Andej-Këtej

Miniatura siçiliane: Kjo harmoni mes qiellit, detit dhe tokës - Nga Enver Robelli

Një javë në një ishull italian - përtej klisheve mbi mafian dhe pjatat e mbushura me pasta. Gjurmëve të Johann Wolfgang von Goethes, nën hijen e bukur të vullkanit Etna, mes historisë së lashtë, rrugicave që përfundojnë në det dhe peshkatarëve që sillen si aktorë teatri

1. JOHANN WOLFGANG VON GOETHE NË SIÇILI

Paraditen e 29 marsit të vitit 1787, shkrimtari gjerman Johann Wolfgang von Goethe e kaloi me padurim në Napoli, herë pranë detit, herë në restorant. Goethe po priste nisjen e anijes për në Siçili. Pasi kishte udhëtuar gjithandej nëpër Itali, tani një anije e prodhuar në Amerikë do ta çonte në ishullin e madh italian. Pas një lundrimi katërditor, anija, nganjëherë e shoqëruar nga delfinët dhe nga trazimi i detit, u ankorua në portin e Palermos.

Këtë qytet, kryesorin e Siçilisë, është lehtë ta rrokësh me sy e vështirë ta njohësh, ishte i bindur Goethe. Por atij nuk i mungonte kureshtja. Është udhëtimi i tij vendimtar, shtegtimi që i ndihmon të rilindë si artist, pasi i është mërzitur jeta në oborrin e qeverisë në Weimar ku punonte si jurist. Në Palermo zbulon pastërtinë e vijave, butësinë e tërësisë, harmoninë mes qiellit, detit dhe tokës. Kërkon dhe vendos kontakte me vendasit. Një dyqanxhiu i tregon se në Napoli e bartin bërllokun me gomarë, ndërsa në Palermo çdo gjë përfundon në rrugë. Këtë vërejtje dyqanxhiu e merr me humor. Ai thotë se çfarë gjuajmë nga dritarja kalbet në rrugë.

Kopshtet publike e dehin Goethen me bukurinë e tyre, gjithkund sheh limonë, oleandër, lule të çelura që i ngjajnë karafilit, lisa të panjohur, një gjelbërim “që ne nuk e njohim”. Në Palermo Goethe takoi një maltez, i cili kur e mori vesh që turisti është gjerman, e pyeti për qytetin e Erfurtit, ku kishte kaluar një kohë të bukur. Pastaj u interesua për Weimarin dhe për atë burrin, “emrin e të cilit e kam harruar, është autori i Wertherit”. Pas një pauze të shkurtër Goethe u përgjigj: “Personi për të cilin më pyetët jam unë!” I habitur, maltezi tha: “Me siguri shumë gjëra kanë ndryshuar”. “Oh po”, tha Goethe, “mes Weimarit dhe Palermos kam përjetuar disa ndryshime”.

Me romanin “Vuajtjet e Wertherit të ri” (botuar më 1774) Goethe kishte arritur një sukses sensacional dhe ishte bërë i njohur në pothuaj mbarë Evropën. Ky roman mbi një dashuri të pamundur trazoi mijëra njerëz dhe numri i vetëvrasjeve u shtua. Në literaturë edhe sot njihet “efekti Werther”.

2. PALERMO

“Palermo”, shkruante Johann Wolfgang von Goethe, “është joshës, është qyteti me vendndodhjen më të bukur në botë… në një luginë të mrekullueshme mes dy deteve, mes arave me limona dhe kopshteve me portokaj… aq e përkryer”.

Aq e përkryer? S’mund të thuhet.

Po, Palermo vazhdon të jetë qytet i bukur. Por për të qenë qytet i përkryer i mungon një gjë: pastërtia! Ky bërllok në çdo kënd e çdo rrugë! Aty-këtu një duhmë aq jo sharmante.

