Blog

Teatri, një përplasje interesash - Nga Albana Tare

Të vështirë ne shqiptarët në të marrurit vesh! Nuk e gjejmë dot zgjidhjen e duhur! Ndër dy variante të ofruara, palësh e mendimi, vështirë të gjejmë kompromisin, variantin e tretë, atë të duhurin!

Problematikë e madhe kjo e gjetjes së kompromisit! E vështirë të gjendet mes palësh kokënxehta! E megjithatë, kurrë një i tillë nuk është i pamundur! Gjithmonë një mes i artë ekziston! Funksionon!

Por në rastin e konfliktit me teatrin a mundet vallë të ndërtosh mbi bazë shkatërrimi?

A mundet të qetohesh lirshëm për të parë nesër një shfaqje teatri, kur ti duhet të kalosh në ato shkallë godine, të cilat gjithmonë do të të sjellin ndërmend këto përleshje dhune? Edhe pse cdo gjë e bëjmë në emër të qytetërimit, përsëri, barbarizmat nuk i fshehim dot nën të!

E kam bindje, se nuk do të ndihej mirë askush, që nesër, në një të ardhme, për të parë një shfaqje në teatrin luksoz të pretenduar, shtypur si paketë cigareje mes kateve gjigande, të bizneseve planifikuar të ngrihen mbi të, të kalojë përmes kujtimeve të dhimbshme, të pamjeve të sotme dhune dhe përleshjesh! Madje edhe vetë ata që urdhëruan prishjen, ndërgjegjja një ditë do t'i vrasë! Ose jo!

Thonë se "Dhuna është në rregull, derisa funksionon"! Ndoshta sepse ata që e ushtrojnë ia kanë ndjerë lezetin, e ata që e durojnë janë mësuar me të! Ndoshta. Nuk di ta them! Malcolm më vjen në ndihmë, “Nuk quhet dhunë kur është për vetëmbrojtje”. Mençuri e drejtë! E vërtetë!

Për vetëmbrojtje interesash materiale, përfitimesh të majme njëra palë! Interesa të mëdha, që duhen realizuar patjetër! Koha nuk pret!

E sërish për vetëmbrojtje interesash shoqërore pala tjetër! Interesa që lidhen me kujtesën popullore për kulturën shpirtërore të njerëzve të saj, të historisë së saj, përfshirë në këtë konflikt, pala tjetër!

E midis kësaj përplasjeje interesash, qëndron TEATRI! Qëndron lufta për të! Qëndrojnë përleshjet në shesh mes njerëzish të pafajshëm, ruajtës rendi, policë, që punojnë detyruar për bukën e gojës, dhe njerëzish të pafajshëm qytetarë, kurrë të pasur, që luftojnë për bukën e shpirtit! Për kujtimin që i lidh me të! Teatrin!

E në midis tyre, ajo, Politika. E qelbur, e ndyrë, e kalbëzuar gjer në pakufi!

E rendur turravrap dicka të gllabërojë në fundrrugën e vet! E populli vazhdon të mbrojë rrugëve pa rrugë të drejtën e tij, për të drejtën për të vendosur ai!

Por pa vendosur dot kurrë, ashtu siç dëshiron!

Maj 2020