Histori

“Testimonium Flavianum”: Kronisti i fillimit të Kristianizmit - Nga Luan Rama

Kur flitet mbi dëshmitë historike për atë çka ndodhi në fundin e epokës para erës sonë dhe fillimin e erës sonë, pra në kapërcyellin para dhe pas Jezu Krishtit apo në fillimin e viteve të para të epokës sonë, nga dëshmitë e rralla të shkruara, në mos të vetmet, mbeten shënimet dhe librat e Flavius Jozef, e këtij gjenerali hebre në kohën e luftrave romake në Judé dhe Galileun e Izraelit të sotëm. Nga gjeneral ai u kthye në rob dhe nga rob në një nga kronistët e vetëm të kësaj periudhe. Flavius Jozef është një emër hibrid, pasi mbiemrit të tij Jozef i është shtuar dhe emri Titus Flavius. Titus do t’i vihej në kujtim të emrit të gjeneralit romak Titus, i cili e mori në mbrojtje dhe kur Titus u kthye në Romë, ai kërkoi të shkonte me të, por ndërkohë strategu romak u bë Perandor.

Cili ishte Flavius Jozef? Nga vinte ai?

Emrin e Flavius Jozef e kisha dëgjuar disa vjet më parë nga një mikja ime shqiptare gjatë një udhëtimi në Golan dhe Cesaré të Izraelit, e cila më përmendi disa të dhëna të kronistit të famshëm. Më vonë, kureshtar për dëshmitë e vjetra të tij, meqë dhe kjo vepër konsiderohej si “Ungjilli i pestë”, librat e tij i gjeta në një bibliotekë të vjetër pariziane. Dhe padyshim çdo lexues befasohet që ky kronist ishte i vetmi në botë që na ka lënë dëshmi për atë ç’kishte ndodhur në tokën e Izraelit gjatë gati dy shekujve, nga viti 100 p.e.s. deri në vitin 74 të erës sonë. Lumturisht, duke qenë kronist i kohës që jetoi Jozef ka shkruar dhe për prejardhjen e tij dhe mbi jetën e familjes e tribusë së tij. Ai rridhte nga tribuja Levy, një nga tributë dhe familjet me emër të Izraelit. Kush e njeh historinë e Izraelit të vjetër e di se ky vend përbëhej nga disa tribu, të cilat trashëgonin nga gjenerata në gjeneratë tradicionin biblik hebraik. Dhe kjo traditë ishte vetë Testamenti i Vjetër, meqë fjala Bibël, Biblio, u krijua më vonë, atëherë kur Bibla hebraike u shkrua në gjuhën greke, (Septante), nga priftërinjtë hebrenj në Aleksandri.

Jozef, i biri i Mathias

Tribuja Levy ishte një tribu që i ishte përkushtuar fesë hebraike, një familje e madhe priftërinjsh në Jeruzalem. I ati i Jozefit quhej Mathias. Në librat e tij do të shkruhej: “Unë Jozef, i biri i Mathias, prift i Jeruzalemit…” Ai lindi në vitin 37 të erës sonë, kohë kur patriarkët e parë të Krishtërimit përcaktuan përafërisht dhe kohën e kryqëzimit të Jezu Krishtit. Flavius ishte një i ri mjaft inteligjent dhe që i vogël kishte mësuar madje të lexonte dhe në gjuhën e vjetër hebraike, që ishte gjuha aramene me të cilën ishin shkruar shumë nga librat e vjetër fetarë, ku tregohej lindja e njerëzimit, historia e tempujve të Izraelit dhe mërgimit të tyre. Që në rini ai studioi librat themeltarë të judaizmit si Torah etj. Atëherë Judeja dhe Galileu ishin nën drejtimin e “prokuratorëve” romakë, këtyre përfaqësuesve të perandorëve të Romës kur në Romë atë kohë mbretëronte i famshmi perandori Klod (Claude).

Në atë periudhë, në Izrael ekzistonin tri nga korentet kryesore të fesë së judaizmit: sadysienët (disi aristokratë) esenienët dhe farisejtë, nga të cilët siç dihet, këta të fundit na lanë dhe “Dorëshkrimet e Detit të Vdekur” meqë jetonin larg Jeruzalemit në shkretërirën e Kumranit. Ata ishin dhe më të varfërit dhe jetonin në një shoqëri utopike të barabartë mes njëri-tjetrit. Jozefi i kushtonte përparësi farisejve, pasi ata ishin grupimi më i madh i hebrenjve dhe nuk ishin konservatorë, siç ishin sadysienët.

