Blog

‘Minishengeni’, thikë pas shpine e Edi Ramës ndaj Kosovës - Nga Shefki Oseku

Serbia doli fituese e padiskutueshme nga kjo marrëveshje:

Së pari moralisht, shtetit më gjakatar në Ballkan ia dhanë me dorën e vet shqiptarët aureolën e shtetit më paqësor në Ballkan! Ani pse ende 1500 shqiptarëve të Kosovës nuk iu dihen varret; anipse çdo sekondë Serbia po lobon haptas kundër Pavarësisë së Kosovës, me pará, femra të bukura, me dhurata armësh, me dredhi e mashtrime kudo nëpër botë.

Së dyti politikisht, si shteti që e vë në lojë dhe e përçan si mos më keq Shqipërinë e Kosovën me disa premtime fluide, të padenja për t'i zënë në gojë, siç është heqja e doganës për shtetet e Minishengenit, ku Serbia, si shtet më i zhvilluar, do ishte përfitues absolut e shqiptarët si stërhumbës absolutë.

Së treti Kosovën e poshtëroi si mos më keq, si vend që po "vetëizolohet" dhe se Serbia po shfaqet dhe dekorohet nga shqiptarët si emancipatore e prijëse paqësore e Ballkanit!!!

Së katërti e çvlerësoi kufirin Kosovë-Serbi, të cilin pas 78 ditë bombardimesh, me mund të tajskajshëm e krijoi Perëndimi dhe flijimet kolosale të shqiptarëve të Ballkanit gjatë një shekulli.

Së pesti, të gjitha këto arritje të Serbisë po bëhen pa e ndërruar ata asnjë gërmë nga Kushtetuta e tyre, e cila Kosoven e njeh si Serbi, ashtu siç ishte nga 1912 e deri më 1999.

Kjo po na ndodh se Edi Rama, si Enveri dikur, po i beson armikut shekullor sikur ai të ishte miku shekullor! Ky atentat kundër Pavarësisë së Kosovës po bëhet me armën e Serbisë, por me dorën e Edi Ramës.

Përkundër të gjithë këtyre prapësive, Kosova do të rrojë, sepse ajo, për fatin tonë të mirë është fëmijë i Amerikës e jo femijë i politikanëve horra, si Edi Rama me shokë.