Kolumnist

Çdo e keqe, thonë e ka një të mirë - Nga Taulant Dedja

Nuk ndihem krenar tek shoh fotot e skenave të djeshme te SHQUP-i, por nuk është se kam ndonjë ndjenjë turpi, sepse skena të ngjashme pamë jo më larg se një vit më parë, bash mu në zemër të kryeqytetit të shtetit që adoptoi ambasadoren Kim. Madje shefi i saj Blin-ken më duket qesharak, kur ironizon hyrjen e ushtrisë ruse në Kazakistan dhe harron sa vite qëndroi në Afganistan ushtria e vendit të tij, e si ia mbathi prej andej me turp.

Shkurt, kam një ndjenjë dyzimi, nuk jam dakord me dhunën, por mendoj se ngjarja e djeshme i solli një shërbim të madh opinionit publik të shëndoshë (jo atyre të listës "Tirana papers") dhe kthjellimit të ideve për të gjithë ata që duan një Shqipëri normale, ku jeta e përditshme të mos varet nga fakti se për cilën parti voton dhe ku vota të mos shitet e blihet me lekë.

Ngjarjet e djeshme, përtej skenave të trishta, konfirmuan se deri ku ka arritur bashkëpunimi dhe shërbimi i Lulzim Bashës ndaj kreut të krimit të organizuar në Shqipëri, kryeministrit mafiozo-enverist Edi Rama. Ngjarjet e djeshme provuan përfundimisht se Aleanca e Gazit dhe Grupi Lulgrida nuk janë gjë tjetër veçse një seksion i bandës "rilindase" të betonit dhe shpërfytyrimit të Tiranës Rama-Veliaj.

Në situatën aktuale që do ta krahahasoja me shprehjen "fundi i pusit", apo më keq s'ka ku të shkojë, edhe pse thuajse 100% e mediave i shërbejnë qeverisë mafioze, përsëri besoj që shpresa vdes e fundit.

Në Shqipëri ka energji të mjaftueshme dhe potenciale për të sjellë ndryshimin dhe për t'u ndarë me të shkuarën, që nuk ka lidhje as me moshën as me emra të përveçëm. E shkuara mbi të gjitha është metodë, sjellje dhe mënyrë të vepruari. Më shumë se askush sot të shkuarën e simbolizon Tandemi i zi Rama-Basha, që dukshëm kanë zgjedhur devizën "pas meje le të bëhet kiameti"!

©Taulant Dedja