Historia e jetës së Jozefit është e veçantë, pasi ai ndoqi një prift të quajtur Banus, i cili e kishte braktisur Jeruzalemin dhe kishte shkuar në shkretëtirë. Atje shkoi dhe Jozefi të bënte atë që kishte bërë më parë dhe Gjon Pagëzori, apo në një farë mënyre dhe Jezu Krishti. Në atë kohë edhe Siria ishte një provincë romake e drejtuar nga një guvernator i quajtur Quirinius. Jozefi ndënji tre vjet në shkretëtirë dhe pastaj u kthye në Jeruzalem pranë sektit të tij. Në vitin 64, në moshën 25 vjeçare, siç na dëshmon në librat e tij, ai u nis në Romë, të ndihmonte priftërinjtë hebrenj që ishin larguar nga Izraeli por që keqtrajtoheshin në rrethinat e Romës dhe të kërkonte lirimin e tyre. Siç shkruan në veprën e tij Vita (Autobiografia), ai kishte ndërhyrë për këtë madje dhe pranë gruas së Neronit, perandoreshës Poppé (Lollia Poppiaea) dhe ia kishte arritur qëllimit me zgjuarsinë e tij. Në fakt, asaj sapo i kishte vdekur vajza që kishte me Neronin dhe atë kohë kishte filluar të besonte në tregimet e vjetra hebraike se shpirti jetonte edhe pas vdekjes. Dhe ajo, siç shkruan dhe historiani Patrick Banon në studimin e tij Flavius Josephe, - pranoi ta ndihmonte, ndërkohë që Neroni ishte në fillim të çmendurisë së tij.

Në vitin 67, kur ishte kthyer nga Roma, ishte tashmë një luftëtar i regjur, aq sa kishte fituar dhe gradën gjeneral. Krerët në Jeruzalem e shihnin atë si interlokutorin më të mirë me hebrejtë e Romës. Madje ai u ngarkua që të drejtonte ushtrinë e hebrenjve në zonën e Galileut dhe të Golanit, për të sprapsur legjionet romake që po afroheshin me shpejtësi dhe që donin t’i ripushtonin tashmë tokat kryengritëse. Disa kryengritje kishin ndodhur në ato kohë kundër prokuratorëve romakë, të cilët merrnin taksa të mëdha për llogari të Romës. Shumë prej kryengritjeve ishin shtypur në gjak, por hebrenjtë më së fundi kishin arritur ta çlironin Jeruzalemin dhe Judenë. Edhe kur guvernatori i Sirisë, Cestius Gallus, kishte marshuar drejt Jeruzalemit, hebrenjtë e kishin sprapsur. Por sprapsja e tre legjioneve romake tashmë ishte një detyrë gati e pamundur, edhe pse Jozef kishte grumbulluar një ushtri të vogël mbrojtja dhe fitorja ishte e pamundur para 60 mijë luftëtarëve romakë të sprovuar në luftra dhe 350 kalorësve. Ai mendonte që më mirë të priste sesa të sulmonte, pasi e dinte se cilët ishin ata që po vinin drejt Judesë.

Kjo pritje bëri që populli në hipodrom të revoltohej kundër tij dhe madje, siç shkruan Jozef, ata arritën ta lidhin dhe ta burgosin. Por në sajë të fjalës së tij, ai arriti t’i bindë dhe të bëhej sërish komandanti i tyre. Gjenerali i ri u mundua t’u bënte ballë romakëve nga zona e Galileut, gjersa më së fundi u tërhoq në një kështjellë të qytetit të Jafapata. Përballë tij ishin tashmë dy gjeneralë të shquar romakë, Vespanien dhe biri i tij, Titus. Ishte perandori Neron që i kishte dërguar ata të mposhtnin me çdo kusht hebrenjtë kryengritës dhe në mos të rrafshonin gjithçka në tokën e Izraelit.

