Kulturë

Botohet libri i Vangjush Zikos ‘Moikom Zeqo, Centauri i Poezisë Moderne’

  • Published in Kulturë

Poeti Vangjush Ziko, njëherazi shqipërues i lirikëve më të mëdhenj rusë, vjen para lexuesve me një libër të ri, kësaj radhe në zhanrin e analizës dhe kritikës letrare. Shkrimtari i mirënjohur korçar, prej vitesh me banim në Mississauga të Ontarios, ka përmbledhur në një botim të vetëm një seri shkrimesh të viteve të fundit që i dedikohen veprës poetike të Moikom Zeqos, një emri tjetër mjaft të njohur të publicistikës dhe letrave shqipe. Përmbledhja e Zikos titullohet ‘Moikom Zeqo, Centauri i Poezise Moderne’.

Ja si shprehet vetë Vangjush Ziko për librin e tij

‘Në këtë libër mblodha shkrimet e mia mbi kozmologjinë poetike të poetit Moikom Zeqo, të shkruara gjatë këtyre dy viteve të fundit.

Të shkruash për këtë krijimtari, sigurisht, nuk është gjë e lehtë.

Poezia e Moikomit është një model i paparë më parë në poezinë tonë. Ajo ka sjellë jo vetëm një tematikë krejt të re. Por, mbi të gjitha, një koncept krejt të ri modern mbi krijimtarinë poetike.

Është shekulli kur poezia botërore po ecën krahas me një realitet, një koncept dhe perceptim krejt të ri mbi realitetin.

Horizonte të reja i janë hapur letërsisë dhe botëkuptimit filozofik gjatë më shumë se një shekulli.

Teori të reja kanë lindur mbi botën që na rrethon dhe realitetin, siç janë mekanika kuantike dhe teoria e relativitetit. Veprimet dhe mendimet e reja ndikojnë dhe tek ne.

Sot bëhet fjalë për trurin dhe ndërgjegjen kuantike, për një psikologji të re, e cila e shikon Njeriun si kuant të sistemit universal. Si një qenie e ndërvarur me mjedisin në të cilin jeton.

Që në fillim të shekullit të kaluar filloi procesi i rishikimit dhe modernizimit të krijimtarisë letrare me James Joyce, Borges dhe me korifejtë e poezisë botërore Whitman, Eliot. Rilke, me futuristët dhe rrymat moderne dhe postmoderne.

Nga shkrimtarët tanë të ditëve tona është në avangardë poeti ynë Moikom Zeqo. Krijimtaria e tij ka sjellë një risi të paparë në poezinë tonë.

Risia e tij ka të bëjë me procesin e perceptimit dhe të mishërimit konceptual të realitetit dhe me “rimagnetizimin” e figurave artistike, të metaforës dhe të alegorisë. Ai arrin të krijojë figura të plota dhe të pandara midis subjektit dhe objektit, midis tokësores dhe universales, duke arritur një pasqyrim kompleks të përmbajtjes të procesit të mendimit dhe po aq të stërholluar të perceptimit artistik.

Poezia e Moikomit kërkon, jo vetëm një lexues të ri, të vemendshëm por edhe të mirëpërgatitur kulturalisht. Këtë lexues do ta përgatisë vetë krijimtarie dhe filozofia e tij krijuese.

Unë u përpoqa me modesti dhe pëkushtim ta komentoj dhe interpretoj kozmogoninë poetike të Moikom Zeqos. Do të jem i kënaqur në qoftë se do të kem arritur diçka të vyer për Ju.’

©Flasshqip.ca