Samiti në Alaska: Trump dha gjithçka, Putini duket sikur nuk lëshoi asgjë - Nga Rania Massoud
- Published in Kanada
 
 - Nga: Rania Massoud, Radio-Canada

Edhe përpara se të niste samiti me Donald Trump në Alaska, Vladimir Putini shihej si fitues. Pas takimit treorësh me presidentin amerikan, ai doli nga aty edhe më triumfues.
Udhëheqësi i Shteteve të Bashkuara i ofroi homologut të tij rus një kurorëzim diplomatik të paimagjinueshëm vetëm pak ditë më parë.
Që në momentin kur avioni i Putinit u ul në Anchorage, skena ishte domethënëse: Trump, që kishte shtruar tapetin e kuq, e priti me duartrokitje të përsëritura, përpara se të shkëmbenin një shtrëngim të ngrohtë duarsh. Një gjest i rrallë, duke pasur parasysh marrëdhëniet historikisht armiqësore mes dy vendeve.
Por surpriza më e madhe erdhi më pas: Trump e ftoi Putinin të hipte në limuzinën presidenciale The Beast - “Bisha”. Një makinë e blinduar, e rezervuar vetëm për presidentin amerikan. Ish-oficeri i KGB-së përjetoi kështu një privilegj unik në tokën amerikane.
Të dy udhëheqësit kaluan rreth gjysmë ore vetëm në këtë “bisedë private mbi rrota”, përpara se t’i bashkoheshin delegacioneve të tyre në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson.

Një Trump ndryshe nga zakonisht
Në këtë takim, Donald Trump dukej sikur nuk ishte vetvetja. Në vend të tonit dominues me të cilin priti gjithmonë liderët e huaj në Zyrën Ovale, ai u shfaq i përmbajtur, madje i tensionuar. Gazetarët u lejuan vetëm për pak minuta të hynin në sallë, por presidenti amerikan shmangu çdo përgjigje dhe pothuajse i nxori jashtë kur nisën të pyesnin Putinin për çështje të sikletshme, si: “Pse Trump duhet t’ju besojë?” apo “A do të ndaloni së vrari civilë?”

Pa marrëveshje konkrete
Takimi treorësh mes delegacioneve nuk solli asnjë marrëveshje. Konferenca e përbashkët për shtyp ishte e mjegullt: asnjë përgjigje për pyetjet e dhjetëra gazetarëve ndërkombëtarë.
Të dy liderët folën për “bisedime konstruktive e pozitive”, por pa një armëpushim në Ukrainë, diçka që Trump e kishte quajtur të domosdoshme pak para se të niste samiti.
Një detaj i veçantë: në kundërshtim me çdo protokoll, konferencën për shtyp e hapi i pari Putini, dhe jo presidenti mikpritës amerikan.
Nuk dihet nëse Putini lëshoi ndonjë gjë, edhe pse tha se “është hapur një rrugë drejt paqes në Ukrainë”. Ai e quajti konfliktin tragjik dhe u bëri thirrje evropianëve të mos pengojnë negociatat.
Trump, nga ana e tij, foli me kujdes: “Ka përparime, por s’ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”. Ai shtoi se do të flasë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’i treguar përmbajtjen e bisedimeve me Putinin.

Provokimet e Moskës
Edhe pse fjalët e Putinit ishin të matura, gjestet e delegacionit rus flisnin vetë. Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov u shfaq në Alaska me një bluzë ku shkruhej “CCCP”, akronimi i ish-BRSS, një provokim i qartë politik për Uashingtonin dhe Perëndimin.
Madje edhe menyja në avionin presidencial rus mbante një mesazh thumbues: gazetarëve iu shërbye “pulë à la Kiev”, pak para se të niste takimi me Trumpin. Komentatorët pro-Kremlin në rrjete sociale e kthyen këtë detaj në batutë: “Trump dhe Putin do ta shndërrojnë Zelenskyn në pulë Kievi”, shkroi analisti Sergej Markov.
Një gjë është e sigurt: buzëqeshja e dukshme e Vladimir Putinit, kur hipi në limuzinën e Trumpit, foli më shumë se çdo fjalë. Dhe mbi të gjitha, ai u kthye në Moskë pa sanksione të reja amerikane, ato që Ukraina, Bashkimi Evropian dhe NATO i kishin kërkuar me ngulm.
Burimi Radio-Canada
Foto: Getty Images/AFP/Andrew Caballero-Reynolds; Reuters/Jeenah Moon; Associated Press/Julia Demaree Nikhinson
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










