Blog

Tirana e kujtimeve të mia - Nga David Shkurti

Nga: David Shkurti

Unë kam lindur në Tiranë. Kam banuar diku mes rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit, në një pikë ku Skënderbeut ia bëja me dorë. Qendrën e Tiranës, atë që kishte shatërvan në mes nuk e mbaj mend mirë, por mbaj mend kohët e fundit që ishte e prishur dhe pastaj u bë me parkim poshtë, i shihja punimet nga ballkoni. Në fakt ishte e bezdisshme të banoje aty. Sidomos me trafikun e rënduar, mitingjet apo koncerte që zgjasnin deri vonë.

Kur dikush na pyeste ku banoni, prindërit thoshin diku përballë me ish-kinema Republikën. Unë nuk kisha parë ndonjëherë kinema aty, përveç një lokali ku pihej kafe e hahej ndonjë picë e më vonë teneqeve që na pengonin kalimin për tek tregu Çam. U bëra kurioz një ditë dhe i pyeta prindërit. Pse thoni ish-kinema Republika?

“Sepse ka qenë këtu tek ky pallati që po ndërtohet. Ca kohë e mbajtën kinema para se të lindje ti dhe i vunë emrin "Millenium", pastaj e çuan aty ku ndodhet tani, tek ish-Pallati i Pionerëve". Hahaha…ja na doli sërish një gjë tjetër me Ish.

Por nuk ishte vetëm ky rast që dëgjoja shprehjen "ka qenë këtu" për shumë ndërtesa, sidomos për kinematë. Çdo vendndodhje tregohej me ish, ish, ish.

Ish-kinema "17 Nëntori" e mësova kur shkoja ndonjëherë tek Conad dhe "Mon Amour" për torta. Ish-kinema "Dajti" kur dilja nga Myslym Shyri, shëtisnim vëllain me karrocë. Ish-kinema Partizanin kur shkoja për nga daja në Ali Dem, kur i binim nga Pazari i Ri, dhe pasi kalonim urën e ATSH (kush e di dhe kjo do jetë prishur) kishim përballë ish-kinema Ali Demin. Kinemaja nuk ishte më.

Dhe meqë jemi te kjo zonë, kujtoj se dikur hanim pizza me dajen te "Pirro Mani" që mua më kishin thënë se kishte qenë shtëpia e një regjisori të madh me të njëjtin emër si restoranti. Po kur u rrita pak më shumë nuk haja më dot pizza atje, se ishte prishur shtëpia, dhe ishte ndërtuar një pallat me Sophie Caffe poshtë. Kush e di sa para ka fituar ai regjisori!

Kur ktheheshim për në shtëpi, shëtisnim pak tek pedonalja e Galerisë së Arteve, aty ku u rrëzova njëherë se më rrëshqiti sandalja tek një pllakë e lëmuar.

Një ditë të diele shkova në teatër, se mami më ka mbushur mendjen se unë kam talent për aktrim, dhe prandaj duhet të ndjek regullisht shfaqje. Hajt mo, i bëj qejfin mamit. Po jepej një shfaqje për fëmijë. Isha bashkë me shoqen time Besean dhe Henrin, vëllain tim të vogël. Teatri quhej eksperimental dhe salla u mbush plot. Me thënë të drejtën nuk më pëlqeu, kisha parë shfaqje më të bukura tek Metropolitani, kjo ishte shfaqje moderne me ca ketrushë këngëtarë, pak si për beba. Por teatri si sallë më pëlqeu. I shëtisja sytë gjithandej dhe kënaqesha, ishte dhe pastër.

Shkova edhe në tualet gjatë shfaqjes, gjasme se nuk më bëhej asgjë, por doja të shikoja ça kishte tjetër aty. Kur mbaroi shfaqja, pasi dolëm nga dera e teatrit u kthyem djathtas dhe ecëm pak e u kthyem sërish djathtas të shkonim tek Teatri tjetër që të blinte mami biletat për një shfaqje. I blemë tek holli, jo tek dera. Ishte një grua shumë e sjellshme që më pyeti mua a të pëlqen Teatri? Unë nuk e dëgjova herën e parë se po shihja fotografitë në mure. E kam këtë problem që hutohem pak.

Dje mora vesh se ky teatri ku blinte mami biletat ishte prishur. I pashë ca video dhe fotografi në internet. Pashë policë me armë dhe njerëz që qanin. Mami më shpjegoi pastaj ç'a kishte ndodhur. Më erdhi shumë keq. Tani njerëzit do thonë ish-Teatri kur të tregojnë diçka. Njëlloj siç thoshin prindërit e mi ish kjo, ish ajo, ish atje.

Unë nuk e di çfarë do të gjej të paprishur nga fëmijëria ime në Tiranë. Po piramida a është më aty? Po 7-xhuxhat ku luaja kur isha më i vogël? Po Muzeu i Shkencave ku shkoja për të parë kafshët e balsamosura? Po gjimnazi “Sami Frashëri” ku unë do të kisha qenë regjistruar këtë shtator në vit të parë? Se harrova, po TEG-un e kanë prishur ? Se edhe atje shkoja shpesh.

Kur të vij nga Kanadaja për në vendlindje, unë kam frikë se nuk do e njoh Tiranën nëse atje do shemben gjërat me rradhë. Më duket se do më duhet edhe mua të flas me ish këtu e ish atje, kur t’u bëj guidë turistike shokëve të mi kanadezë.  

18 Maj 2020

©FlasShqip.ca