Kanada

Imigracioni: Konservatorët thyejnë tabutë - Nga Mario Dumont

  • Published in Kanada
Nga: Mario Dumont - Journal de Montréal

Konservatorët vënë në pikëpyetje dhënien automatike të shtetësisë për çdo foshnjë që lind në territorin kanadez.

Të gjithë e dimë se sistemi tepër bujar i imigracionit në Kanada ka hapur rrugën për shumë abuzime. Lista është e gjatë: njerëz që hyjnë si turistë dhe më pas shndërrohen në kërkues azili, kërkues azili të rremë që zgjasin qëndrimin e tyre, studentë të huaj të rremë që kurrë nuk kanë studiuar.

Është e qartë se, në shkallë botërore, të kesh një pasaportë kanadeze vlen goxha. Është e kuptueshme që shumë njerëz përpiqen ta fitojnë. Të jetosh kudo në botë duke pasur në xhep një pasaportë kanadeze është një garanci sigurie. Një ditë, nëse gjërat përkeqësohen në vendin tënd, mund të kthehesh në Kanada. Ke nevojë për kujdes shëndetësor të shtrenjtë? Mund të vish në një vend ku shërbimet janë falas.

Për njerëzit që kanë jetuar vërtet një periudhë në Kanada, kjo është normale. Jetojmë në një botë ku njerëzit lëvizin dhe për arsye profesionale ose familjare, mund të ndryshojnë edhe vendbanim. Por a ka një kufi për shpërndarjen e pasaportave kanadeze kuturu, për individë që nuk kanë asnjë lidhje të vërtetë me vendin?

Partia Konservatore

Partia Konservatore e Kanadasë hapi këtë javë një debat të vërtetë. Një debat tepër delikat, për të cilin të gjitha partitë e tjera vunë duart në kokë duke thirrur “jo”, të tmerruara!

Ja pyetja që shtrohet: a është “e drejta e tokës” (jus soli) një e drejtë e paprekshme? Flasim këtu për faktin që një foshnje e lindur në territorin kanadez, pavarësisht rrethanave, fiton automatikisht shtetësinë kanadeze. Deri më tani, kjo e drejtë është konsideruar si një privilegj i padiskutueshëm, për të cilin as nuk mund të flitet.

Konservatorët e shohin këtë si një nxitje për të abuzuar me bujarinë e sistemit të imigracionit. Një nga rastet tipike është ai i një personi që ka ardhur në Kanada nën pretekste të rreme dhe duhet të dëbohet shpejt, për shembull, një “student” i rremë. Nëse një grua në këtë situatë vjen shtatzënë dhe lind në territor kanadez, fëmija fiton shtetësinë dhe mashtruesja fiton një argument më shumë për të qëndruar në vend: “Kam një fëmijë kanadez!”.

Turiste për të lindur

Një rast tjetër, edhe më i zakonshëm dhe gjithnjë e më i organizuar, është ai i “turizmit mjekësor”. Një grua në fazën e fundit të shtatzënisë, që ka mundësi minimale financiare, udhëton për të lindur në Kanada. Automatikisht, si “bonus”, ajo siguron për fëmijën e saj një pasaportë kanadeze.

Na konfirmohet se nuk ka statistika të sakta për këtë dukuri. Megjithatë, fenomeni njihet mirë në repartet e lindjeve të spitaleve urbane. Kam marrë dy dëshmi nga persona që punojnë aty dhe që pohojnë se është diçka e zakonshme që gra nga vende të tjera të vijnë të lindin në spitalet tona për këtë arsye.

Kjo është një temë që duhet trajtuar me kujdes. Por unë besoj se, në gjendjen aktuale të gjërave, “e drejta e tokës” nuk mund të konsiderohet më si një e drejtë absolutisht e paprekshme. Konservatorët kanë të drejtë.

Burimi : Journal de Montréal

Foto: AFP