Gjenerali që ra rob

Jozefi e përshkruan me imtësi atë çka ndodhi gjatë kësaj lufte. Atëherë hebrenjtë ishin të përçarë: disa që donin të rezistonin me çdo kusht dhe të tjerë, më të arësyeshëm, që të pranonin kushtet e një bashkëjetese me Perandorinë e Romës, e cila kishte ushtrinë më të madhe të botës. Jozefi e kuptoi se ishte e pamundur të përballohej kjo ushtri, edhe pse për një kohë të gjatë ai luftoi në disa fronte kundër tyre gjersa u mbyll në kështjellën e Jafapata-s. Por romakët arritën t’i çajnë muret e kështjellës dhe të futen në rrugët e brendëshme duke mbjellur vdekjen. Kjo kishte ndodhur në 20 korrik të vitit 67.

Brenda në kështjellë luftohej trup më trup. Më së fundi, bashkë me 40 luftëtarë ai arriti të strukej në një shpellë të fshehtë të kështjellës. Pikërisht aty, meqë luftëtarët hebrej nuk donin të dorëzoheshin, Jozefi u tha se një natë më parë kishte parë një ëndërr dhe se Zoti i kishte pëshpëritur që meqë s’duhej të dorëzoheshin por të vrisnin veten, ata të hidhnin një short për vetvrasjen që do të bënin, që shoku të vriste shokun e tij sipas rradhës. Dhe ashtu do të bëhej. Më së fundi, siç shkruan Jozef, ata mbetën vetëm dy: ai dhe një luftëtar tjetër. Atëherë Jozefi e bindi atë se ishte e kotë të vrisnin njëri-tjetrin. Përballë tyre kishte vetëm dy alternativa: ose të luftonin ende dhe vdisnin si heronj, ose të pranonin të bëheshin robër të tyre. Zakoni i romakëve ishte atëherë që gjeneralët robër t’i çonin në Romë, si trofe lufte.

Gjatë më shumë se dy viteve, romakët e mbajtën rob në radhët e ushtrisë së tyre, në fillim të lidhur me zinxhirë, duke ndjekur legjionet romake. Kështu, i lidhur me hekura, ai do të hynte dhe në qytetin e Cesare-së (siç e kishte quajtur themeluesi i tij mbreti Herod), që atë kohë popullohej nga shumë hebrenj por dhe nga paganë. Siç do të përshkruajë Jozefi më vonë për këtë betejë, atje u bë një masakër e vërtetë: “Në më pak se një orë ata therën 20 mijë hebrenj dhe në qytet nuk u pa më këmbë hebreu… paganët shpëtuan”.

Jozefi përshkruan dhe hyrjen e Vespanienit në Cesaré, ku pas tij, shkonte dhe ai i lidhur me hekura. Gjithë turma klithte: “Vdekje! Vdekje!”... Por Vespanieni nuk e dëgjoi kërkesën e turmës dhe nuk e vrau gjeneralin hebre madje më vonë, ata ia hoqën hekurat dhe e lanë që ai të mbante me vete dhe një grua në kampin ushtarak të Cesaré-së, atje ku Herodi, para fillimit të epokës së re, kishte ndërtuar Tempullin e Augustit të Romës, një amfiteatër gjigant si dhe një hipodrom të jashtëzakonshëm.

Thyerja e hebrenjve në Jafapata dhe në Cesaré ishte ndjerë thellë nga hebrenjtë në Jeruzalem. Ata e dinin tashmë se gjenerali i tyre Jozef kishte pranuar të ishte më mirë rob se sa të vritej. Vallë mos ishte vënë në shërbim të tyre. I ati i Jozefit e kishte vuajtur shumë dorëzimin e të birit. Ai kishte dashur që më mirë i biri të vritej, e megjithatë, krerët e Jeruzalemit e hodhën në burg si babain e një ish-gjenerali, që po u shërbente romakëve. Ndërkohë, në 9 qershor të vitit 68, Neroni i tmerrshëm kishte vrarë veten në periferi të Romës. Vespanieni e dërgoi të birin e tij, Titus, që të shkonte në Romë për të përgëzuar perandorin e ri Othon. Por rrugës, ai u njoftua se perandori i ri papritmas kishte vdekur dhe kështu, Titus mori rrugën e kthimit drejt Judesë, duke u bashkuar me ushtrinë romake ndërkohë që dhe perandori i ri Vitalus u ekzekutua dhe u tërhoq zvarrë nga turma në rrugët e Romës..

