Publiku, juria më e mirë - Nga Vangjush Saro
Po bëhet një lloj zhurme në lidhje me çmimet letrare dhe titullin Laureat i Poezisë. Preferoj të mos ua pres hovin atyre, që duan të përmbyset praktika e deritanishme; jam për ndryshime dhe drejtësi, por në mënyrën time, siç do të përpiqem të shpjegoj më poshtë. Edhe pse mekanizma që e inspirojnë publikun dhe krijuesin, çmimet letrare (dhe jo vetëm ata) nuk mund të konsiderohen si vlerësime përfundimtare. Ata kanë përkohësinë dhe brishtësinë e tyre; pra, nuk është mirë të bëhemi robër të tyre. Shkruajmë e krijojmë për Publikun e gjerë dhe ngase na duket që mund të themi diçka nga çfarë ndjejmë dhe kemi parë e përjetuar, asisoj që njerëzit të kenë interes të dëgjojnë dhe, në të njëjtën kohë, të plotësojnë nevojat e tyre shpirtërore, pse jo edhe të argëtohen, të çlirohen nga komplekset, të kuptojnë se arti dhe letërsia kanë një fuqi që nuk gjendet ashtu veresie dhe kudo.
Servantesi i madh nuk humbi asgjë nga mungesa e çmimeve. “Don Kishoti i Mançës”, kryevepra e tij, vazhdon të shkëlqejë prej disa shekujsh; ribotohet pareshtur, bëhet film, balet. Çehovi i pakrahasueshëm mbase nuk e shkoi nëpër mend që komeditë e tij lirike do të viheshin në skenë kohë e pa kohë dhe në çdo vend e në shumë gjuhë, kurse tregimet dhe novelat e tij do të mbeteshin leksione se si bëhet letërsia. (Këta myteberët e sotëm, që janë të fiksuar te romani, besoj, nuk t’i jepnin asnjëherë çmim atij, sepse ai shkruan vetëm tregime dhe novela. Oops!) Kafka as që donte t’i publikonte punët e veta; megjithatë ato e tronditën Letërsinë dhe Publikun. Kaq sa për të thënë se nga pikëpamja e fateve vetjake, kjo puna e çmimeve nuk e vlen shumë për t’u diskutuar.
Gjithsesi, le të kthehemi në hallet tona letrare. Siç u shpreha në radhët e para të këtij shënimi, ka një reagim në masë ndaj mënyrës se si jepen çmimet, se si bëhen nderimet. Natyrisht, asnjëherë nuk mund të jenë të kënaqur të gjithë. Shpesh vendimet kanë të bëjnë me prirje të caktuara; njerëzit kanë shije dhe pëlqime të ndryshme. Por ja që rëndom, ka sjellje të padrejta, madje edhe fyese. Juritë dhe komisionet në Shqipëri e kanë bërë baltë; dhe jo një herë të vetme, që të ishte kjo e fundit. (Kam shkruar nja dy herë për palaçollëqet e teksteve shkollore; nuk e vlen të merresh prapë me mediokritete dhe gafa aso.) Por mendoj se nuk ka pse të mërzitet askush që e di pak a shumë sa i kushton lëkura. Esenini thotë: “Jam gati që kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë.” Veç, për respekt të vlerave, duhet të ketë një vizion, ca parime, një lloj drejtpeshimi.
Një herë jepen dy çmime, një herë tre, një herë asnjë, hiqet një gjini apo zhanër, shtohet ndonjë tjetër; kakofonia na shoqëron jetë e mot në këtë temë. Dhe kjo është e turpshme. Mendoj se duhet të ketë një vijimësi a kulturë se si jepen çmimet: kur, kujt dhe nga kush… Mund të ketë luhatje, por jo ndryshime drastike, mospërputhje që bërtasin, mungesë integriteti estetik dhe… intriga snobësh që, në fakt, s’i ndjek askush. Nuk mund të hedhësh në publik një autor (e) dhe një vepër që ende nuk ka treguar asgjë dhe që (vetëm) disa pak “të mençur” na e paskan gjetur të denjë për çmimin vjetor (!)
