Blog

Forma e re e katarsisit komunist - Nga Shaban Murati

Është interesant dhe komik njëkohësisht, fenomeni shqiptar që disa ish-Sekretarë të Parë të Komiteteve të Partisë së Punës në rrethe, (alias Enver Hoxhat e rretheve), me ndryshimin e regjimeve shpikën një formë të re për të bërë katarsisin e tyre ideologjik dhe politik: shkuan të jetojnë në qytete të mëdha si Tirana dhe Durrësi, u paraqitën si shkrimtarë dhe nisën të merren me letërsi. Nisën të kërrejnë bejte dhe kujtime të luftës partizane të katundit nga ikën dhe me maskën e re të shkrimtarit dolën në skenë me fytyra të reja.

Nxjerrja e librave me bejte dhe me kujtime partizane të katundit ishte forma e re e katarsisit të ish-Sekretarëve të Parë të Komiteteve të Partisë në rrethe për të pastruar shpirtin dhe për t’u përshtatur sipas modës së re politike. Mirëpo sëmundja e pushtetit brenda tyre u rishfaq prapë dhe me ndihmën e lobeve të partisë mëmë, arrivizmin e tyre të ri e realizuan duke u bërë kryetarë NGO-s dhe shoqatash, dhe madje pretenduan të shpallen “Qytetar Nderi” në Tiranë dhe në Durrës, ku erdhën si kolonë.

Duhet pranuar se patën sukses, sepse larg katundit të tyre të skërkave nuk ua njeh njeri biografinë as në Tiranë e as në Durrës. Emri i ri i shkrimtarit u krijoi atyre strehë të rehatshm, pa dhënë fare llogari as për arrestimet e pafundme të Sigurimit të Shtetit, të cilat si rregull i firmoste në rrethe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë.

Ja si përdhoset në Shqipëri edhe letërsia, edhe demokracia.

© Shaban Murati