Komunitet

In Memoriam: Iku pa lamtumirë Dr. Agron Alija - Nga Fazli Mazreku

  • Published in Komunitet
Nga: Fazli Mazreku - London, Ontario

I kobshëm ishte lajmi për vdekjen tragjike të Dr. Agron Alija, në një aksident fatal rrugor, ku ai humbi jetën papritur. Për shumë vite, ai shërbeu si mjek në qytetin London (Ontario), duke u bërë një figurë e dashur dhe e respektuar në komunitet.

Ai iku pa thënë u lamtumirën e fundit, as familjes, as miqve, as kolegëve të punës e as pacientëve të tij, të cilët i donte dhe i ndihmonte gjithmonë, në çdo kohë e në çdo rrethanë, sa herë që i drejtoheshin për ndihmë.

Dr. Agronin e kemi njohur prej vitesh si mjek, mik dhe njeri të jashtëzakonshëm, të mirë, të ndershëm dhe shumë të respektuar. Prandaj na vjen e vështirë ta besojmë lajmin për ikjen e tij të parakohshme. Vështirë të pranojmë se në korridoret e Qendrës mjekësore nuk do të dëgjohet më zëri i tij i ëmbël, që shpesh kishte më shumë fuqi shëruese se çdo medikament për të lehtësuar dhimbjet e pacientëve të tij.

Ai ishte më shumë se mjek, ishte filantropist me shpirt dhe me vepra. Ishte pjesë aktive e komunitetit shqiptar dhe, kudo që merrte pjesë në tubime, fliste me pasion e forcë për nevojën e angazhimit, të arsimimit të rinisë dhe të integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërinë kanadeze. Madje, sa herë kishte në audiencë kanadezë nga ish-personeli ushtarak apo diplomatik që kishin shërbyer në Kosovë, ai fliste me respekt e mirënjohje për kontributin e Kanadasë ndaj refugjatëve kosovarë gjatë luftës dhe nuk kursente fjalët më të mira falënderuese për ta.

Pavarësisht suksesit që kishte arritur në Kanada, Dr. Agroni kurrë nuk e harroi Kosovën. Fliste gjithmonë me mall e dashuri për vendlindjen dhe, përkundër angazhimeve të shumta profesionale, gjente kohë ta vizitonte Kosovën dhe Prishtinën që i donte aq shumë.

Ai ishte, pa dyshim, një figurë e çmuar e komunitetit, një profesionist i dalluar në fushën e mjekësisë, dashamir i sportit, dhe mbi të gjitha bashkëshort i denjë dhe baba i përkushtuar për fëmijët e tij.

Dr. Agron, ti ike pa lamtumirë, por na theve shpirtin ne që ishim pacientët dhe miqtë e tu.

Qoftë i lehtë dheu që do të mbulojë trupin tënd!

Pusho në paqe e qetësi, sepse ke lënë pas një trashëgimi që nderon familjen tënde, komunitetin shqiptar dhe miqtë e tu anembanë botës!

© Fazli Mazreku - London, Ontario