Njoftime

Së shpejti shërbim aplikimi për dokumente identifikimi shqiptare në Kanada

Pritet të hapet së shpejti zyra e aplikimit për pajisje me pasaporta dhe karta identiteti në ambasadën shqiptare në Kanada.  

Burime nga Ministria e Jashtme shqiptare bëjnë me dije për FlasShqip se pas ngritjes së shqetësimeve të vazhdueshme në media nga ana e diasporës shqiptare në Kanada dhe në vende të tjera, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Brendshme në bashkëpunim me kompaninë e kontraktuar për prodhimin e dokumenteve të identifikimit ALEAT, vendosën hapjen e stacioneve të aplikimit pranë 6 ambasadave shqiptare në botë, midis të tjerash edhe në Ottawa, Kanada.

Tashmë shqiptarët që jetojnë në Kanada nuk do duhet të drejtohen në Konsullatën shqiptare në New York, SHBA për t’u pajisur me një pasaportë ose kartë identiteti apo aq më keq, të detyrohen të shkojnë në Shqipëri. Dërgimi i një operatori prej kompanisë ALEAT në Ottawa në periudha të caktuara kohore do t’u shkurtojë kohë shqiptarëve të Kanadasë dhe lehtësojë shpenzimet gjithashtu.

Lehtësira të tilla do të përfitojnë edhe shqiptarët që jetojnë në Kinë, Brazil, Australi, Rumani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku priten të çelen stacione aplikimi edhe në këto vende.

Një datë e saktë nuk bëhet ende e ditur, por burimet konfirmojnë se do të realizohet së shpejti.

©Flasshqip.ca