Mbrojtja e interesave kombëtare bëhet prioriteti absolut për Donald Trump - Nga Stéphane Bordeleau
- Published in Kanada
- Nga: Stéphane Bordeleau - Radio Canada

“Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare” e presidentit Trump shpall luftë ndaj emigracionit masiv.
Epoka e tregtisë së lirë dhe globalizimit pa kufij ka marrë fund në Shtetet e Bashkuara, të paktën sipas “Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare” të publikuar nga administrata Trump.
Sipas dokumentit prej rreth tridhjetë faqesh, i cili përcakton prioritetet dhe objektivat e qeverisë amerikane në fushën e sigurisë kombëtare, ekonomisë, energjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, objektivi i vetëm i administratës amerikane tashmë do të jetë mbrojtja e interesave thelbësore kombëtare.
“Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, elitat e politikës së Jashtme amerikane u bindën se dominimi i përhershëm amerikan mbi botën ishte në interesin e vendit”, thuhet në dokument. “Ato kanë nënvlerësuar kufijtë e aftësisë së Amerikës për të financuar njëkohësisht një shtet të konsiderueshëm social dhe një kompleks ushtarak global, ndërsa mbështeteshin te një globalizim dhe tregti e lirë shkatërruese që goditi rëndë klasën e mesme”.
Sipas Donald Trump, kjo qasje i ka nxitur nga njera anë aleatët e Amerikës të transferojnë përgjegjësinë e mbrojtjes së tyre te populli amerikan, ndërsa nga ana tjetër e kanë lidhur politikën amerikane me institucione ndërkombëtare që, sipas tij, synojnë të shpërbëjnë sovranitetin e shteteve.
Presidentët amerikanë publikojnë zakonisht një dokument të tillë në çdo mandat. Versioni i fundit, i publikuar nga Joe Biden në vitin 2022, fokusohej te realizimi nga SHBA i një avantazhi konkurrues ndaj Kinës dhe rreziqet që paraqiste Rusia.
Siguria e kufijve mbi të gjitha
Sipas administratës amerikane, kërcënimi kryesor ndaj sovranitetit me të cilin duhet të përballen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre aktualisht është emigracioni masiv.
“Ne duam një botë ku migrimi nuk është thjesht i rregullt, por ku vendet sovrane punojnë së bashku për të ndalur, jo për të lehtësuar flukset destabilizuese të popullsisë dhe për të patur një kontroll të plotë mbi ata që mund të pranohen si emigrantë apo që duhet të refuzohen”, shkruhet në dokument.
Europa dhe NATO në rrezik identitar
Administrata Trump shpreh shqetësimin për një humbjeje të shpejtë dhe të konsiderueshme të identitetit kombëtar te aleatët e SHBA, për shkak të flukseve të vazhdueshme dhe masive të të huajve.
“Është më shumë se e mundur që, brenda disa dekadave, anëtarët e NATO-s të bëhen kryesisht jo-europianë”, parashikon Trump.
“Shtrohet pyetja nëse ata, anëtarët europianë të NATO-s, do vazhdojnë ta shohin vendin e tyre, ose aleancën me Shtetet e Bashkuara, në të njëjtën mënyrë si nënshkruesit e Kartës së organizatës”, shton Shtëpia e Bardhë.
“Ne duam të sigurohemi që hemisfera Perëndimore të mbetet mjaftueshëm stabël dhe e mirëqeverisur për të parandaluar dhe dekurajuar migrimin masiv drejt SHBA-së”, theksohet gjithashtu në dokument.
Ndërkohë, në Berlin, ministri gjerman i Jashtëm, Johann Wadephul, reagoi shpejt duke deklaruar se Gjermania “nuk ka nevojë për këshilla nga jashtë”, sidomos për lirinë e fjalës apo organizimin e shoqërive të lira.
Nga ana e saj, eurodeputetja Valérie Hayer, presidente e grupit centrist Renew Europe, e quajti këtë vizion “të papranueshëm dhe të rrezikshëm”, duke shtuar se administrata Trump “nuk ka pse ndërhyn në politikat tona të brendshme”.
Rikthimi i supremacisë amerikane në Amerikën Latine
Ndryshimi i dytë i madh në doktrinën e re të sigurisë është rikthimi i një pranie të fortë amerikane në Amerikën Latine, me synimin për të siguruar qasje në burime dhe sektorë strategjikë, përfshirë mineralet e rralla.
Përmes shtimit të pranisë ushtarake dhe ekonomike, administrata Trump synon të sigurojë stabilitet të mjaftueshëm në rajon për të parandaluar migrimet masive drejt SHBA.