Por Palermo di të tërheqë vizitorët me hire të tjera. Me një shkujdesje simpatike ndaj jetës. Me lehtësinë e të jetuarit. Me shijimin e çastit dhe jo vuajtjen e projektuar pas dhjetë apo njëzet vjetëve.

Në një libër me këshilla për turistë shkruhej se duhet pasur kujdes nga vjedhësit. Afër Quattro Canti, katërkëndëshit të famshëm të Palermos, një perlë e barokut, një mbrëmje nisën të piskasin me dhjetëra njerëz në drejtim të një çiklisti. Dikur, pas shumë përpjekjesh e zërash, çiklisti u ndal dhe u kthye pas. Një njeri ia dorëzoi kuletën që i kishte rënë ndërsa po i jepte biçikletës. Fuqia e paragjykimeve është e madhe, aq më i madh mësimi kur e sheh drejtpërdrejt shembjen e paragjykimeve.

Në “Grand Hotel et des Palmes” Richard Wagneri kompozoi “Parsifalin”. Këtu, në Palermo, dikur përjetohej jo një tollovi veturash, por një rrëmujë fantastike ngjyrash dhe aromash. Këtu, në Palermo (dhe gjetiu në Siçili), vizitori mund të shohë me habi lumturuese se si dikur ekzistonte harmonia mes krishterimit dhe islamit: shihet kjo te ndërtimet e shumta. Nga këtu gjithçka duket afër, bregdeti i Tunizisë 200 kilometra, Tripoli i Libisë 600 kilometra. Në Libi dhe Etiopi, Italia në të kaluarën është hedhur në aventura kolonialiste. Gjurmët e sundimit shihen ende aty-këtu në stilin e ndërtimit në këto vende afrikane.

“Panormos”, “krejt port”, kështu e quanin fenikasit në shekullin e tetë para Krishtit qytetin që shtrihej në Conca d’Oro, në fushën e artë të Palermos. Fenikasit e bënë Palermon ndër portet më të rëndësishme të Mesdheut. Arabët e bënë emirat të pavarur me 300 xhami. Pastaj e vazhduan normanët, duke ndërtuar në stilin arabo-norman. Pas tyre spanjollët. Dikur u bë pjesë e Italisë, përkundër tendencave për t’u pavarësuar.

Një vend për të kaluar disa orë në Palermo është Mercato del Capo, rrethuar me peshk të sapogjuajtur, pemë, perime, erëza, stofra e gjësende të tjera. Dhe me shitës që më shumë duken aktorë teatri.

3. SHARMI I ZI I CATANIA-S

Catania i njeh tragjeditë sepse jeton nën hijen e Etnës, vullkanit ende aktiv. Catania mund të quhet një qytet i lindur nën tymrat dhe lavën e Etnës. Më 1669 shpërthimi i vullkanit e shndërroi Catanian dhe rrethinën në arenë apokalipsi. Sikur kjo të mos mjaftonte, çfarë mbeti nga qyteti u shkatërrua më 1693 nga tërmeti.

Në shekullin e 19-të arkitekti Giovanni Battista Vaccarini nisi rindërtimin e qytetit sipas shembujve të barokut romak. Sheshe të gjera dhe rrugë të gjata dominojnë qytetin. Via Etna, rruga më e famshme e qytetit, është e hapur për shëtitës, veturat nuk kanë vend këtu. Guri i zi vullkanik është përdorur për ndërtime, andaj Catania quhet edhe qytet me sharm të zi - dhe ky nuk është përshkrim negativ.

Rreth 300 mijë banorë jetojnë në Catania. Mes tyre edhe disa myslimanë nga Azia e vendet arabe. Dyqanet e tyre të shumta me artikuj ushqimorë e pije bartin emra si “Bismilah” apo “Mollah Salim”. Shefat e shitoreve të tilla rëndom kanë në ballë një shenjë (“mallungë”), dëshmi e qartë kjo se janë besimtarë dhe se shenja në ballë u është krijuar nga prekja e dyshemesë gjatë lutjeve pesë herë në ditë. Derisa kolovitet, i lodhur nga Ramazani, njëri nga shitësit lavdëron cilësinë e verës së Etnës, birrës nga Mesina dhe sallamin e derrave gazmorë siçilianë. Të gjitha këto në emër të të gjithëfuqishmit. Dhe biznesit. Pragmatizëm!

