Një mit bashkëkohor mbi bashkëjetesën në çift - Nga Vangjush Ziko
Kam përpara këtë poezi të poetes Natasha Lako:
“Një liqen dhe një fushë
Përballë njeri tjetrit qëndrojnë
Të lodhur, të kapitur, kokëulur
Një liqen që gufon valët mbi shpinë
Dhe një fushë që gufon në shpinë lulëkuqet.
E kanë të pamundur edhe urrejtjen edhe zemërimin
Nuk mund të piqen më as për luftë as për dashuri.
Të shtrirë përballë në një përgjim të përjetshëm
një liqen dhe një fushë.
Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan
Si dy koka të bëra copë e çikë.”
Nuk është aspak një poezi peizazhi.
Është një poezi që ka për objekt një liqen dhe një fushë të personalizuar, të shndërruar metaforikisht në një mashkull dhe një femër, që bashkëjetojnë si çift, por që janë të veçuar.
Ata i ndan dhe i bashkon një rrip rëre.
“Liqeni” dhe “Fusha” janë dy figura metaforike që mishërojnë atributet fizike dhe shpirtërore të një qenieje njerëzore.
Liqeni dhe Fusha kanë secili temperamentin e vet.
Liqeni, që gufon nga valët, është simboli i një energjie të pakontrollueshme.
Fusha, që gufon nga lulekuqet, është simboli i ndjenjave të pasionit dhe të romantikës.
Kemi të bëjmë, pra, me dy karaktere të fuqishëm të cilët kanë një qëndrim kundërpërfytyrues ndaj asaj, që ka ndodhur midis tyre.
Kemi një bashkëjetesë të dy personazheve me karakter të fortë, me sedër dhe dinjitet, që nuk e kanë aspak të lehtë të nënështrohen, të humbin personalitetin e tyre.
Pra, dy koka, që përplasen dhe bëhen “copë e çikë”për të ruajtur të paprekur dinjitetin e tyre.
Personazhet qëndrojnë përballë njëri-tjetrit “të lodhur, të kapitur, kokëulur”.
Vija e thërrmuar e rërës, që i ndan dhe i mban të lidhur midis tyre, është dëshmia e kësaj bashkëjetese kryeneçe dhe paradoksale.
Rezistenca e “personnazheve” kokëshkretë i shtron autores pikëpyetje mbi sinqeritetin e sjelljes së tyre.
Ata e kanë “fikur” trurin e tyre dhe e shmangin reflektimin, nuk guxojnë ta pohojnë se shkaku i kësaj situate është frika e humbjes së dinjitetit, të lirisë personale të tyre, të cilën e çmojnë mbi gjithçka tjetër.
Natasha Lako edhe në këtë poezi të saj, ka përdorur me mjeshtëri metodën e kundërpërfytyrimit për të na shpalosur kontradiktën e brendshme të personazheve.
Autorja guxon ta përdorë këtë metodë emocionale dhe dramatike, që e ridimensionon realitetin, duke krijuar imazhe mendore, që e tejkalojnë të zakonshmen dhe e transformojnë një realitet nëpërmjet figurshmërisë metaforike, duke qenë e ndërgjegjshme, se e mbingarkon dhe e vështirëson ligjërimin e saj poetik, por e nxit dhe e shtyn lexuesin që të jetë maksimalisht i vëmendshëm për t'u bërë bashkëkrijues i poezisë.
Ndërsa, nëpërmjet personifikimit, të këtij mjeti stilistik artistik, i përcjell lexuesit gjendjen shpirtërore, emocionet njerëzore të personazheve, të “Liqenit” dhe të “Fushës”.
Për të shprehur sa më saktë këtë situatë kaq të tensionuar, autores i vjen në ndihmë edhe gjuha e saj plot me fjalë e shprehje foljore, struktura dhe ritmi emocional plot ndjenja dramatike i poezisë.
Fjalët nuk e zbulojnë realitetin. Ato, duke qenë simbole kuptimore, e ndërtojnë realitetin.
Fjalori i poezisë është i mbushur me folje, që shprehin veprime dhe ndjenja angështore.
Rolin kryesor e luajnë foljet (“qëndrojnë, gufon, bashkon, ndan, piqen) që përcjellin raportet e gjymtuara, por jo të asgjësuara pëfundimisht të “Liqenit” dhe të“Fushës”, që “janë shtrirë në një përgjim të përhershëm” të njëri-tjetrit.
Emrat (luftë, dashuri) përcaktojnë thelbin e natyrës së marrëdhënieve midis tyre.
Mbiemrat (të lodhur, të raskapitur, kokëulur) na flasin për gjendjen e tyre empatike.
Struktura grafike e poezisë, me dy strofa katërvargëshe dhe një dyvargëshe, na flet për kondensimin maksimal të brendisë së poezisë.
Ritmi i vargut të bardhë të zhdërvjellët, i pamatur dhe pa rima, përcjell emocionin dramatik plot dhembshuri dhe trishtim, që në fund kalon në një revoltë tragjike emocionale pa kompromis ndaj dy kokave kryeneçe, që “nuk mund të piqen më as për luftë, as për dashuri.”
Poezia “Një liqen dhe një fushë”, me vetëm dhjetë vargje, na përcjell dramën e vërtetë të dy qenieve të gjalla, të një çifti, që i lidhi fati për të jetuar bashkë jetën e tyre, por mbeten “ të shtrirë përballë njëri-tjetrit në një përgjim të përjetshëm”.
Mesazhi i poezisë është i fshehtë, jo i zakonshëm. Ai është i ambalazhuar metaforikisht me “rërën” e ciflave të dy kokëve shkëmbore, që përplasen.
Është një mesazh për “personazhet”, për t'u kthyer ata te ndjenjat e vërteta e të sinqerta, që ua lidhën dikur jetën.
Poezia “Një liqen dhe një fushë” është një poezi mjeshtërore e rrallë, një mit bashkëkohor mbi bashkëjetesën në çift.
© Vangjush Ziko











