Kolumnist

Diaspora dhe miti i rikthimit - Nga Jeta Dedja

Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të flisja për Shqipërinë kaq shumë sa kam folur këto vite në Kanada. Është e sigurt se me çdo joshqiptar që kam ndërvepruar kam treguar diçka mbi vendin tim. Ka qenë e pashmangshme. Shoqëria ime në universitetin McGill, përfshirë dhe profesorët, e kanë tashmë në planet e tyre vizitën në Shqipëri. I kam paralajmëruar edhe për të metat e turizmit shqiptar.

Të jesh emigrant, sidomos i brezit të parë, edhe pse me të drejta të plota qytetarie në vendin e huaj ku je ngulur, do të thotë të mbartësh përgjithmonë një ndjenjë përkatësie të dyfishtë. Ti tashmë prezantohesh si shqiptaro-kanadez. Dita-ditës në përditshmëri ndjen atë shkëputjen nga realiteti shqiptar ndërkohë që bëhesh pjesë e sistemit kanadez. Nëse e lë proçesin të rrjedhë në gjendje të lirë, pas shumë vitesh ajo lidhja me atdheun do të dobësohet dhe ti do ndihesh i huaj në vendin ku ke lindur e je rritur, por njëkohësisht ti nuk do ndihesh as kanadez sepse ka një boshllëk kujtimesh të shkuara që i mungojnë plotësimit të identitetit tënd të ri. Dhe nëse nuk e lë proçesin e integrimit të të çojë drejt asimilimit atëherë identiteti yt prej shqiptaro-kanadezi do të zhvillohet i shëndetshëm, por për këtë do të kërkojë angazhime të vazhdueshme publike, personale e pse jo dhe institucionale.

Në këtë shkrim unë do të flas për ndjenjën e përkatësisë si një nevojë më e gjerë se ajo individuale. Do përpiqem të listoj mënyrat se si e përmbushin shqiptarët e Kanadasë nevojën për të mbajtur lidhjet shpirtërore me vendin amë, ndërkohë që një nevojë paralele për përkatësi shfaqet si ajo për t’u bërë pjesë integrale e sistemeve (eko-socio-kulturor-politik-etj.,) të vendit adoptues.

Në fillimet e tyre, një pjesë e emigrantëve mendonin për një shpërngulje të përkohëshme me moton “duke parë e duke bërë” dhe se një ditë ndoshta mund të ktheheshin në atdhe, atje ku balta më e ëmbël se mjalta. Por me kalimin e kohës, ndërkohë që integrimi në kulturën e vendit pritës kishte filluar, për pjesën më të madhe mendimi i rikthimit u shndërrua në dëshirë e më tej në mit, sidomos në vendet si Kanadaja ku proçesi i marrjes së shtetësisë ishte më i lehtë.

Miti i rikthimit është një nga më interesantët mes diasporave të çdo vendi. Miti i rikthimit nuk ka lidhje vetëm me idenë e rikthimit fizikisht në vendin tënd të origjinës, por edhe me rikthimin kulturalisht, mbajtjen e lidhjeve me traditat e zakonet. Ekzistenca e tij ushqehet nga ndjenja e përkatësisë, identitetit kombëtar dhe lidhja e fortë shpirtërore e emigrantëve me atdheun, por njëkohësisht edhe nga ndryshimet në stilin e jetës së tyre.

Emigrantët shqiptarë në Kanada kanë dëshmuar se janë të aftë të përshtaten me shpejtësi me stilin e jetës së vendit ku janë natyralizuar, por njëkohësisht të ruajnë identitetin e tyre përmes gjuhës, traditave e zakoneve, për më tepër që Kanadaja respekton me ligj multikulturalizmin. Sigurisht ka shqiptarë që kanë preferuar asimilimin si një mënyrë integrimi dhe që nuk deklarojnë as vendlindjen ose gjuhën e tyre amtare kur plotësojnë biografitë e tyre. Për këta identiteti dhe ndjenja e përkatësisë si nevojë psikologjike i është nënshtruar fuzionit me një nevojë tjetër më imediate, ose është kapërcyer me vetëdije të plotë për të kaluar në plotësim nevojash të tjera.

Si rikthehen shqiptarët e Kanadasë në rrënjët e tyre dhe si e dëshmojnë ata përkatësinë etnike?

Bazuar në vëzhgimet e mia me pjesëmarrje, por edhe në disa intervista individuale dhe grupe fokusi, rezultojnë tri mënyra rikthimi në rrënjë: përmes angazhimeve dhe pranisë publike, institucionale dhe asaj private.

Në grupimin e parë përfshihet një numër i madh dhe i larmishëm organizimesh të cilat vlejnë të përmenden si për shembull: pjesëmarrja në aktivitete komunitare për të festuar në gjuhën amtare. Është bërë traditë që shqiptarët të organizojnë darka festive me rastin e festave të Nëntorit, Vitit të Ri, 8-Marsit, apo Festave fetare. Organizatorët synojnë të sjellin artistë nga Shqipëria. Ushqimet e pijet nuk mund t’i sigurojnë të traditës, por ka patur raste përpjekjeje të mira për ta bërë edhe këtë gjë.

