Blog

Zyrat e punës nuk krijojnë vende pune

Nga: Gavrosh Levonja

Sot, në gazeten "Panorama" më tërhoqi vëmendjen titulli i një shkrimi, konkretisht "Zyrat e punës pa efektivitet, në një vit 2300 të trainuar por janë punësuar…" Dhe duke lexuar shkrimin mëson se nga këta 2300 të trainuar qënkan punësuar më pak se 80 vetë. Kjo më solli ndërmend një shkrim të cilin e shkruajta fill pas hedhjes së idesë nga Rama për zyrat e punës, aktiviteti i të cilave do të ishte një kontribut vendimtar për uljen e papunësisë. Shkrimin në fjalë asokohe ia d rgova gazetës "Panorama" por nuk e pashë kurrë të publikuar për arsye që as më intereson t'i di; së pari pasi kurrë nuk i kam honepsur ata që bëheshin “rrodhe" nëpër redaksitë e ndryshme që t'u botoheshin shkrimet dhe e dyta, duke qen se nuk kisha ndonjë përfitim konkret nga publikimi i një shkrimi. Më poshtë është shkrimi i asaj kohe.

Propagandimi i hapjes apo më mirë rihapjes së zyrave të punes duke filluar nga ajo e Tiranës të cilën Rama e quajti “dallëndyshja e parë e punësimit”, pavarësisht nga kritikat e opozitës apo faktit që një e tillë është krijuar gjashtë vite më parë siç shkruante Berisha në Facebook, është për tu vlerësuar si një hap pozitiv, të paktën si një shenjë e interesimit të qeverisë përsa i përket zgjidhjes së problemit të punësimit. Kjo tregon se qeveritarët socialistë janë të ndërgjegjshëm që shndërrimi në realitet I megapremtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale është në përpjestim të drejtë me krijimin e vendeve të punës. Gjithashtu, sa më shumë shtetas të punësohen aq më shumë lehtësohet dhe barra e qeverisë lidhur me fondet e përkrahjes sociale si dhe rritjen e kontributeve që shkojnë në fondin e pensioneve. Veç këtyre, krijimi i sa më shumë vende pune do ta zbuste së tepërmi edhe efektin e masave të tilla qeveritare si rritja e disa taksave apo akcizave për produkte një pjesë dhe jetike siç është karburanti. Në të kundërt, pa një rritje të ndjeshme të koeficientëve të punësimit, do të vërtetohesshin akuzat e PD dhe kundërshtarëve të tjerë të PS e Ramës në veçanti, për ato të cilat, opozita i ka vlerësuar që gjatë fushtës si “megamashtrime banale” etj.  

Personalisht, ndoshta si pasojë e mungesës së një informacioni më të zgjeruar e detajuar, nuk e kam aspak të qartë se si dhe sa mund t’i shërbejë zënies në punë qoftë dhe të një fraksioni tepër të vogël të asaj armate 1 milionëshe të papunësh që reklamonte Rama gjatë kohës kur ishte në opozitë duke e bërë këtë shifër, një nga komponentët bazë të propagandës socialiste gjatë, por dhe para fushatës elektorale. Duke u nisur nga prononcimet e zyrtarëve të ndryshëm socialistë kam krijuar përshtypjen se këto zyra pune do të jenë si ndërlidhëse midis punëdhënësve që kanë nevojë për fuqi punëtore dhe atyre që kërkojnë punë.

