Njoftime

Toronto 30 nëntor - 1 dhjetor 2024: ACDA organizon për herë të parë në Kanada Albanian Book Festival

Për herë të parë Kanada do të organizohet një aktivitet i madh kulturor kushtuar librit shqip, ashtu siç prej vitesh e kanë pritur jo vetëm krijuesit shqiptaro-kanadezë, por të gjithë shqiptarët e këtushëm të pasionuar pas leximit në gjuhën amtare.

Organizata ACDA (Albanian Canadian Development Alternative), e themeluar dhe drejtuar nga Rudin Dakli e cila është promotorja dhe financuesja e këtij manifestimi kulturor e ka pagëzuar atë Albanian Book Festival (ABF).

Albanian Book Festival, apo Festivali i librit Shqip, do të zhvillohet në metropolin kanadez Toronto (ku jeton dhe pjesa dërrmuese e komunitetit shqiptar) nga 30 nëntor deri më 1 dhjetor 2024, në Artscape Wychwood Barn, në adresën 601 Christie St, Toronto, ON M6G 4C7.

5000 kopje librash, mbi 750 tituj nga rreth 350 autorë dhe mbi 80 botues janë shifrat (që nuk kanë nevojë për koment) të cilat na kanë komunikuar organizatorët e festivalit ku do të marrin pjesë fizikisht thuajse të gjithë autorët shqiptaro-kanadezë të afirmuar në vite me krijimet e tyre, apo të rinj në hapat e para të shpalosjes së profilit krijues. Do të jenë të pranishëm gjithashtu të ftuar specialë autorë me banim në Shqipëri dhe në SHBA.

Vlen të theksohet që përveç organizimit paraprak, ACDA po bën edhe një marketing shumë profesional dhe të kuruar me kujdes deri në detaje për aktivitetin, çka ka nxitur përfshirjen jo vetëm të organizatave të tjera partnere, por edhe entuziazmin e shumë individëve që pritet të kontribuojnë në mbarëvajtjen e tij.

Në dispozicion të të interesuarve është hapur dhe faqja:

https://www.albanianbookfest.com/

Të gjithë të pasionuarit e librit mund të regjistrohen në linkun e mësipërm për të mos humbur shansin e një ngjarjeje unikale deri më sot për shqiptarët e Kanadasë. Hyrja në Albanian Book Festival (ABF) është falas dhe çdo donacion është i mirëpritur nga organizatorët.

Së shpejti Flasshqip do të publikojë edhe një speciale dedikuar ABF me intervista dhe prononcime ekskluzive nga organizatorët, krijuesit pjesëmarrës dhe mbështetësit.  

© Flasshqip.ca