Gjithashtu hapja e klasave të gjuhës shqipe kudo ku ka shoqata duke siguruar trashëgiminë e gjuhës dhe kulturës shqipe është një formë e pranisë publike të diasporës.

Do të përmend këtu të tjera organizime publike që kanë synuar edukimin dhe argëtimin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare me kulturën e vendit të origjinës duke ushqyer edhe atë ndjenjën e njohur që shoqëron një pjesë të mirë të shqiptarëve “Jam krenar që jam shqiptar” si: Koncerti jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë në Toronto; Koncerte-spektakël me artistë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, apo me artistë shqiptarë me banim në Kanada; Kori i fëmijëve shqiptarë “Marlee’s Got Talent” dhe Ansambli i valleve “Shqiponjat e vogla” në Toronto; Shfaqjet e herëpashershme të filmave apo dokumentarëve shqiptarë; Hapja e ekspozitave të artit figurativ me autorë shqiptaro-kanadezë në disa qytete të mëdha; Aktivitete promovimi librash të krijuesve shqiptaro-kanadezë apo paraqitje e profilit të tyre krijues; Interpretimi i veprave të kompozitorëve shqiptarë nga orkestra kanadeze falë kontributit të instrumentistëve, dirigjentëve apo drejtorëve artistikë shqiptaro-kanadezë; Vendosja e monumentit të Shenjtores Nënë Tereza në një shesh publik në Montréal; Pjesëmarrja në aktivitete multikulturore të organizuara nga bashki të ndryshme kanadeze ku shoqatat përkatëse përmes formave të larmishme kanë bërë të mundur që shoqëria kanadeze të njihet me elementë të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.

Të bashkuarit rreth shoqatave me anëtarësi të bazuar në përkatësi etnie është një tjetër formë e shfaqjeve publike. Në 7 provinca të Kanadasë ka të paktën një shoqatë shqiptarësh, të cilët mundohen ta bëjnë të njohur komunitetin e tyre në nivel province duke marrë pjesë në aktivitetet multikulturore.

Prania në media është një tjetër formë publike që prezanton kulturën shqiptare në nivel kombëtar në Kanada. Duke u regjistruar në aktivitete provinciale e federale media si “Flas Shqip”, “Radio e Diel”, “Pasqyra Shqiptare”, bëjnë të mundur njohjen dhe promovimin e diasporës shqiptare në Kanada.

Media sociale është një formë publike e rikthimit në rrënjë e shumëpërhapur dhe e përdorur nga shumica e shqiptarëve të diasporës për të vendosur e mbajtur kontakte me zhvillimet në atdhe, të rejat nga jeta e miqve dhe të afërmve të tyre si dhe për të shprehur mendimet e ndjenjat për tema të ndryshme, për të shpërndarë momente kujtimesh nga e shkuara dhe çaste nga e tashmja, si dhe krijime letrare e publicistike.

Rikthimi në rrënjë në mënyra institucionale vjen përmes ndërmarrjes së studimeve akademike me objekt çështje të kulturës, politikës, shoqërisë e historisë shqiptare në universitetet e vendit ku ata kanë emigruar. Personalisht në studimet e mia në McGill University kam shkruar për izolimin social të të moshuarve shqiptarë në Kanada me synim përmirësimin e shërbimeve për këtë komunitet, ndërkohë që mikja ime Sasha Lleshaj, doktorante po në McGill është duke eksploruar trashëgiminë komuniste në art dhe kulturë.

Dhe së fundi, forma private të rikthimit në rrënjë përfshijnë vizita turistike në atdhe, për të kaluar pushime me familjarët e miqtë. Blerje të produkteve shqiptare ushqimore për t’i përdorur në receta gatimi shqiptare apo jo. Identiteti kultural shprehet edhe përmes dekorimit të shtëpisë me simbole e krijime artistike shqiptare, statuja të vogla alabastre të Skënderbeut e Nënë Terezës, lahuta, flamuj, jelekë të qendisur, kostume popullore, qilima, pjata me pamje qytetesh, libra e piktura autorësh të njohur shqiptarë. Madje edhe në raste sëmundjesh shqiptarët sjellin në bisedë çajrat e maleve dhe praktikat popullore të shërimit.

Pra, duket se shqiptarët e diasporës edhe pse jetojnë larg atdheut, gjejnë mënyra të ndryshme të kenë një copëz mëmëdhe me vete, duke mbajtur lidhje shpirtërore, sociale, e kulturore me vendin e origjinës. Përmes këtyre mënyrave publike, private apo institucionale, ushqejnë dhe mbajnë në nivele të shëndetshme ndjenjën e përkatësisë kulturore në një shoqëri multikulturore. 

© JetaDedja/Flasshqip.ca