Nëse është kështu, që në këtë moment ndeshemi me paradoksin e parë. Një subjekt punëdhënës, në qoftë se ka vende pune të hapura e ka shumë më të lehtë ta bëjë këtë drejt për së drejti, pa qenë nevoja që kërkesa e tij të kanalizohet nëpërmjet zyrave të punës së shtetit. Për të është fare e lehtë të nxjerrë një lajmërim në media, apo qoftë dhe në rrugë të tjera, fjala vjen dhe nëpërmjet njohjeve. Në këtë mënyrë punëdhënësi ka shumë më tepër mundësi të bëjë përzgjedhjen e duhur duke intervistuar kandidatët si dhe në vlerësimin e eksperiencës së tyre. Ndërsa, duke patur shtetin nëpër këmbë, në këtë rast, pazaret me zyrat e punës, kuptohet fare lehtë që kjo përzgjedhje do të ishte e komprometuar. Mbi të gjitha, kur është në fjalë një vend si Shqipëria ku korrupsioni është një element predominant në të gjitha fushat dhe parimi “politika në plan të parë” vazhdon të ndikojë fuqishëm. Shkurt, për një kandidat të ofruar nga një zyrë pune shtetërore, ka shumë herë më shumë gjasa të jetë një “analfabet” për atë që duhet të bëjë, por është rekomanduar pasi mund t’i ketë futur diçka nën dorë punonjësit të zyrës së punës apo thjesht mund të jetë militant i forcës politike në pushtet. E njejta gjë mund të thuhet dhe për atë që është në kërkim të një pune; ai e ka shumë herë më tepër të lehtë që pasi është njohur me kërkesën e publikuar të punëdhënësit, të kontaktojë direkt me këtë të fë fundit se sa të regjistrojë emrin në listat e stërgjata të zyrave të punës së shtetit. Për më tepër kur përveç ndërhyrjeve nga lart apo korrupsionit, zyrat e punës janë shumë herë më të interesuara t’u japin përparësi atyre që marrin shpërblim papunësie nga shteti.

Në fakt, zyrat e punës si pjesë e strukturave shtetërore në vendet kapitaliste, të paktën në SHBA, janë më shumë si pika ku ata që marrin kompensim papunësie duhet të paraqiten një herë në javë shpesh, më tepër për të treguar se nuk ndodhen jashtë vendit se sa t’u gjendet ndonjë vend pune gjatë periudhës kur shteti është i detyruar t’u paguajë kompensimin e papunësisë. Madje tani së fundi, atyre që janë të detyruar të paraqiten në zyrat e punës u jepet një listë e gjatë me Website të kompanive ku mund të kenë mundësi punësimi. Në këto kushte, mundësia që zyrat e punës të luajnë ndonjë rol si ndërlidhëse midis bizneseve që kërkojnë punëtorë dhe atyre të cilët janë në kërkim të një pune është minimale. Madje, duke pasur parasysh faktin e përmendur më sipër që zyrat shtetërore të punës janë më shumë të interesuara të “heqin qafe” duke punësuar atë kontigjent që përfiton kompensim papunësie nga shteti mund të shihen si konkurente në tregun e punës të atyre të cilët shpresojnë të gjejnë punë. Për më tepër në një vend si Shqipëria, ka shumë mundësi që këto zyra të ushtrojnë trysni mbi bizneset për të marrë në punë ata që janë objekt i këtyre zyrave. Nga ana tjetër, rolin e ndërlidhësit në tregun e punës, fare mirë mund ta luajnë kompani apo agjenci private të cilat kanë si objekt të biznesit të tyre harmonizimin e nevojave të punëdhënësve për krahë pune dhe individëve në kërkim të një vendi pune. Eshtë evidente se në kushtet e tregut të lirë kompani të tilla janë shumë herë më të interesuar t’u ofrojnë njerëzit e duhur biznesve për faktin se në kushtet e konkurencës po të ndodhte ndryshe do të shkonin drejt falimentimitPretendimi se hapja e zyrave të punës do ta verë në binarët e zgjidhjes problemin e papunësisë është reminishencë e mentalitetit të kohës së zyrave të punës që ishin dikur pranë komiteteve ekzekutive apo lagjeve të cilat degdisnin njerëzit në bazë të parimit “atje ku ka nevojë partia”. Punësimi është pasojë imediate e shkallës së zhvillimit të bizneseve, por duke analizuar ndryshimet me karakter financiar të qeverisë Rama, më shumë mundësi ka që radhët e të papunëve të rriten. Në mungesë të ndonjë formule ekonomiko-financiare për të nxitur punësimin, Rama dhe shtabi i tij duket se kanë gjetur ngushëllim tek hapja e zyrave të punës, kjo ndoshta dhe për të krijuar përshtypjen tek masa e stërmadhe e të papunëve se diçka po bëhet edhe për ta duke kompletuar zhurma të tilla si ajo me konkurset për vendet e punës në administratën shtetërore. Ndoshta, këto zyra pune mund të shërbejnë vetëm për të punësuar njerëz në administratë.

Tagged under Gavrosh Levonja