Nëse nga Piazza del Duomo zbrisni disa hapa drejt tregut të peshkut, do të keni përballë një skenë teatrore: peshkatarë me përparëse prej gome dhe me çizme po ashtu prej gome bërtasin nga fundi i barkut duke lavdëruar cilësinë e peshqve të zënë, të cilët shkëlqejnë me ngjyrën e argjendtë apo lehtësisht të kuqe. Biri më i famshëm i Catanias është Vincenzo Bellini (1801-1835), autor i operës tragjike “Norma”, e cila ia ka dhënë emrin edhe një gatese tipike siçiliane me pasta. Në fund të rrugës Etna gjenden dy kafene të famshme (Spinella dhe Savia), aty ku katanezët blejnë ëmbëlsira prej më shumë se 100 vjetësh. Akullorebërësit më të famshëm të Catania-s nuk vinin nga Tetova apo Gostivari, por nga bjeshkët e Zvicrës. Familja Caviezel këtu është ndër më të njohurat.

4. AMERIKANËT DHE BRITANIKËT SOLLËN LIRINË

Në janar të vitit 1943 në Casablanca (Kazablankë) të Marokut u takuan fshehurazi presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt dhe kryeministri britanik Winston Churchill. Për 10 ditë me radhë ata diskutuan mbi strategjinë që duhet ndjekur për të mposhtur Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë, të ashtuquajturat Fuqi të Boshtit. Churchill ishte pragmatik dhe këmbëngulte që së pari të dobësohej Italia, pastaj Gjermania. Amerikanët insistonin të goditej direkt Gjermania naziste duke zbarkuar në Normandi.

Në fund triumfoi argumentimi britanik dhe në verën e vitit 1943 trupat amerikane, britanike dhe të aleatëve të tjerë zbarkuan në Siçili. Nga atje nisën marshimin drejt veriut. Zbarkimi në Normadi do të ndodhte në qershor 1944, tani që aleatët kundër Adolf Hitlerit kishin bërë përgatitjet e duhura. Gjermanët nuk arritën të kuptonin se në Casablanca po zhvillohej një takim i rëndësishëm i kundërshtarëve të Hitlerit. Në komunikimet e tyre pjesëmarrësit e përkthenin Casablanca-n si Shtëpia e Bardhë, andaj gjermanët besonin se takimi do të mbahej apo po mbahej në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Afër stacionit të trenit në Catania gjendet një muze, i cili e dokumenton zbarkimin e amerikanëve dhe britanikëve në Sicili në vitin 1943. Përmes instalimeve multimediale, artefakteve, fotografive, hartave, “Museo Storico dello Sbarco” ndriçon një kapitull të rëndësishëm të historisë së Sicilisë.

5. NË PULLAZIN E SIÇILISË

Kur banorët e Catania-s (ose turistët) e harrojnë malin gjigant përballë qytetit, mali kujdeset që me tym, hi dhe guralecë (e nganjëherë me llavë) të tregojë se është këtu. Mali gjigant quhet Etna, pullazi i Siçilisë, me vullkanin më të lartë (3357 metra mbi nivelin e detit) dhe më aktiv të Evropës. Etna quhet ndryshe edhe Mongibello, mali i bukur. Toka rreth Etnës është shumë pjellore, bujqit në këto vise vjelin mandarina, pjeshkë, bajame, fiq, fëstëkë, ullinj, rrush, lajthi, gështenja. Shqiponja dhe zogj të tjerë grabitqarë bëjnë garë se kush do të zotërojë më shumë qiellin mbi vullkan. Në njërën nga ditët e para të prillit gryka e vullkanit nxirrte tym, prej të cilit mrekullisht formoheshin rrathë në qiell. Një lojë spektakolare e natyrës!

