Histori

Kush ishin Akejtë? - Nga Sulejman Mato

Shumica e studiuesve të veprave homerike janë marrë me gjurmime rreth trojanëve dhe vendbanimit të tyre, por askush nuk është marrë me gjurmime rreth Akejve dhe vendndodhjes së tyre. Kush ishin Akejtë që sulmuan Trojën? Ku i kishin trojet? Nga cili qytet u nisën për të shkuar në Trojë?

Sipas dëshmive të shkrimtarëve antikë, akejtë u nisën për në Trojë nga limani i Aulidës, nga ku dhe Agamemnoni, në mënyre hileqare, kinse sakrifikoi vajzën e tij, Ifigjeninë, duke e djegur në turrën e druve. Vetëm nisja e anijeve dihet, por jo vendndodhja, as vendmbërritja e anijeve, as qyteti i tyre, nuk përmendet askund. Pse ka ndodhur kjo gjë?

Sepse askush nuk na ka dhënë dëshmi për vend-ndodhjen e tyre. Do pritej viti 1871. Ishte Shlimani ai i cili jo pak, por dymijë vjet më vonë nga kjo ngjarje, do përcaktonte vend-ndodhjen e Trojës dhe Tyrinthin si qytetin e Akejve… Është e cuditshme se përse asnjë autor grek nuk e përmend vendndodhjen e mbretërisë Akease. Përse ka ndodhur kjo shurdhëri? Mos vallë   historitë që përshkruhen në “Iliadë” dhe aventurat e Odiseut nëpër dete janë histori të trilluara e më pas të legjendarizuara?

Unë mendoj se ekzistojnë të dy mundësitë, duhet të jenë dhe histori dhe trillime artistike. Sipas shpjegimit të enciklopedisë greke Akheaoio është emri që marrin “popuj të ndryshëm të antikitetit”. Pra, Akeas ishte një emër kolektiv, që përdorej për t’iu referuar të gjithë grekëve të dy poemave homerike, “Iliada” dhe “Odiseu”.

Përveç këtij emri, grekët e lashtë përmenden dhe me emrat “Danaitë” dhe “Argivë”. Akejtë shfaqen në “Bibël” me emrin “Akaiko”. Në periudhën para homerike, viti 1800 para erës së re, Akejtë ishin një popull indoeuropian, një nga kolonët e parë që mbërritën në këtë gadishull. Sipas përshkrimeve homerike, Akeasit ishin një popull që vinte nga ishujt e Kretës, Rodosit dhe ishuj të tjerë, veç ishujve të Cikladës. Ata i përkasin kulturës mikenase që u zhvillua në shekujt 14 dhe 13 para erës së re. Disa arkeologë bashkëkohorë mendojnë që Akejtë kanë ekzistuar në Peloponez. Kjo gjë dëshmohet me Lidhjen Akease, shekulli i tretë para erës së re. Dëshmi janë qytetet shtete të këtij rajoni që formuan një konfederatë e quajtur Lidhja Akease.

Qendrat e tyre duhet të kenë qenë Mikena, Argos dhe Tyrinthi. Duke iu referuar një dëshmie që, në shekullin 14 para erës së re pushtuan Kretën në mënyrë paqësore, mendohet që Akeasit të kenë qenë një popullsi ekspansive dhe e civilizuar. Hyjnia e tyre më e rëndësishme ishte Poti, ose Potejdoni, perëndia e deteve. Mund të nxjerrim një konkluzion që ishin popuj detarë.

Siç e kam përmendur dhe një herë tjetër, emrat  “grek”  “graikos”  dhe “helen”, ishin emrat e   pasardhesit  të Deokalionit dhe Pirras, të vetmit  që  i mbijetuan  përmbytjes Këto janë disa të dhëna për Akejtë, por ka dhe mendime kundërshtuese që argumentojnë se Akejtë nuk kanë  hyrë në Greqi para se Athina të pushtohej nga fiset dorike… Pra, duke venë në dyshim kush ishin Atridët dhe  kohën kur  zbritën   në këto troje, vetvetiu na lind dyshimi dhe për vendndodhjen e Trojës… Për më tepër, marr guximin të dyshoj dhe për lidhjet e tyre fqinjësore dhe farefisnore. Duhet të kenë qene një fis hitit i quajtur Ahhiaya. Eshtë gjendur një letër, dokument i parë i shkruar nga mbreti hitit Tavagalava, shek 14-13 para erës së re, ku përmendet një fis hitit i quajtur “Ahhiya”, i cili kishte amiqësi me qytetin Wilusa, qyteti i cili sipas Shlimanit, është Ilioni.

Në qoftë se identifikojmë fisin “Ahhiya” me “Akeit”, atëherë ngjarjet te “Iliada” do t’i quajmë si një luftë midis dy fiseve në brigjet e Anadollit.

© Sulejman Mato