Djegia e Jeruzalemit

Viti 69 ishte një nga vitet më të përgjakshme në historinë e popullit hebre dhe veçanërisht të kësaj epoke kur Vespanieni u thirr në Romë dhe pak kohë më vonë ai do të shpallej perandor, ndërkohë që Titus, në krye të asaj ushtrie gjigante, marshonte tashmë drejt Jeruzalemit. Më së fundi ushtrisë romake i mbetej që të mposhtë Jeruzalemin dhe kështjellën e famshme të Masada-s, buzë brigjeve të Detit të Vdekur, ku historia do të na flasë dhe për pallatet e “nderura” të Herodit, mbretit të Izraelit. Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi i gjeneralit hebre dhe zgjuarsia e tij, njohja e gjuhëve dhe terrenit, e kishin bërë për vete gjeneralin Titus. Madje ai e bindi atë se çdo rezistencë e hebrenjve ishte e kotë përballë një ushtrie të tmerrshme, siç ishte ajo romake, e pajisur me mekanizmat më moderne të kohës për pushtimin e kështjellave.

Masakrat e njëpasnjëshme që po bëheshin atë kohë, veçse kishin fshirë nga dheu farën e hebrenjve në shumë nga krahinat e Izraelit. Prognoza ishte mjaft tragjike dhe këtë gjenerali hebre e kuptonte fare mirë. Gjithçka paralajmëronte fundin e tragjedisë së Izraelit. Ja pse Jozefi pranoi më së fundi idenë se duke rezistuar, populli hebre do të përshkohej i gjithi nga shpata. Pra ai duhej shpëtuar. Çdo rezistencë ishte një vetëvrasje.

Beteja e Jeruzalemit ishte një nga betejat më të përgjakëshme dhe më të dhimbshmet, të përshkruara nga ai. Ç’ndodhi në Jeruzalem, në qytetin ku ai ishte rritur dhe që pritej të shkrumbohej? Ç’ndodhi në atë qytet që filloi të vuante nga uria, ku kufomat e të vdekurve i hidhnin nga rrëpirat drejt pushtuesve?... I bindur se ata do ta masakronin gjithë Jeruzalemin e mbyllur brenda portave të tij, i bindur se romakët do të shkatërronin Tempullin e famshëm (Tempullin e II të ndërtuar nga Herodi), të cilit i faleshin gjithë hebrenjtë, Jozefi shkoi t’u bënte thirrje bashkëqytetarëve të vet që të dorëzoheshin, se çdo rezistencë ishte vetvrasje. Por ai u prit me gurë. Një nga gurët e qëlloi dhe ai ra pa ndjenja. Madje hebrenjtë mbrojtës deshën ta rrëmbenin trupin e tij, por falë vigjilencës së romakëve ata e shpëtuan. Pas një beteje të tmerrshme e të gjatë, më në fundi Jozefi hyri bashkë me romakët në portat e para të qytetin që u pushtua. Tashmë dhe Tempulli ishte pushtuar. Kishin mbetur vetëm tre kulla, ku ishin mbyllur ata që bënin rezistencën më të madhe.

Me të hyrë në qytet, Jozefi kërkoi familjen e tij. Në shtëpi ai gjeti vetëm një nga vëllezërit. Babai kishte vdekur në burg. Tashmë atje dergjej dhe nëna e tij. Dhimbja e tij ishte e madhe. Ai përshkruan takimin me nënën, e cila ishte e pushtuar nga një ndjenjë e dyfishtë: e gëzuar që po rigjente gjallë të birin, por dhe e trishtuar që ai kishte pranuar të ishte rob i romakëve. Ajo nuk ia kishte falur aktin që kishte bërë. Jozefi arriti t’u japë atyre lirinë, ashtu si dhe mjaft miqve të afërt të tij. Por tashmë masakra ishte kryer. Jeruzalemi digjej e shkrumbohej. Tempulli, i vetmi vend kulti për hebrenjtë rrënohej nga flakët. Tempull për hebrenjtë nuk do të kishte më. Hebrenjtë iknin nga të mundnin. Djegia e Jeruzalemit ishte fillimi i një ekzili të madh, i një mërgimi që do të vazhdonte dekada me radhë por Tempulli do të jetonte në zemrat e të gjithë hebrenjve ashtu siç e kishin parë, midis flakëve. “Jeruzalemi u bë shkrumb dhe u mbush nga kufomat”, - do të shkruante më pas Jozef në librat e tij. – “Një shkretëtirë e ç’populluar!”

