Blog

Hajdutët e bashkisë, tenderokratët dhe dallaveraxhinjtë e “Rithemelimit” - Nga Dritan Goxhaj

Ajo që dikur konsiderohej si e turpshme, për fatin tonë të keq, që pas ardhjes së kësaj pseudo-demokracie, që na ka futur në një tranzicion të pafund, ku vlerat janë kthyer në antivlera, sot konsiderohet e domosdoshme.

Në këto vitet e fundit, veçanërisht të qeverisjes nga kjo paçavure që vetëquhet “Rilindje”, është krijuar ideja se shërbimi publik kudo që ai bëhet, në institucionet e qeverisë ose ato të bashkisë nuk është përgjegjësi, por privilegj. Shërbimi publik në këtë Shqipërinë tonë thjesht është kthyer në një rrugë të shpejtë për të bërë para.

Sociologu gjerman Max Weber ka shkruar se “shërbimi publik është një thirrje/vokacion”. Por vokacion/thirrje është diçka që e bën jo për para, është diçka që i dedikohesh seriozisht për të arritur një qëllim që e tejkalon atë të personales.

Dikur askush nuk hynte në shërbimin publik për t’u bërë i pasur ose i famshëm, por thjesht për të bërë një jetë të dinjitetshme duke i shërbyer atdheut ose komunitetit.  Dhe karakteristika kryesore e atyre që duhej dhe normalisht edhe sot duhet të mbushin radhët e shërbimit publik, ishte dhe duhet të jetë integriteti, por integriteti është kulturë dhe jo një manual rregullash.

Ne sot jetojmë në dekadat e një shoqërie liberale dhe Liberalizmi si koncept ka të bëjë i gjithi me individualen. Liberalizmi, që propagandon kjo shoqëria jonë dhe politika që kemi instaluar me ndihmën e ndërkombëtarëve, është ndjekja racionale e autonomisë individuale dhe lirisë financiare, pa marrë parasysh pasojat për të tjerët dhe vetëm me ato kufizime të përcaktuara në mënyrë specifike nga ligjet.

Një ideologji e tillë nuk ka vend për ndershmërinë si koncept, por vetëm për sjelljen. Në një ideologji të tillë individi i punësuar në shërbimin publik nuk pyet çfarë duhet të bëj, por pyet me çfarë do iki prej këtu.

Në një situatë të tillë ndershmëria dhe integriteti bëhen çështje përputhshmërie teknike më shumë sesa çështje primare kulturore dhe morale. Dhe një organizim qoftë ai politik, burokratik, qeveritar ose bashkiak do të funksiononte mbi bazën e integritetit dhe ndershmërisë si norma kulturore dhe morale nëse do të propagandohej si normë morale se “ne këtu nuk e lejojmë dhe nuk e bëjmë korrupsionin dhe vjedhjen”.

Por në një organizim politik si ai i “Rilindjes”, ku edhe në burokracinë qeveritare dhe atë bashkiake mbizotëron mentaliteti i kthyer në normë “kush kapet nuk është pjesë e jona”, tregon se fajin nuk e ka brava, por e gjithë dera.

Kur sheh se si disa drejtorë në bashkinë më të madhe të vendit janë pasuruar me anë të korrupsionit nëpërmjet tenderave, aq sa edhe SPAK-ut i kanë rënë në sy, e kupton se shoqëria në të cilën jetojmë dhe të cilën po na e promovojnë me të madhe si një sukses të liberalizmit modern të tyre, është thjesht një shoqëri e marrë peng nga tenderat dhe ajo është kthyer thjesht një shoqëri e udhëhequr nga tenderokratët, të cilët vijnë në pushtet dhe në shërbimin publik vetëm me qëllimin e pasurimit të ngutshëm duke e kthyer kështu sistemin në të cilin jetojmë nga një Demokraci Liberale në një Tenderokraci Preferenciale.

Dhe në këtë Tenderokracinë tonë kur disa hajdutëve të qeverisë iu shtohen edhe disa hajdutë të qeverisjes vendore, pafuqia e të bërit tok për ta djegur deri në rrënjë sistemin dhe ata që janë brënda tij, thjesht të sjell nëpër mëndje një strofë të poezisë së Ali Asllanit “Hakërrim”:

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Dhe edhe atëherë kur me gjithë forcën e arsyes mundohesh të shohësh pak dritë në fund të një tuneli të errët ku na kanë futur tenderokratët, ta shuan ajo që e konsideron veten si një farë opozitë të vetëquajtur “Rithemelimi”, një term i ngjashëm me “Rilindjen”, që për ineteresa të saj të ngushta dhe në mungesë totale të vlerave morale, vete e bën marëveshje me “Rilindjen” për Ligjin mbi amnistinë dhe pranon të japë votat për ligjin vetëm në rast se në njërin nen të këtij ligji të përfitojnë aministi të gjithë ata të kapur në korrupsion nga drejtësia që nuk kanë mbajtur ose mbajnë detyra të larta.

D.m.th. të gjithë nga zv/drejtorë e poshtë që kanë vjedhur para në xhepat tanë publikë, këtej  e mbrapa nuk do të dënohen më, e mund të vjedhin sa të duan, pasi “Rithemelimi” ua ka garantuar aktivitetin korruptiv, në emër të Tenderokracisë Preferenciale.

Dhe sërish rrjedhën e mendimeve e mbyll Ali Asllani:

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

© Dritan Goxhaj