëherë nuk kënaqesh se ke shkruar mirë.

Një ditë u shkëputa nga politika aktive. Më erdhi shumë keq dhe debatova shumë ashpër me Edi Ramën si kryetar i Partisë Socialiste. Më ishte mbushur mendja se vleja edhe për pak vite. Dy ditë pas vendimit për të mos kandiduar me si deputet e mblodha mendjen dhe rifillova jetën akademike. Mendova se Rama më bëri keq, por shpejt e kuptova se më kish bërë një nder të madh. Më kish marrë malli për miqtë e vjetër të botës akademike, laboratorët, botimin e artikujve shkencorë, e mbi të gjitha atmosferën e mrekullueshme mes studentëve njëzetëvjeçarë. Mbi të gjitha kisha rifituar lirinë time.

Kanë kaluar dhjetë vite qysh atëherë dhe unë ende vazhdoj të punoj në këtë bota magjike. Shpresoj se atë që kisha humbur nga identiteti im si biolog, ta kem rifituar sërish si dikur.

Në udhëtimin tim politik njoha njerëz të mrekullueshëm e me plot dinjitet, por edhe hileqarë, intrigantë, xhelozë, të paaftë e konformistë. E keqja më e madhe në politikë nuk të vjen prej kundërshatrëve, por më shumë prej familjes tënde politike. Intriga është art i politikës, të cilën duhet të dish ta përballosh.  Thonë se muskujt e politikanëve jane më të fortë se zemra e tyre.

Shumë prej bashkëudhëtarëve të mi sot janë larguar nga politika. Kanë mbetur shumë pak prej tyre. Gjithmonë ka një fund. Secili i takon kohës së vet dhe nuk duhet t’u zërë rrugën e frymën të rinjve që i bashkohen politikës. Mirë është që edhe kur largohesh të kesh lënë gjurmë si për identitetin politik, ashtu edhe për atë profesional.

© Ethem Ruka