Kjo qasje përkufizohet në dokument si “derivati Trump” i doktrinës Monroe.
Çfarë është doktrina Monroe?
E shpallur në vitin 1823 nga presidenti James Monroe, ajo përcaktonte se fuqitë europiane nuk duhet më të kolonizonin ose të ndërhynin në punët e Amerikës Latine, e cila cilësohej si sfera ekskluzive e ndikimit të SHBA. Në këmbim, SHBA angazhohej të qëndronte neutrale në çështjet europiane.
Rusia dhe Kina
Dokumenti është befasueshëm i matur në lidhje me Rusinë, duke përmendur vetëm nevojën për të negociuar një ndalim të shpejtë të luftimeve për të stabilizuar Evropën.
Sa i përket Kinës, administrata Trump synon të vazhdojë riekuilibrimin e tregtisë, mbrojtjen e industrisë amerikane dhe ndalimin e vjedhjes së pronës intelektuale. Strategjikisht, SHBA do vazhdojë të mbajë një forcë frenuese konvencionale në Azinë Juglindore, kryesisht rreth Tajvanit, duke i kërkuar Japonisë dhe Koresë së Jugut të rrisin shpenzimet ushtarake.
Lidhur me Lindjen e Mesme, SHBA planifikon të tërhiqet gradualisht, pasi rajoni nuk përbën më prioritet absolut për shkak të rritjes së pavarësisë energjetike amerikane dhe dobësimit të Iranit pas bombardimeve të infrastrukturës së tij bërthamore. Objektivi është zgjerimi i Marrëveshjeve të Abrahamit dhe nxitja e partnerëve rajonalë për të luftuar radikalizmin pa u imponuar demokraci.
Në Afrikë, SHBA synon marrëdhënie të bazuara në tregti dhe investime, për të siguruar qasje në minerale strategjike dhe për të nxitur zhvillimin e energjisë, përfshirë atë bërthamore, si kundërpeshë ndaj fuqive konkurrente.
Po Kanadaja?
Edhe pse emri i Kanadasë përmendet vetëm një herë, ndikimet e kësaj politike të re amerikane do të ndjehen fort edhe në këtë anë të kufirit.
Në kontekstin e luftës tarifore që ka tensionuar marrëdhëniet tregtare, Uashingtoni u kërkon Kanadasë, Meksikës, Europës dhe Japonisë të adoptojnë politika më të ashpra tregtare ndaj Kinës dhe është i gatshëm të përdorë presione tarifore për ta arritur këtë.
Epoka kur Kanadaja mund të diversifikonte lirisht tregtinë me Azinë duke përfituar njëkohësisht nga marrëveshja e lirë me SHBA mund të jetë drejt fundit.
Po ashtu, ambicia e SHBA për të rikthyer zinxhirët industrialë në territorin e vet kërcënon sektorin prodhues në Ontario dhe Quebec.
Rritja e detyrueshme e shpenzimeve ushtarake
Kanadezët do të përballen me presion të shtuar për të blerë armë, pasi SHBA kërkon që vendet e NATO-s të arrijnë të paktën 5% të PBB në shpenzime ushtarake, siç është rënë dakord në samitin e Hagës.
Ndërkohë, Kanadaja mezi po tenton të arrijë pragun aktual të 2%, një premtim që qeveria Carney ka thënë se do ta përmbushë pranverën e ardhshme. Qeveria Trudeau parashikonte ta arrinte në vitin 2032.
Arritja e objektivit 5% do të kërkojë shpenzime kolosale ushtarake, miliarda që nuk do të shkojnë për shërbimet sociale apo infrastrukturën.
Fund i “Net Zero”-s
Sa i përket energjive të gjelbra dhe luftës kundër ndryshimeve klimatike, Kanadaja do të përballet me një fqinj që refuzon në mënyrë kategorike strategjinë e karbonneutralitetit dhe atë që Trump e quan “ideologjia e ndryshimit klimatik”.
Dokumenti është i qartë: dominimi energjetik amerikan do të bazohet në naftë, gaz dhe energji bërthamore.
Forcimi i kufirit amerikan do të rrisë gjithashtu presionin ndaj Kanadasë, kufiri i së cilës konsiderohet i “depërtueshëm dhe i brishtë” nga administrata Trump.
Përballë kësaj politike të re amerikane, Kanadaja ndodhet përballë një dileme strategjike: të rreshtohet me SHBA, në kurriz të autonomisë politike dhe objektivave klimatike, ose të rrezikojë izolim ekonomik, përballë një fqinji që po përdor ekonominë si armë.
Burimi: Radio-Canada
Foto: Getty Images/Chip Somodevilla











