Mark Carney, magjistari i gjarpërinjve - Nga Joseph Facal
- Published in Kanada
E pranoj sinqerisht: nuk e gëlltis dot se më ka mbetur në fyt. Kot lodhem. Megjithatë, nuk jam hakmarrës. Ose le të themi nuk harroj dot kaq shpejt.
Po kujtoj se për shkak të Trump, na duhej të votonim për Carney.
Për një liberal me bindje kjo ishte normale, por për fat të keq edhe disa nacionalistë kebekas, madje edhe ndoca sovranistë, na thanë se duhej braktisur Blloku, se Poilievre ishte katastrofa më e madhe që prej murtajës bubonike dhe se Carney do të dinte t’i rezistonte Trump-it.
Për shkak të Trump, duhej pra të votohej për partinë që është armiku historik më i vendosur i kombit kebekas, partia e Trudeau babait, e Trudeau birit dhe e Jean Chrétien.
Wow! Nacionalistë kebekas po thoshin këtë gjë!? S’po u besoja veshëve.
Carney trashëgoi kësisoj postin e kryeministrit të Kanadasë po aq lehtë sa një princ trashëgimtar i një monarkie brez pas brezi.
Sapo mori detyrën, ai na deklaroi: jam i sigurt, do arrijmë marrëveshje me Trump para samitit të G7.
Pastaj... pas G7... pastaj... do shohim... pastaj... bla bla bla.
“Psikologu” Carney provoi me lajka. Zero rezultat. Trump tallej me të.
U përkul si servil. Zero rezultat. Trump tallej me të.
Pastaj kërkoi falje për reklamat e Doug Ford të bazuara në fakte. Sërish zero rezultat.
Sigurisht, askush nuk duket se është në gjendje ta menaxhojë Trump-in, përveç ndoshta Putinit. Por nëse Kanadaja është e destinuar të mos përfitojë asgjë, a duhet të poshtërohet akoma dhe më tepër?
Sa më shumë përkulet Carney, aq më shumë e përçmon Trump-i.
Sociopatët janë të tillë: dobësia e tjetrit nuk i qetëson, përkundrazi, i nxit edhe më shumë që të shtojnë presionin.
Dhe nuk mbaron me kaq.
Carney është më shpenzues se Trudeau - po, edhe kjo na qenka e mundur - por po zbaton programin e Poilievre!
Ulja e taksave, heqja e taksës së karbonit, anulimi i rritjes së tatimit mbi fitimet kapitale, ligj për përshpejtimin e projekteve të mëdha industriale, rritja e buxhetit të mbrojtjes, afrim me monarkinë britanike, e kështu me radhë.
Të shkretit Poilievre duhet t’i duket se po jeton në një realitet paralel, sikur i kanë vjedhur identitetin.
Pra, tipit që supozohej të përballonte Trump, po i del kallaji pak e nga pak.
Tipi “që njeh financat publike”, arkëtari i zoti, po u gërmon varrin financave publike.
Tipi i preokupuar për ekologjinë, i dërguari special i OKB-së për klimën, po ndjek një politikë tërësisht të stilit të Albertës për naftën.
***
Si sovranist, unë votova për Bllokun në shenjë besnikërie ndaj një ideali. Por nuk do ta fajësoja askënd që do të thoshte: nëse kjo që ndodhi ishte thjesht për të parë liberalët që zbatojnë programin konservator, atëherë preferohet më mirë origjinali sesa kopja. Për më tepër, konservatorët do të ishin më pak shpenzues, më respektues ndaj kompetencave provinciale, më pak “woke” dhe më pak përkëdhelës me Radio-Canada.
Gjithë sa them është e diskutueshme, e pranoj. Ajo që nuk diskutohet, është se duhet të ruhemi nga magjistarët e gjarpërinjve.
Burimi: Journal de Montréal












