Komunitet

Publikohet libri me përralla “Kush s’ka putra ka pupla” i autores Jeta Toçila Dedja

  • Published in Komunitet

Para pak javësh Botime Pegi publikoi në Tiranë librin me përralla të ilustruara të titulluar “Kush s’ka putra ka pupla”. Autore e librit është psikologia shqiptaro-kanadeze Jeta Toçila Dedja. Botimi në format hardcore 27 x 23 cm me 18 përralla, është pjesa e parë e një serie dyvëllimëshe. Ilustrimet që shoqërojnë tekstin janë realizuar me mjeshtëri nga Florinda Zonja dhe redaktuar me kujdes të veçantë nga Brunilda Meno. 

Libri u ekspozua në stendën e Botime Pegi në Panairin e Librit që zhvillohet çdo vjeshtë në kryeqytet. Gjatë ditëve të panairit dhe në aktivitetin e veçantë promovues, lexues të moshave të ndryshme patën rastin të bashkëbisedojnë edhe me autoren. Botimit iu bë jehonë edhe nga mediat vizive dhe radiofonike, ndër të tjera edhe nga emisioni i moderatores së mirënjohur të RTV KLAN, Rudina Magjistari. Libri “Kush s’ka putra ka pupla” u përzgjodh nga juria e panairit si një ndër 5 librat më të mirë për fëmijë.

Në shënimin e botuesit që bashkëshoqëron librin shkruhet:

“18 përralla të mrekullueshme, që do t’ju argëtojnë çdo mbrëmje kur t’i lexoni. Do të zhyteni në botën e tyre dhe do të zbuloni personazhe interesante dhe plot aventura jashtëzakonshme. Do të takoni Pokun, qukapikun çamarrok, që nuk e njeh durimin; breshkën Tata, që shkon në një kontinent të ri dhe mrekullohet me çfarë gjen aty; Piton kureshtarin, që nuk i shpëton gjë pa marrë vesh. Ah, do të takoni edhe një hardhucë që i ka humbur bishti dhe merr rrugën ta kërkojë. Prisni, çudirat s’kanë mbaruar: do të njiheni me pesë shokë që duan të ndjekin modën! Po për merimangën Mimi dhe tre elefantët, keni dëgjuar, vallë? S’do mend që jo! Se çfarë ndodh me ta, shfletoni librin dhe do të zbuloni ndodhi të pabesueshme.”

Kush është autorja?

Jeta Toçila Dedja ka kryer studimet e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë në Psikologji në Universitetin e Tiranës dhe McGill University, Montreal-Kanada. Ajo gjithashtu ka kryer studimet Bachelor në Drejtësi dhe Master Shkencor në të Drejtën Civile në Universitetin e Tiranës si dhe studime pasuniversitare në shkenca sociale në Ryerson University, Toronto.

Jeta Toçila Dedja prej vitit 2018 është themeluese dhe drejtuese e portalit shqiptaro-kanadez Flasshqip.ca. Ajo ka një publicistikë të pasur, me qindra opinione, analiza, e reportazhe me një stil unik e të pëlqyeshëm, dhe me një zë kritik konstruktiv e pozitiv. Jeta Toçila Dedja e nisi karrierën në fushën e gazetarisë në kohën e luftës së Kosovës. Si studente e psikologjisë Jeta u angazhua në intervistimin e grave të mbijetuara nga abuzimet seksuale prej ushtarëve serbë dhe gjithashtu ofroi asistencë psikologjike për to. Në këtë kohë ajo fillon të publikojë në shtypin e shkruar dhe më pas punësohet si gazetare e spikere lajmesh në Vizion Plus, Shijak Televizion, Televizionin Koha e më vonë në Televizionin Publik Shqiptar.

Karriera e saj televizive nuk u kufizua vetëm në studion e lajmeve. Jeta iu dedikua edhe emisioneve kulturore dhe gjithashtu duke shfrytëzuar profesionin e saj të psikologes shërbeu si konsulente në programe për fëmijë e të rinj si dhe u ftua të bëhej pjesë e kastave të aktorëve dublues në filmat për fëmijë. Në të njëjtën kohë punoi si psikologe shkollore dhe më pas si psikologe ligjore dhe eksperte në çështje civile e penale pranë gjykatave si dhe pedagoge e psikologjisë në UT dhe universitete private për lëndët e Psikologjisë shkollore dhe ligjore. Në periudhën para emigrimit në Kanada ushtroi funksionin e koordinatores psikologe pranë Zyrës së ndihmës për viktimat e krimeve në Prokurorinë e Përgjithshme të RSH.

Njëlloj si në Shqipëri edhe në Kanada, Jeta e ushtron profesionin e gazetares paralel me profesionin e psikologes si e punësuar pranë Komisionit Shkollor Anglofon të Montrealit dhe njëkohësisht në praktikë private. Jeta Toçila Dedja është autore e tre librave mbi psikologjinë, “Psikologjia shkollore e zbatuar”, “Psikologjia në kontekstin ligjor shqiptar”, “Psikologjia e personalitetit”, autore e artikujve studimorë e analitikë dhe disa skicave letrare botuar në Flasshqip e media të tjera online. “Kush s’ka putra ka pupla” është sprova e saj e parë në letërsi kushtuar fëmijëve dhe të rriturve fëmijë.

© Flasshqip.ca