Blog

Florian Vlashi: Kësaj here, profesor, e kam të pamundur ta korrigjoj gabimin!

E mbaj mend si tani ditën e parë të shkollës në Durrës. Ishte klasa e parë djathtas në hyrje. Jam ulur në bankën e fundit në rreshtin nga dera. Shoku i bankës ishte Edisoni. Unë isha i lumtur atë ditë ndërsa Edi nuk pushonte duke qarë. E shikoja me habi dhe nuk e kuptoja pse qante. Edhe ai më shikonte me habi dhe nuk e kuptonte pse isha i lumtur.

Nga profesorët e violinës, kush më shumë e kush më pak, të gjithë kanë lënë gjurmë tek unë, por nuk e harroj atë që më vuri duart në violinë, Stathi Qehajef. Mësimet me profesor Stathin më kujtohen shumë mirë. Kishte një metodë interesante për të nxitur fëmijët në studim; në mur kishte vënë një tabelë ku, me kuadrate e kryqe, jepte ecurinë e nxënësve çdo ditë si të ishte një garë sportive.
Një ditë ai më pyet "Si e ke ushtrimin?" "Mirë, veç një masë nuk më del..." "Për një masë nuk ka problem" më thotë dhe ma kalon ushtrimin. Atëherë unë, kur merrja ushtrimin e ri, kërkoja masën më të vështirë dhe studioja të gjithë pjesën përveç asaj mase. Në këtë mënyrë fitoja mjaft kohë... deri sa një ditë më thotë me një ton të ftohtë "Për herën tjetër dua të më sjellësh të gjitha masat që ke lënë pa bërë !". Tronditja ime merret me mend. Duhet të studioja të gjitha ato "masat e zeza" të të gjitha pjesëve. Një tmerr! Edhe sot e kësaj dite unë filloj të punoj një vepër gjithmonë nga "masat e zeza". 
Ishte mësimi i parë që më dha ai mbi ndershmërinë në profesion e për sforcimin deri në vuajtje për të realizuar diçka. Atë ditë, për herë të parë, pata parandjenjën se violina do të ishte miku dhe armiku im...

Me prof. Stathin u lidhëm shumë. Im at, që bisedonte shpesh me të për letërsinë dhe shkëmbenin libra, më thoshte se ishte mjaft i kulturuar e fliste shumë gjuhë. Mua, bashkë me dy nxënës të tjerë nga klasa, na mbante shumë afër dhe na thërriste shpesh në shtëpinë e tij. E kalonim shumë mirë dhe, kur iknim, na jepte disa lodra të vogla plastike që për ne ishin mrekullia vetë.

Në vitin tjetër shkollor nuk erdhi më...Na thanë se e kishin arrestuar si agjent...Në një fotografi të madhe ku kishim dalë ne nxënësit me të, fytyrën e tij e prishën me stilolaps. Askush nuk fliste më për të sikur kurrë nuk kish ekzistuar.
Disa vite më pas, duke kaluar nga rruga e gjykatës, ndalon para meje një makinë policie nga ku zbresin dy policë që mbanin nga krahët një njeri. Ishte profesor Stathi. M´u duk krejt i bardhë në fytyrë. Unë mbeta pa lëvizur në mes të rrugës dhe m`u mbushën sytë me lot. 
Pas disa kohësh na thanë se kishte vdekur në burg...
E kujtoj shpesh atë moment para gjykatës. Ishin vetëm disa sekonda. Duhet t’i kisha folur, ta përshëndesja, t´i thoja se e kujtonim shumë apo ta falenderoja për lodrat. Sa mirë do kish qenë për të një fjalë e mirë në ato momente. "Për herën tjetër dua të më sjellësh të gjitha masat që ke lënë pa bërë!"... Kësaj here, profesor, e kam të pamundur ta korrigjoj gabimin.

Kur vij për pushime në Durrës gjithmonë shkoj tek shkolla. Në verë aty thuajse nuk ka njeri. Dëgjohet ndonjë nxënës që studion piano dhe unë, nën tingujt e asaj pianoje të çakorduar, shëtis pa ngut duke u futur në të gjitha sallat, klasat, banjot. Ritmi i hapave të mi dhe jehona e tyre në koridoret bosh kanë diçka ndërmjet misterit dhe melankolisë...
Në fund ndaloj tek banka e klasës së parë. Kanë kaluar mbi 40 vjet dhe unë akoma nuk e kam kuptuar kush kishte pasur të drejtë atë ditë, unë që isha i lumtur apo Edisoni që qante.

Tagged under Florian Vlashi