Mërgimi pa kthim

Jozefi e la atdheun e vet në moshën 33 vjeçare dhe ai s’do të kthehej më në Izrael. Por gjithë jetën ky njeri do të jetonte me historinë e popullit të tij, me fenë e tij në zemër, me tregimet e vjetra në Torah dhe zjarrin që përpinte Tempullin e madh. Kur Jeruzalemi ra, Titus organizoi një festë gladiatorësh. Ai e ftoi Jozefin që ta shoqëronte atë në Romë dhe Jozefi e ndoqi, pasi nuk kishte rrugë tjetër. Pasi rivendosën pushtetin e tyre, legjionet romake u nisën drejt Sinait dhe Egjiptit. Jozefi zgjodhi këtë rrugë pasi donte të shkonte në Aleksandri meqë gruaja e tij ishte nga Aleksandria.

Në librat e tij, ai përshkruan hyrjen triumfale të gjeneralit Titus në Romë dhe rrugën që bënë drejt Kapitolit. Megjithatë, një kështjellë kishte mbetur ende pa u mposhtur në Judé: kjo ishte Masada ku një grup luftëtarësh ishin mbyllur në atë kështjellë të pamposhtur. Por dhe për atë kështjellë, Titus kishte lënë disa legjione për ta pushtuar. Këtë pushtim na e përshkruan kronisti Jozef, pasi vetëm ai e ka shkruar këtë histori të paimagjinueshme dhe nga më tragjiket e popullit hebre ku pas shtatë muajsh në rrethim ata u vetësakrifikuan të gjithë. Vetëm kur viziton Masadën në cep të shkretëtirës ku fortesa e lashtë sheh mbi Detin e Vdekur, kur shikon ato kthina ku ishin mbledhur burra, gra e fëmijë, atëherë e kupton më së miri rezistencën tragjike të një populli si populli hebre.

Që kur erdhi në Romë, perandori Vespanien nuk e la Jozefin të jetonte në lagjen e hebrejve, të cilët trajtoheshin keq nga qytetarët romakë. Së pari, ai i dha qytetarinë romake: pra ai u quajt Titus Flavius Jozef. Më pas, perandori i lidhi një pension për të jetuar dhe i kërkoi të shkruante historinë e luftrave romake në Judé, meqë ai e dinte gjuhën romake si një romak i vërtetë. Titus ishte lidhur tashmë me historinë e hebrenjve jo vetëm nga lufta që kishte bërë, por dhe nga ana intime: gjatë luftës ai kishte rrëmbyer dhe ishte dashuruar me një grua hebreje të quajtur Berenice. Në vitin 75, ai e mori atë në mënyrë të hapur në pallatin e tij, edhe pse shumë fisnikë romakë ishin kundër kësaj lidhjeje.

Gjatë mbretërimit të Titus, të cilën na e përshkruan Flavius Jozef, ndodhën tre ngjarje të mëdha: shpërthimi i Vezuvit, djegia e një pjese të Romës gjatë tri ditë e netëve dhe epidemia e kolerës. Titus u bë perandor pas mbretërimit të atit të tij, Vespanien, por ai mbretëroi pak, pasi vdiq i ri në moshën 41 vjeçare. Në vend të tij, në fron do të hipte i vëllai, Domitien. Në Romë, statusi i hebrenjve nuk kishte ndryshuar. Sipas “status civilatis”, hebrenjtë ishin lënë të lirë të praktikonin ritet e tyre, sipas asaj të drejte që quhej “religio licita”. Po në Romë, ai filloi të frekuentonte dhe të krishterët e parë, ithtarët e Jezusë, ata që romakët i quanin të dyshimtë dhe të rrezikshëm, duke i cilësuar “christiani”.