A kanë lexuar komisionerët e nderuar romane të tjera? Novela. Libra me tregime. Poezi. Fabula. Drama e komedi. Monografi. Si shkojnë ata deri te çmimi: me rekomandime nga shtëpitë botuese, nga Biblioteka Kombëtare, nga ato lokale, nga aksh burim në Ministri a më tej? Si? S’e dinë as vetë, por mbetën duke lauruar libra dhe autorë që harrohen brenda javës. “Nuk doja që librat e mi të lexohen me detyrim, thotë Borges, sepse lexim dhe detyrim janë dy fjalë kundërshtuese; leximi duhet të jetë një kënaqësi, dhe një kënaqësi nuk duhet të jetë e detyruar; ajo duhet të jetë diçka që kërkohet vetvetiu.” Dhe më tej: “Edhe letërsia është një formë gëzimi. Nëse lexojmë diçka me vështirësi, autori s’ka qëlluar në shenjë.”
Mendoj, ka ardhur koha që disa institucione e media të mos e trazojnë së koti Publikun, për hir të ndërhyrjeve, klaneve apo afërisë me soj-soj diletantë, sado të veshur me “lëkurë luani” qofshin ata. Krahas çmimeve, nderimit në tërësi, pati një lloj reagimi edhe për Laureatin e Poezisë, laureate tash së fundi; që ishte poetesha Rita Petro. E them hapur që nuk më kanë pëlqyer disa krijime të saj, “Vrima”, “E dashura e babait na bën të lumtur”, etj. por e përsëris që disa ndjesi janë tejet vetjake, është koha të shohim përtej kornizave të vjetra. Në tërësinë e vet, poezia e Petros është ndër më të spikaturat në letërsinë e sotme. Megjithatë, megjithatë, vështrimet mbi krijimtarinë janë një sfidë e madhe. Prandaj më lart pyeta se mbi ç’parime vendosin juritë, komisionet. Bie fjala, edhe autori i këtyre radhëve, nëse do t’i besohej një opinion, nuk do të dinte kë të zgjidhte midis disa poetëve dhe poeteshave krijimtarinë e të cilëve e njeh mirë: Shpresa Kapisyzi, Petraq Risto, Vangjush Ziko. Por ata - edhe të tjerë, poetë shumë të mirë, të cilëve u kërkoj ndjesë që s’i përmend - ata pra, janë jashtë klaneve. Epo, s’ua ka njeri fajin. (Oops!)
Pyetja tjetër që mund të shtrohet - dhe e kam cekur në disa shënime letrare - është raporti me Publikun. Ka ardhur koha që të dihet çfarë ai mendon dhe ndjek. Ç’kuptim ka që të ngarkosh me ndere dhe me çmime autorë që Publiku nuk i njeh dhe për të cilët juritë, komisionet, Zot na mba mendjen, asnjëherë nuk thonë sa prej librave të tyre kanë shkuar në bibliotekat e njerëzve (!) Të lançosh autorë pa lexues, pa blerës, kjo është, siç e kam thënë në një shënim të mëparshëm, një lloj dhune letrare; anipse shitja e librave mund të mos ishte elementi kryesor në një vendim a shqyrtim të caktuar.
Në disa praktika të së shkuarës - para viteve ‘90, por edhe në disa dekada pas tyre - kishte më shumë rregull, në kuptimin e vlerësimit të autorëve, në të gjitha konkurimet apo përfshirjet në lista të caktuara. Përzgjidheshin autorët, madje në disa faza dhe mandej jepej një çmim, që natyrisht nuk binte gëzim për të gjithë, por mund të ishte relativisht i besueshëm; sepse juritë, komisionet tregonin një lloj serioziteti. Tani është bërë puna… a njeh njeri në Ministri, te Komisioni, te aksh Juri, te Shoqata e Botuesve, që do të thotë se jemi duke praktikuar anësi dhe sharlatanizëm.
Fjalët që themi nuk diktojnë dhe as duhen marrë si një lloj qaravitjeje. Le të kuptojmë që në përpjekjet vetjake, secili ka talentin dhe fatin e vet; por në ato institucionale, lipset vëmendje dhe seriozitet. A. Kamy na kujton: “Ne duhet të ndreqim atë që është copëtuar, ta bëjmë drejtësinë përsëri të imagjinueshme” Nuk di sa vullnet e gatishmëri ka për këtë, por duhet…
© Vangjush Saro - Vancouver











