Kanada

Charlie Kirk vritet, e majta radikale feston - Nga Mathieu Bock-Côté

  • Published in Kanada
Nga: Mathieu Bock-Côté - Journal de Montreal

Charlie Kirk u ekzekutua drejtpërdrejt, në publik, nga një snajper që e vuri në shënjestër dhe e qëlloi me plumb në grykë.

Në një botë normale, një skenë e tillë do të kishte shkaktuar një dënim të përgjithshëm dhe të paekuivok.

Por ne nuk jetojmë më në një botë normale. Dhuna politike, kur drejtohet ndaj atyre që sistemi i ka shpallur armiq absolutë, jo vetëm që tolerohet, por herë pas here edhe kremtohet si akt drejtësie.

FANATIZMI

Në rrjetet sociale - dhe jo vetëm aty - mijëra burra e gra u panë duke festuar hapur vdekjen e një njeriu që e urrenin me gjithë shpirt.

Për të ruajtur një farë fasade morale, shumë prej tyre shtonin se, sigurisht, nuk po e përkrahnin vrasjen si mjet për të eliminuar kundërshtarët e pandreqshëm politikë.

Por, pa asnjë siklet, thoshin se zhdukja e Kirk ishte një lajm i mirë për njerëzimin, që më në fund po çlirohej nga një barrë e rëndë.

Në thelb, mesazhi ishte i qartë: vdekja e tij ishte një ngjarje pozitive, edhe pse mënyra se si ai u vra mbetej formalisht e diskutueshme.

Një skeptik mund të pyesë:

A nuk ishte Kirk një mbrojtës i flaktë i debatit të lirë?

A nuk shkonte shpesh në ballafaqime publike, madje edhe përpara audiencave armiqësore, për të diskutuar hapur idetë e tij?

E majta radikale nuk merret me këto dallime.

Për të, çdo fjalë që nuk përputhet me ideologjinë e saj shpallet menjëherë si “gjuhë urrejtjeje” që duhet censuruar, e nëse nuk është e mundur, të paktën duhet penguar.

ELIMINIMI

Kur rrethanat e kërkojnë, këta kundërshtarë nuk eliminohen vetëm politikisht apo shoqërisht.

Synimi është që të asfiksohen plotësisht - përmes proceseve gjyqësore, përjashtimit publik, ose, si në rastin e Kirk, edhe fizikisht.

Shumëkush e ka harruar këtë, por historia e së majtës radikale është një histori e lidhur ngushtë me totalitarizmin.

Shpeshherë, kjo e majtë radikale arrin të ndikojë edhe tek të majtat më të moderuara, duke i bindur se konservatorizmi nuk është gjë tjetër veçse një maskë që fsheh fashizmin ose nazizmin.

Duke e diabolizuar Kirk, të majtët radikalë e paraqitën atë si stërnipin ideologjik të Adolf Hitlerit.

Kush do të qajë për pasardhësin e një gjenocidisti?

E majta radikale duartroket vrasësit, duke e shpallur krimin akt të virtytit.

Sepse, në thelb, e majta radikale është një e majtë e urrejtjes.

Burimi: Journal de Montréal

Foto: Andrew Harnik/Getty Images