Jozef Tit-Livi grek

Flavius Jozef jetoi 30 vjet në Romë dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai shkroi kronikat e përjetuara gjatë luftrave romake në Judé si dhe ato çka ndodhën në Romë. Në atë kohë në Romë ekzistonte një lagje e madhe hebrenjsh, të cilët Pompeu i kishte sjellë shumë kohë më parë si të burgosur, kur pushtoi Jeruzalemin në vitin 60 p.e.s. Tashmë në qytet jetonin 40 mijë hebrenj dhe komuniteti ishte shtuar. Në fillim Jozef shkroi në gjuhën aramene, por meqë e pa se përdorimi i kësaj gjuhe ishte i pakët, ai rifilloi të shkruante në gjuhën romake. Libri i tij “Luftrat” është dëshmia më e pakrahasueshme ndër veprat e asaj kohe, por edhe libri tjetër “Antikitetet hebraike” mbi historinë biblike hebraike, çka është nga dëshmitë më të mëdha historike të kësaj periudhe.

Në fakt, edhe pse kujton të kaluarën e largët dhe tregimet e vjetra, ai më shumë përqëndrohet në kohën moderne, pra kohën e Herodit, ardhjen e romakëve për herë të parë në Judé, mbretërimin e Herodit dhe birit të tij, duke ngritur lart heronjtë e popullit hebre. Pra, ai i bën një lloj himni historisë së popullit të tij edhe pse nga disa, për një kohë të gjatë ai do të cilësohej si tradhëtar. Ja pse dhe Shën Jeronimi e cilëson atë “Tit-Livi grek”, apo siç e shkruan shenjti i ndritur, “Graecus Livius”. Në veprat e tij, Flavius Jozef jep të dhëna të çmuara për historiografinë e asaj periudhe, mbi luftrat, popullatat, zhvillimin ekonomik, ritet etj. Në kapitullin për ngjarjet e mbretërimit në Tiberé, (Tiberiada), siç shkruan ai, gjatë kësaj kohe Ponce Pilate ishte guvernatori i Judesë.

“Vëllai i Jezusë që u quajt Krisht”

Vepra e Flavius Jozef ka një histori të jashtëzakonëshme dhe në raport me Krishterimin, dhe kjo për arësye të disa të dhënave kyçe që na çojnë në ekzistencën e vërtetë të një njeriu të quajtur Jezu Krisht. Duke shkruar për numërimin e popullsisë hebreje të urdhëruar nga guvernatori romak i Sirisë, Quirinius, ai na jep një të dhënë që përkon me atë që pohon Shën Luka në Ungjillin e tij, i cili pikërisht në këtë periudhë e vendos dhe kohën e lindjes së Jezusë. Ai shkruan për mizoritë e Herodit dhe kujton me simpati predikimet e Gjon Pagëzorit kundër dënimit, që një prift sadysien i bën Jakut, “vëllait të Jezusë që u quajt Krisht” (dhe historianët e sotëm e kanë zbuluar varrin e Jakut, çka përkon me këtë të dhënë historike).

Pikërisht kjo thënie, e shkruar në atë kohë, është një nga provat më të pakundërshtueshme të ekzistencës së Jezu Krishtit. Ja pse historianët e mëvonshëm të Krishtërimit i referohen gjithnjë asaj që ata e quajnë “Testimonium Flavianum”. “Në këtë kohë, shkruan Jozef, - u shfaq dhe Jezu, ky njeri i mençur nëse do të quhej njeri, pasi ai bënte mrekullira dhe ishte një prijës i njerëzve që e presin të vërtetën me gëzim. Ai bëri pas vetes shumë hebrenj dhe grekë. Ishte Krishti. Dhe kur me denoncimin e bashkëqytetarëve tanë, Pilati e dënoi me kryqëzim, ata që e kishin dashur në fillim, nuk rreshtën ta donin, sepse ai u ringjall dhe iu rishfaq atyre tre ditë më pas. Profetët e shenjtë e kishin njoftuar këtë me kohë, ashtu si dhe mijëra mrekulli të tjera. Dhe grupi që e ndoqi, ai i kristianëve, ende nuk është zhdukur”. Ky pasazh është një nga kontributet e tjera të Flavius Jozef në historinë e botës kristiane.

Vallë a e ka shkruar këtë vetë dora e Flavius Jozef apo siç përpiqet të thotë ndonjë historian, i cili ngre hipotezën se kjo është shtuar më vonë nga një dorë e huaj, pas vdekjes së Jozefit, veçanërisht nga krerët e fesë kristiane? Por asgjë nuk e vërteton këtë hipotezë… Në fakt, Eusebe i Cesare-së, i shekullit të IV, është i pari autor kristian që përmend “Testimonium Flavianum”. Ai na thotë se “një shkrimtar hebre, që nga ajo kohë, në një nga shkrimet e tij ka shkruar gjëra të tilla për shpëtimtarin tonë”, çka mbështet tezën se pikërisht Jozefi ka shkruar për hebreun Jezu Krisht.