Si të shkohet afër kraterit aktiv të vullkanit? Nga qyteti i Catania-s me autobus deri te Rifugio Sapienza. Nga aty me teleferik. Pastaj prapë me një automjet që është një kombinim mes autobusit, kamionit dhe tankut. Pjesën e fundit duhet kaluar në këmbë. Falë një sistemi të paralajmërimit të hershëm nga shpërthimi eventual i vullkanit, rreziku nuk është tepër i madh për vizitorët. Ka njerëz të guximshëm që jetojnë pranë Etnës. Temperatura e llavës sillet rreth 1000 gradë celsius. Mjafton për të pjekur qebapë. Ose shtalbe. Grekët e lashtë në thellësitë e Etnës e imagjinonin Hefestin, Zotin e zjarrit.

Mbrojtëse e qytetit të Catania-s është shenjtorja Agata. Në vitin 252, një vit pas vdekjes së saj, njerëzit e ndalën llavën me shaminë e Agatës. Më 1669 nuk bëri punë Agata. Valët e llavës mbuluan pjesën më të madhe të Catania-s, vranë mijëra njerëz dhe depërtuan deri në 700 metra në det. Etna i ka dhuruar Catania-s gurin e zi të llavës me të cilin janë ndërtuar kisha, pallate dhe rrugë. Shpërthimi i fundit më i madh i Etnës ndodhi më 2001, atëbotë lumenjtë e llavës shkatërruan Rifugio Sapienza, përfshirë teleferikun. Më 2004 teleferiku u rindërtua. Dhe që nga atëherë Etna rri urtë. Catania u themelua më 729 para erës së re. Dhe deri vonë në shekullin e 20-të, njerëzit këndej besonin se shpërthimet e vullkanit janë ndëshkim nga Zoti për shkak të mëkateve të pushtetarëve.

6. KUR ARKIMEDI KËRCEU NGA VASKA

Deti përherë i ka dhënë fuqi imagjinatës. Kështu me gjasë ishte edhe atë ditë të largët, shumë të largët të grekëve antikë, të cilët sundonin Sirakuzën e Siçilisë. Në njërën nga ato ditë matematikani Arkimedi u fut në vaskën e mbushur plot me ujë për t’u larë. Kur e pa ujin që dilte nga vaska, Arkimedi zbuloi llogaritjen e vëllimit. Nga gëzimi kërceu nga vaska dhe doli në qytet lakuriq për t’i njoftuar sirakuzianët për zbulimin e tij. “Eureka, eureka” (e gjeta, e gjeta), bërtiti ai nëpër rrugicat e Sirakuzës. Vitruvi, arkitekt dhe matematikan romak, e ka treguar këtë histori dhe ajo është bartur deri në literaturën e ditëve të sotme.

Në kërkim të një jete më të mirë, grekët nga Korinti ia mësynë Sirakuzës më 734 para erës së re. Kushtet në Sirakuza ishin të mira: dy porte të natyrshme, një burim uji të ëmbël dhe tokë pjellore me bollëk. Më 221 para erës së re romakët mposhtën mëvetësinë e Siçilisë lindore dhe pushtuan Sirakuzën. Kur romakët zaptuan qytetin, e gjetën Arkimedin duke vizatur në zall konstruksione gjeometrike. “Mos m’i prish rrathët”, thuhet t’i këtë bërtitur Arkimedi një ushtari romak, i cili nxori shpatën dhe e vrau atë. Në shekullin e 7 të erës së re Sirakuza ishte (663-668) kryeqytet i Perandorisë Bizantine, aty e tutje nuk e arriti më kurrë shkëlqimin e mëhershëm.

