Blog

Rama para dilemës me Gjushin apo me Trump - Nga Alfons Zeneli

Fjalori i varfër deri në vulgaritet rruge i Vangjush Dakos, çka tregon dhe kufizimet intelektuale e shpirtërore në tërësi të tij, është në një mospërputhje tragjike me staturën dhe rrezatimin e qytetit të dytë më të madh në Shqipëri dhe një prej qyteteve më të vjetër e më me emër në gjithë Mesdheun.

Nëse një studiuesi, sociologu apo historiani do t'i vinin përpara këtë fakt ai zor se do të mund të kuptonte ndonjë gjë nga kjo pamje absurde. Do punë puna që të kuptohet se si arriti puna deri këtu, pra që një qytet të tillë shkelqimtar, bash në shekullin e 21-të, do ta drejtonte një qënie e cila 2000 vjet më parë nuk do pajtohej as si çirak baltëpunuesish.

Kushedi se çfarë konotacioni negativ, të pistë e kutërbues do të kish marrë e bardha akullore për faj të duarve të Gjushit. Lëvizjet e tij rrotulluese, të ngathëta, dëshpëruese në llucën e terrenit ku ishte futur vetë me kokë, ishin pothuajse shumë më të pështira e bajate se sa vetë veprimtaria e tij në dëm të qytetërimit durrsak.

Duke patur parasysh dëshirën dhe tendencën natyrale të çdo butaku malinj për pasuri dhe pushtet, nuk është se na e vret shumë syrin vetë Gjushi. Mua më shumë se gjithçka tjetër më ka shqetësuar mungesa e vëmendjes dhe indiferenca e vetë durrsakëve për veten dhe qytetin e tyre. Mungesa e përgjegjshmërisë për fatin e qytetit dhe fëmijëve duket se i ka çuar banorët në pozicionin më të palakmueshëm të mundshëm.

Normalisht, në gjëndje të lirë, Gjush Dako zor se do mund të punësohej as si recepsionist apo bahçevan në atë Bashki. Por shkathtësia dhe nuhatja prej brejtësi të uritur, duket se i kanë diktuar Gjushit rregullimin e telave apo siç thuhet më kuptueshëm në fjalorin modern të sektit të tyre, ''kopsitjen'' e gjërave me atë të madhin, me ''bablokun'', pra. Si pasojë, Gjushi është piketuar si kryetar Bashkie me iradenë e sulltan ''Mehm’Edit'' për të rënë më pas mbi vlerat e Durresit si ortek gurësh mbi një kopësht botanik. Pra, në këto kushte, durrsakëve iu hyn në punë dhe ajo batuta e vjetër ''Njëthundrak ti, njëthundrak kush t'vuni''.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ''babloku'' i madh e ka mbrojtur me fanatizëm “minibablokun” e akullortë pavarsisht rrebeshit të akuzave të faktuara që kanë rënë mbi kokën e këtij të fundit. Aq sa edhe Balla T. do t'i krijohej përshtypja se diç e thellë luhet në këtë mes. Madje Balla, Ulsi M. dhe Spiropali mund të kishin kuptuar edhe pjesën e dytë të batutës së mësipërme: ''sot a nesër valo druni''.

Pikërisht, ky është dhe thelbi i muhabetit. Amerikanët i kanë vënë vulën ''pijes'' toksike e të skaduar që Rama si dollibash iu kish vënë përpara socialistëve të bindur durrsakë dhe banorëve të Durrësit në tërësi. Amerikanët marin vendime të tilla vetëm kur janë të bindur dhe meqë ra fjala, kur janë ata të bindur, nuk ka më asnjë dyshim, nuk ka “bir kurve” qe ta kontestoje.

Një nga prodhimet prototip të ''ëmbëltores'' së Rilindjes, “akullorja Dako” është shpallur e papërshatshme për konsum. Dyshohet mbi baza të qarta se Dako të gjithë trupin, kokë e këmbë përveç duarve, i ka të zhytura në korrupsion dhe veprimtari mafioze. Baba Rama i teqesë mavi të Surrelit deri para pak javësh, në gjëndje ekstaze vazhdonte të kembëngulte në pastërtinë e Gjushit. Tani, pasi DSH e ka shpallur “nongrata”, nuk di se si do ta komentojë Rama atë deklaratën e vet se Gjushi do të kujtohet me mall e respekt nga durrsakët, apo deklarata të tjera sub-elokuente mbi personalitetin e Dakos.

Po atëherë, çfarë dreqin ka Departamenti i Shtetit që dërdëllis kundër Gjushit? Të jete dhe Departamenti i Shtetit anëtar i frontit të së keqes qe ka si qëllim të pengojë integrimin dhe reformën në drejtësi? WTF?

Rama, në vazhdën e natyrës së vet mbase do detyrohet t'i kthehet edhe njëherë qëndrimit të vet të mëparshëm lidhur me ''turpin'' Trump. Se Trump nuk mund të ketë gjë personale me Gjushiun. Vetëm nëse është bërë xheloz dhe e konsideron si konkurent për punë pasurie.