Njoftime

Rama merr nën kontroll Autoritetin e Mediave Audiovizive - Reagon Unioni i Gazetarëve të Diasporës

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës (UGSHD), me shumë shqetësim e mori lajmin se parlamenti i delegjitimuar i Edi Ramës po e shndërron përfundimisht Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) në një zyrë të kryeministrit aktual, e njëjtë me zyrën e dikurshme të shtypit pranë Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Aktin e paprecedent, një thikë e pabesë pas shpine për lirinë e medias, parlamenti i Edi Ramës e ka ndërmarrë nëpërmjet faktit të kryer, duke zënë në befasi të plotë opinionin shqiptar dhe punonjësit e mediave në Shqipëri. Pa asnjë paralajmërim, pa asnjë diskutim paraprak, ndryshimi në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive, është bërë për të sjellë në krye të institucionit një nga kryepropagandistet më të zellshme, Armela Krasniqin, ish-zëdhënësen e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Ky veprim në Komisionin Parlamentar të Medias është ndërmarrë duke shkelur në mënyrë flagrante ligjet përkatëse në fuqi.

Përmes këtij emërimi, Znj. Krasniqi është në shkelje të ligjit Nr. 9367, datë 7.4.2005 mbi konfliktin e interesit. Kujtojmë angazhimet e saj politike në Partinë Socialiste që ligji i njeh shprehimisht si interesat private (neni 5).

Nga ana tjetër sjellim në vëmendje se përmes këtij akti, kreu i qeverisë rrezikon të konsumojë veprën penale 245/1 të Kodit Penal duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Është logjike të pritet se duke dhënë një përfitim të parregullt (pozicionin e kreut të AMA) marrësja do të ushtrojë ndikim të paligjshëm në favor të dhënësit (favorizimit të propagandës ndaj qeverisë). Kështu, si një aktore e lidhur plotësisht në konflikt interesi me partinë në pushtet, znj. Krasniqi ka treguar se mund të favorizojë organizatën politike ku ajo aderon privatisht e publikisht, duke e çuar atë rrjedhimisht drejt shkeljes së nenit 248 të Kodit Penal, atë të shpërdorimit të detyrës.

Në të njëjtën kohë, Edi Rama duke emëruar e ndikuar në emërime të njerëzve të tij të afërt e në mohim të konkurencës sipas ligjit, është në shkelje të plotë të nenit 253 të Kodit Penal mbi shkeljen e barazisë së shtetasve duke u dhënë privilegje të padrejta personave si Armela Krasniqi për shkak të përkatësisë politike. Edi Rama ka uzurpuar plotësisht AMA-n duke rrëmbyer vendet që i takojnë opozitës në bordin e këtij institucioni.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës (UGSHD) konstaton me brengosje të madhe se, me këto veprime, Edi Rama, si armik i përbetuar i lirisë së mediave dhe shkelës i ligjeve në fuqi, i përshkallëzon përpjekjet e tij të parashikuara nga paketa e ashtuquajtur antishpifje, e cila ngjalli aq shumë reaksion edhe në institucionet perëndimore. Kjo paketë e ashtuquajtur antishpifje do të instalonte përfundimisht organin famëkeq oruellian të censurës ndaj platformave televizive, portaleve dhe mediave online.

Është e domosdoshme dhe jetike që shoqëria civile në Shqipëri, punonjësit e mediave, mbrojtësit e ligjit, të gjithë ata që e duan fjalën e lirë dhe mendimin e lirë, o sot, o kurrë të ngrenë zërin dhe të kundërveprojnë energjikisht për ta zbrapsur Edi Ramën nga ky revansh i mbrapshtë totalitarist ndaj lirisë së mediave, pa të cilën nuk mund të përfytyrohet asnjë shoqëri demokratike sot dhe në të ardhmen në Shqipëri.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës (UGSHD) ia kujton trupit diplomatik perëndimor në Shqipëri, organizmave perëndimore dhe ndërkombëtare të mediave, institucioneve në Perëndim, gjithë botës demokratike, se është kjo koha përfundimtare kur të veprohet për t’i thënë ndal Edi Ramës dhe për të mos e lejuar të kryejë këtë attentat institucional që ka për qëllim fundin e çdo shprese për demokracinë në Shqipëri.

25 Qershor 2021