Historiani i quajtur “Hebreu i Romës”

Veç jetëshkrimit të tij, Vita (Autobiografia), Flavius Jozef na ka lënë nga dora e tij dhe veprën e tij të madhe që përbëhet nga “Luftrat e Judesë”, (7 libra), “Antikitetet hebraike”, (20 libra), veprën “Kundër Apionit”, (2 libra), etj., i ndihmuar nga botuesi i tij Epafrodi. Vepra e tij pati një jehonë të madhe veçanërisht kur u forcua Kisha Katolike dhe kur ungjijtë e katër apostujve, që përbëjnë dhe thelbin e Testamentit të Ri, i cili iu bashkangjit Testamentit të Vjetër, (atij hebraik), duke u bërë Libri i Shenjtë për të krishterët e mbarë botës.

Shekuj me rradhë librat e Flavius Jozef gjendeshin në shtëpitë e njerëzve. Botimi i tyre ishte i parreshtur, pasi ai kishte po aq rëndësi sa dhe librat e Kishës. Njerëzit e quanin atë “hebreu i Romës”, për të cilin shkrimtari gjerman Feutwanger shkroi dhe një trilogji romaneske. Ai nuk e mohoi asnjëherë besimin e tij edhe pse u bë qytetar i Romës. Vepra e tij u përkthye në greqisht nga kisha kristiane për nevojat e saj dhe më pas në gjuhë të ndryshme të botës. Ai pra mund të konsiderohet dhe si një historian i madh, pasi pa librat e tij ne nuk do ta njihnim historinë e Judesë, nuk do të dinim se çfarë ndodhi realisht në këtë rajon të nxehtë të botës. Ai jo vetëm që na bën lidhjen midis Testamentit të Vjetër dhe Testamentit të Ri, por na shfaqet si një tregimtar i mrekullueshëm i mbretërisë së Herodit, i luftrave të Romës, (viti 66-73), që përfundojnë me djegien e Tempullit në vitin 70 dhe që do të përvijohet më pas me rënien e Masada-s.

Si historian, ai ishte njëkohësisht dëshmitari i vetëm okular i asaj epoke dhe bashkëluftëtar i hebrenjve kundër Romës. Neroni, pasardhësit e tij dhe prokuratorët romakë, mendonin se hebrenjtë kishin lindur që t’u shërbenin, meqë ata u kishin shërbyer edhe babilonasve, edhe persëve, grekëve të Aleksandrit, etj. “A nuk kishin qenë ata skllevër në Egjipt?” - thonin ata.

Pas vdekjes së Flavius Jozefit, datë që përkon dhe me shkatërrimin total të Tempullit, në Jeruzalem u vendos legjioni i famshëm romak “Legio Decima Freteusis”, një legjion që mbolli tmerrin midis hebrenjve të pambrojtur të cilët filluan të largohen në masë nga Judea dhe Galileu. Në rrënojat e Jeruzalemit, mbreti Hadrien ndërtoi më vonë “Aelia Capitolina” dhe hebrenjve iu ndalua të vinin në Jeruzalem. Mbreti Hadrien arriti ta bashkojë Sirinë me Jude-në dhe ta quajë atë Siria-Palestina.

Hebrenjtë thuajse u shfarosën. Madje dhe njëmijë vjet më vonë, pas dyndjeve arabe dhe luftrave të tmerrshme të tyre me kryqëtarët dhe tempullarët e kryqëzatave të para për çlirimin e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem. Në vitin 1167, udhëtari hebre Benjamin de Tudele që vizitoi Tokën e Shenjtë përshkruan gjendjen e mjerueshme të hebrenjve që kanë mundur të jetojnë atje. Ai shkruante: “Në Antioche 10 familje hebrenjsh; në Gebal, 200 hebrenj; në Bejrut, 50 hebrenj; në Sido, rreth 20; në Acre (Shën Joani i Akrës), 200 hebrenj; në Lod vetëm 30; në Jaffa, 1 hebre, në Tiberiade, 50”…

© Luan Rama