Por ka mbetur shumë nga e kaluara e lavdishme. Ndërtesa të bukura epokash të ndryshme, gjurmë antike, një teatër gjigant dhe madhështor dhe kuzhina e shijshme dhe kreative siçiliane. Për kuzhinën e këtyre viseve dhe merakun e siçilianëve për të ngrënë mirë, Platoni i çakërdisur kishte thënë: “Një jetë me plot bankete: dy herë në ditë mbushet barku dhe netët kurrë s’kalohen vetëm”. Në hyrje të qytetit të vjetër Oritigia, gjendet Tempulli i Apollonit, i cili më vonë u bë kishë bizantine, mandej xhami, pastaj kishë normane dhe në fund kazermë. Sirakuza ishte New York-u i kohës antike me 1 milion banorë. Këtu vetëm shikimi rreth e rrotull të krijon një ndjenjë lumturie. Pastaj çapitja nëpër pazar, mes aromave dhe duke shijuar specialitetet e freskëta të shitësve me zë baritoni - asnjë fjalë më shumë…

7. ATY KU NË PRANVERË ÇELIN BAJAMET: NJË DITË NË TAORMINA

Pas dy-tri ditësh në Palermo e Catania çdo vizitori kureshtar ia zë frymën sharmi nihilist i rrugicave, fasadave, infrastrukturës së dy metropoleve të Siçilisë. Shpëtimin njeriu e gjen në Taormina, afër Catania-s. Një orë zgjat udhëtimi me autobus, kryesisht me vullkanin Etna përpara (në anën e majtë), djathtas shkëlqen deti Jon.

Taormina është një qytezë e varur në shpat. “Ejani në shkurt në Siçili dhe nëse realiteti nuk u përgjigjet pikturave të mia, do t’ua heq shpenzimet e udhëtimit”. Këtë premtim të madh e ka dhënë piktori gjerman Otto von Geleng (1843-1939). Nuk është befasi që Otto von Geleng ka vdekur në Taormina, pasi e ka përjetësuar këtë qytet italian në pikturat e tij. Geleng i sfidoi kritikët e artit në Paris, të cilët nuk besonin se në këtë botë ekziston një vend ku në muajin shkurt, para rrënojave të një teatri antik dhe nën majën e mbuluar me borë të një vullkani aktiv, çelin pemët e bajameve.

Taormina është e bukur në prill - po aq sa në shkurt. Hoteli i parë u hap më 1874. Në një ditë në fillim të prillit qyteti gumëzhin nga turistët, hotel pas hoteli, restorant pas restoranti mbajnë portat hapur për ardhës kureshtarë. Pastruesit rrinë gati me fshesë për ta mbajtur të pastër shëtitoren. Kush zë vend në teatrin antik grek me pamje drejt vullkanit të Etnës, s’ka nevojë për shfaqje - sall shikimi është dramë. Një botë mondane - kështu është Taormina.

Buzë qytetit, pranë detit gjendet stacioni i trenit Giardini-Naxos. Këtu dikur vinte treni direkt Londër-Paris-Taormina. E prej trenit zbrisnin mbretërit Edward VII dhe George V, por edhe industrialistë si Krupp, Rothschild dhe Vanderbilt, shkrimtarë si D. H. Lawrence, Guy de Maupassant, John Steinbeck, Oscar Wilde, kompozitorë si Richard Wagner, regjisorë si Ingmar Bergman, Francis Ford Coppola, aktore si Elizabeth Taylor. Herë-herë ata takoheshin në kafenenë “Wunderbar”, një fjalë gjermane që domethënë: mrekulli. Kafeneja ekziston ende. Por bota është bërë pak e barabartë. Tash në kafenenë “Wunderbar” zënë vend edhe ata që nuk janë mbretër. Ka mrekulli përtej mrekullie. Sipër Taormina-s gjendet fshati Castelmola, i cili quhet fole shqiponjash.

