Blog

Balada e një kokrre qershie - Nga Vangjush Ziko

Ngjarja ndodhi në foodcourt-in e një prej merkatove të qytetit tonë, në atë të quajturin "oborr i ushqimit", ku grupi ynë i pensionistëve emigrantë ulemi herë pas here, pimë kafenë kanadeze (që nuk na pëlqen dhe aq shumë), kujtojmë jetën tonë të kaluar në atdhe të ballafaquar me këtë jetë aq ndryshe, që na ra në hise në këtë moshë.

Biseda e sotme u hap për një temë të dhimbshme për moshën tonë dhe jo vetëm tonën. Për ato zakone të bukura të familjes sonë, të cilat çdo ditë e më shumë po harrohen. Brezi i nipërve dhe i mbesave tona nuk i ndiejnë ose nuk i kuptojnë. Të rritur në një mjedis krejt ndryshe, ata janë të ftohtë.

-Të ftohtë mund të duken, – ndërhyra unë, - por jo se nipërit e mbesat nuk na duan.

-Gjersa nuk na e varin, nuk na begenisin. As muhabet nuk na bëjnë. Përtojnë të përgjigjen kur i pyet për kuptimin e ndonjë fjale apo të ndonjë sendi. Edhe kur ti kërkon që t'u japësh ndonjë këshillë, ata as që ta fërshëllejnë fare, - ndërhyri miku im,

-Ka ndryshuar koha, Vasillaq. Të tjera kohë. Të tjera zakone. Ja që çdo njëzet vjet ndryshojnë edhe mendimet e brezave.

-Mendimet le të ndryshojnë! - u nxeh Vasillaqi, - por jo zakonet e mira. Jo njerëzillëku, që kanë patur familjet tona brez pas brezi. Dashuria që kemi patur për familjen, për prindërit, për të moshuarit.

-Duhet të përshtatemi ne, jo ata, Vasillaq, - vazhdova unë mendimin tim për brezat. - Shumë gjëra edhe duhet t'i gëlltitim, të bëjmë sikur nuk i vemë re. Fëmijët tanë kanë shumë probleme dhe shumë halle. Me punën. Me shëndetin. Me fëmijët.

-Edhe më shumë do të kenë, po i harruan zakonet tona. Zakonet mund të vjetërohen, por jo njerëzillëku. Prandaj njeriu i sotëm po bëhet kaq i ftohtë. Dashuria dhe respekti t'i zbut edhe hallet në familje. Bota po ftohet, sepse po humbet njerëzillëku, dashuria për njëri-tjetrin! - e vulosi mendimin Vasillaqi.

Debatin e ndërpreu Dauti, që sapo hyri.

-Bujrum! - na u drejtua dhe na lëshoi përpara një qese plastmasi të mbushur me qershi. - E vola sot qershinë e kopshtit.

Dauti është një shqiptar nga Maqedonia, i cili ka lëshuar rrënjë që prej vitesh këtu.

Qershitë ishin të kuqe flakë, të freskëta, me lëkurë të ndritshme ku vezullonin dritat e foodcourt-it. Të gjithë i pamë me habi dhe me gëzim. Na u kujtuan qershitë belica të oborreve tona korçare, ato qershi që kërcisnin si kumbulla kur i kafshoje dhe ta mbushnin gojën plot lëng. Të katër burrat që ishim atje, morëm nga një kokër plot delikatesë e përgjërim. Filluam ta hamë dhe të ndiejmë në gojë dhe në shpirt lëngun e trishtuar të kujtimeve tona të largëta,

E pyetëm dhe Dauti na tregoi se si filizin e kësaj qershie e kishte sjellë nga vatani dhe me shumë mundim e përkujdesje e kishte pekulosur dhe rritur në këtë vend të largët.

-Hani! - na sajdisi Dauti.- Për ju i solla.

Vetëm Vasillaqi nuk po i provonte. Ai e mbante kokrën e qershisë në dorë dhe e shikonte sikur i vinte keq ta kafshonte, sikur ajo qershi të ishte një gjë e shenjtë.

-Nuk të pëlqen,Vasillaq? Provoje. - I foli Dauti.

-Më pëlqen shumë, Faleminderit që ma solle. Më kujtoi nënën time, ndjesë pastë, që i pëlqente shumë qershitë. Do desha ta ndaja me të, ashtu siç bëja kur isha i vogël.

Nuk u habitëm shumë me këto fjalë të Vasillaqit, sepse e dinim që ai, që kur kishte ardhur në mërgim, këtu e shtatë vjete më parë, kujtonte dhe bisedonte vazhdimisht me të kaluarën e tij.