Opinione

Darka e ngjalave - Nga Ilir Gjini

Ne shqiptarët, jemi ndoshta i vetmi popull që në folklorin tonë të pasur i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë një gjysëm amfibi simpatik, ngjalës. Madje, në Myzeqe, ngjala është edhe më e “privilegjuar” pasi këtu i është kushtuar edhe një valle, e vetmja në llojin e vet, “Vallja e ngjalës”. Me lëvizje që imitojnë ngjalën dhe përpjekjet e mëdha të peshkatarëve që duan ta kapin, gjë që nuk është aspak e lehtë… nuk thonë kot “rrëshket si ngjalë”!

Po kaq e rëndësishme është ngjala edhe për politikën shqiptare. Madje politika shqiptare sipas filozofit të madh popull, e ka çarë rrugën e saj me ngjalë në dorë. Pak kohë më parë, dy “vëllezërve” të një gjaku politik, që më pas u bënë armiq të betuar, u mjaftoi një drekë ngjalash për të hedhur pas krahëve gjithë armiqësinë. E hëngrën ngjalën nga dy drejtime të kundërta deri sa u puqën dhe fap si me magji u puthën.

Po s’qe e thënë! Nuk zgjati shumë dhe filloi prapë armiqësia e vjetër. Kaq e madhe u bë kjo armiqësi sa u mbushën sheshet me protestues për të mbrojtur Kushtetutën, një asortiment që nuk figuronte në menynë e drekës më të famshme të historisë sonë politike, e njohur si “Dreka e ngjalave”. Aq seriozisht e kishte presidenti ynë i nderuar këtë kauzë, sa edhe figurave historike si Mic Sokolit e Vojo Kushit iu drejtua për ndihmë!

Të ketë patur vallë bombë në dorë Vojua kur u hodh mbi tank? Apo një ngjalë? Të ketë ndikuar vallë pandemia për një dashuri Rama-Meta në “kohën e kolerës”? Nuk mund të gjej një shpjegim pse presidenti ynë i nderuar, shpejt e shpejt kaloi një ligj si ky i fundit që për shumë juristë e intelektualë është antikushtetues?! Si mundet vallë presidenti të firmosë një ligj që vetëm se ke thyer karantinën edhe pse nuk je i infektuar të rrasin prangat? A mos vallë kemi të bëjmë me një tjetër “drekë ngjalash”, por tani e ngrënë në erësirrën e natës?

A po rrëshket si ngjalë edhe Pallati i drejtesisë?

Brezit të lindur para 90-ës, i kujtohet mirë një skeç i estradës së Fierit ku Luftar Paja, në rolin e “kontrollorit” i bërtiste gruas (sa e dëgjoi gjithë lagja), që t’i binte dosjen se do nisej për një kontroll të befasishëm. Kështu po ndodh edhe sot.

Pas denoncimit për tendera sekretë nga ana e opozitës, u bënë plot tre javë dhe ende nuk kemi dokumentat e tenderit në duar?! A nuk i mjaftonte vetëm një gjysëm ore një oficeri të policisë gjyqësore për të sekuestruar dosjen origjinale? Pse duhej të priste dy javë dhe po nuk i prutë vetë edhe për një javë tjetër do vijmë vetë t’i marrim?!

Kur është shpallur një fitues, dokumentat e tenderit janë kopsitur të gjitha dhe shpallen publikisht. Por deri tani ende s’i kemi parë?! E katandisur “kokoshi një thelë”, pa Gjykatë të Lartë e Kushtetuese, më shumë të skarcuar nga Vettingu, e me të tjerë që presin “ditën e gjykimit”, drejtësia e re po pret me ankth vaksinën anti-korrupsion që po vjen nga USA e BE me programet OPDAT e EULEX.

Mos po rrëshket si ngjalë edhe opozita?

E ndodhur para presionit ndërkombëtar që ia futi “dy këmbët në një këpucë” pas djegies së mandateve dhe e zhveshur nga të gjitha pushtetet, opozita po bën llogaritë e saj pa bujë. Po përpiqet të fitojë simpatinë pupullore përmes denoncimeve dhe këshillave që i jep qeverisë për të lehtësuar ekonominë.

Situata nuk është e lehtë për të, pasi edhe zgjedhjet që do të bëhen vitin tjetër, do të jenë të ndikuara nga pandemia e Covid-19. Para liderit të saj është një Nyje Gordiane që duhet ta zgjidhë!

Dikur Aleksandri i Madh, që të mos dorëzohej si gjithë të tjerët, e preu me shpatë atë. A do të mundet lideri aktual i opozitës t’i këpusë lidhjet e krimit me politikën dhe oligarkët që ngjiten pas pushtetin si miza pas mjaltit? Të shohim…