8. MAFIA, MEGJITHATË ËSHTË KËTU

Në zemër të Palermos gjendet një muze (“No Mafia Memorial”), në të cilin hyrja është falas. Këtu dokumentohet historia e grupeve kriminale siçiliane, vrasjet spektakolare të politikanëve lokalë, punonjësve të sistemit të drejtësisë, policëve, larjet e hesapeve mes bandave, trishtimi i familjeve të viktimave dhe rezistenca e shoqërisë civile kundër mafias. Në një faqe mali në Palermo dominon parulla “No Mafia”. Ka restorante që njoftojnë se nuk u paguajnë haraç mafiozëve. “Addiopizzo”, “Lamtumirë haraç”, kështu quhet një lëvizje antimafia e themeluar më 2004. Në autostradën mes aeroportit të Palermos dhe qendrës së qytetit një obelisk prej mermeri të kuq përkujton prokurorin Giovanni Falcone, i vrarë më 1992 nga shpërthimi i një bombe të vendosur nën rrugë. Aeroporti i Palermos bart emrin (Giovanni) Falcone dhe (Paolo) Borsellino, ky i fundit ishte gjykatës, po ashtu i vrarë më 1992.

“Politika dhe mafia janë dy fuqi që kontrollojnë territorin e njëjtë: ato ose zhvillojnë luftë kundër njëra-tjetrës ose merren vesh”, kishte thënë Borsellino. Mafia nuk është zhdukur ende në Siçili, por ajo është dukshëm më e dobët se në vitet ‘70 apo ‘80. Shumica e mafiozëve të fuqishëm janë arrestuar ose kanë vdekur ndërkohë, pasardhës të paskrupullt dhe karizmatikë ende nuk janë etabluar. Mes viteve 1990 dhe 2018 janë arrestuar mbi 4000 mafiozë siçilianë. Më 1992 grupi mafioz “Cosa Nostra” vrau në Siçili 152 njerëz, në vitin 2016 asnjë.

9. PESË SHKRIMTARË TË NJOHUR SIÇILIANË TË SHEKULLIT XX

Luigi Pirandello

1. Giuseppe Tomasi di Lampedusa (1896-1957) ka shkruar vetëm një roman. Një po një! “Leopardi”, i botuar më 1958, është romani më i madh bashkëkohor italian. Në këtë vepër Giuseppe Tomasi di Lampedusa përshkruan rënien e një fisi aristokrat siçilian dhe fundin e paralajmëruar të sundimit feudal. Luchino Visconti këtë roman e bëri film, i cili konsiderohet si kryevepër e artit kinematografik.

2. Luigi Pirandello, i lindur më 1867 në Siçili, laureat i “Nobelit” për letërsi (më 1934), është një përshkrues i saktë i dramave njerëzore dhe ndërnjerëzore, i vendimeve të gabuara dhe pasojave të tyre. Me dramën “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, Pirandello e ka thyer ndarjen klasike mes teatrit dhe realitetit.

3. Një nobelist dhe një siçilian tjetër është Salvatore Quasimodo (1901-1968). Subjekti i poezive të tij, që shpesh janë quajtur hermetike, është Siçilia.

4. Leonardo Sciascia, i lindur më 8 janar 1921 në Siçili, nisi të merrej me letërsi kur ishte mësues. U bë i njohur me romanet e tij kriminalistike ku tematizonte rolin e mafias. Sciascia u angazhua edhe në politikë dhe në debatet publike si zë i fuqishëm kundër grupeve mafioze. Vdiq më 1989 në Palermo.

5. Andrea Camilleri (1925-2019) ka qenë shkrimtar, skenarist dhe regjisor. Vepra e tij përfshin një sërë romanesh me tema historike dhe romane kriminalistike ku shpesh rolin kryesor e luan komisari siçilian Salvo Montalbano. Në të gjallë të Camilleri-t në qytetin Agrigento, afër vendlindjes së tij, një bar quhej “Albanese”. Këtu Camilleri gjatë verës linte takime me lexues e shokë. Bari ndërkohë e ka ndërruar emrin, por pronari ende quhet Stefano Albanese. Një pjesë e konsiderueshme e veprave të autorëve të lartpërmendur është përkthyer në gjuhën shqipe.

© Enver Robelli