Kanada

Mark Carney, një produkt politik i Donald Trump - Nga Mario Dumont

  • Published in Kanada

Këtë javë, Mark Carney përmbylli vendosjen e kontrollit të plotë mbi politikën kanadeze. Pasi siguroi shumicën e deputetëve një javë më parë, i mbetej vetëm një hap: miratimi i mocionit që do t’i jepte partisë së tij autoritet të plotë mbi procesin parlamentar dhe komisionet.

Duke risjellë në mendje të gjitha etapat që çuan në këtë rezultat, nuk mund të mos arrij në përfundimin se Mark Carney është, politikisht, një krijesë e presidentit amerikan Donald Trump. Që të mos keqkuptohem, saktësoj që formimi i tij shkollor mbresëlënës dhe karriera prestigjioze janë rezultat i aftësive dhe punës së tij, por, nëse analizoj suksesin e tij politik, jam i detyruar t’ia atribuoj atë në një masë të konsiderueshme Donald Trump-it.

Nuk pretendoj se Trump e ka ndihmuar me vetëdije. Përkundrazi, po deklaroj se kërcënimi që përfaqëson presidenti amerikan e përcaktoi drejtimin për të gjitha etapat e “epopesë Carney”. Në janar 2025, kur Justin Trudeau njoftoi largimin e tij, Trump ishte zgjedhur ndërkohë president dhe kishte filluar tashmë të lëshonte deklarata kërcënuese. Menjëherë, mediat e Kanadasë anglofone nisën ta paraqesin Carney-n si njeriun e duhur për situatën.

I zgjedhur pa vështirësi si lider i liberalëve, ai hyri në një fushatë zgjedhore ku frika nga kërcënimet e Trump dominoi gjithçka. Liberalët e përdorën me mjeshtëri këtë situatë për të lënë në plan të dytë tema si kostoja e jetesës apo siguria në rrugët e qyteteve, pikërisht temat mbi të cilat Pierre Poilievre kishte planifikuar të fitonte zgjedhjet.

Nisur nga sa më lart, nuk kam asnjë hezitim të pohoj se ishte Trump që i siguroi Carney-t fitoren në zgjedhje.

Një plan regimi i bazuar mbi frikën

Më pas, plani i veprimit i kryeministrit të ri kanadez u hartua dhe u bazua në masë të madhe mbi frikën nga Donald Trump. Mark Carney hoqi taksën e karbonit dhe nisi projekte për tubacione nafte dhe gazi. Krahu më “i gjelbër” i Partisë Liberale i pranoi këto masa si domosdoshmëri vetëm në “kontekstin e marrëdhënieve të tensionuara me amerikanët”.

Ligji i tij për projektet madhore, udhëtimet për të diversifikuar tregtinë, hapja ndaj automjeteve elektrike kineze, të gjitha këto u pranuan më lehtë falë këtij “konteksti” të famshëm.

Me kalimin e kohës, Mark Carney ndikoi sërish me të njëjtin argument mbi opinionin publik kanadez, pikërisht me fjalimin e tij të janarit në Davos. Ky fjalim, i vlerësuar në mbarë botën për shkak të frikës nga Trump, pati ndikim edhe në vend. Cili ishte ndikimi i tij real? Ofrimi i një alternative në raport me presidentin amerikan. Mark Carney sapo kishte arritur një tjetër sukses me ndihmën e Donald Trump.

Kalimet e deputetëve nga një parti në tjetrën

Së fundmi, nëse sot Mark Carney arriti të sigurojë shumicën, kjo ndodhi falë kalimeve të deputetëve nga partitë e tjera në kampin qeveritar. Po si e justifikuan ata kalimin e tyre të papritur drejt Partisë Liberale? E njëjta arsye: ata lanë të kuptohej se kryeministri ishte njeriu i duhur në një periudhë kritike për të ardhmen e vendit. Pra një referencë indirekte ndaj kërcënimeve për tarifa, idesë së “shtetit të 51-të”, e të tjera, e të tjera.

Ironi e fatit: Mark Carney do të duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet tregtare me Donald Trump. Një dështim mund t’i kushtojë shtrenjtë liderit liberal. Por deri më sot, prania e Trump e ka shtyrë atë drejt suksesit.

Burimi: Journal de Montréal

Fotot: Stevens LeBlanc dhe AFP