Kanada

Donald Trump dhe paqja që askush s’e priste më - Nga Yasmine Abdelfadel

  • Published in Kanada
Nga: Yasmine Abdelfadel - Journal de Montréal

Mund ta urresh Donald Trump, ta përçmosh për vrazhdësinë, të tallesh me narcizizmin e tij, ta kritikosh për populizmin. Por duhet patur ndershmëria për të pranuar një të vërtetë për disa ndofta të pakëndshme: ishte pikërisht ai - dhe askush tjetër - që e detyroi Izraelin të pranojë më në fund mundësinë e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Afërt. Ai arriti aty ku breza të tërë presidentësh, diplomatësh dhe fituesish të çmimeve Nobel kishin dështuar: të impononte realizmin në një rajon ku idealizmi ishte paguar gjithmonë me gjak.

Ndërsa kancelaritë fshiheshin pas deklaratave të vakëta, Donald Trump përdori armën më të fuqishme të shekullit XXI: presionin. Një presion të drejtpërdrejtë, brutal, por efektiv. Mbi Benjamin Netanyahun, fillimisht, të cilit i bëri të qartë se mbijetesa politike nuk vlente asgjë nëse ndërtohej mbi rrënoja e arkivole. Dhe mbi drejtuesit e Hamasit, të cilëve u kumtoi se bota arabe nuk ishte më e gatshme t’i mbronte. Pikërisht nën këtë presion të dyfishtë lindi armëpushimi i tetorit 2025.

Kjo nuk është një fitore formale; është një fitore thelbësore. Dhe mund të shënojë një kthesë historike.

Lotë dhe zemërim

Përjetoj dhimbje të thellë e të sinqertë për pengjet dhe familjet e tyre, që kanë jetuar dy vite ankthi dhe dëshpërimi që prej atij 7 tetori të tmerrshëm. Një dhimbje për ata të cilëve iu ndërpre jeta papritur dhe për ata që ende presin një kthim që nuk do të vijë kurrë. Vuajtja e tyre tejkalon çdo kufi; ajo na kujton se sa i brishtë është njerëzimi.

Por ndjej gjithashtu dhimbje për civilët e Gazës: për fëmijët që panë prindërit të vdisnin, për prindërit të cilëve iu desh të mblidhnin copat e trupave të fëmijëve të tyre, viktima të hakmarrjeve të verbra të një ushtrie e bindur se po mbrohej, ndërkohë që mbillte vdekjen. Këto fytyra të sakatuara nga lufta nuk janë statistika; janë drama njerëzore që Historia i harron shumë shpejt.

Ky armëpushim nuk do të ringjallë askënd. Por mund të shpëtojë ata që, pa të, do të ishin viktimat e radhës. Dhe kjo, në vetvete, meriton të përshëndetet.

Armiqtë e paqes

Të mos kemi iluzione: armiq të paqes do të ketë gjithmonë. Milici të financuara nga Irani, që do të refuzojnë çdo kompromis për sa kohë që Izraeli ekziston. Fraksione izraelite që ende ëndërrojnë të aneksojnë Jerusalemin Lindor, Gazën dhe Bregun Perëndimor deri në det. Ekstremistë nga të dyja anët që parapëlqejnë përjetësinë e martirëve përpara thjeshtësisë së dialogut.

Por popujt vetë janë të lodhur. Të lodhur së qari, së varrosuri, së hakmarruri. Të lodhur duke parë fëmijët e tyre të vdesin në emër të një Zoti që prej kohësh nuk ofron më asgjë për ta.

Dhe tani?

Nëse kjo paqe e brishtë do mund të qëndrojë, kjo nuk do të jetë falë tryezave të rrumbullakëta, por sepse një njeri i urryer, i përfolur, i stigmatizuar, imponoi një të vërtetë të thjeshtë: lufta nuk çon më askund.

Izraeli ka të drejtë të ekzistojë në siguri e qetësi, këtë duhet ta themi, ta përsërisim dhe kurrë të mos e harrojmë. Palestinezët kanë të drejtë të jetojnë me dinjitet dhe me shpresën reale të një shteti të lirë. Të pranosh këto dy të vërteta njëherësh do të thotë të kuptosh se paqja nuk lind as nga një moral me një kah, as nga një hakmarrje e përhershme dhe ciklike, por nga një raport forcash i shndërruar në pakt mbijetese.

Donald Trump nuk është shenjtor. Dhe nuk do të jetë kurrë. Por mund të ndodhë që të jetë, papritmas, njeriu përmes të cilit paqja trokiti, aty ku askush s’guxonte më të besonte.

Burimi: Journal de Montréal

Foto: AFP