Blog

Si e humbi Saliu simiten? - Nga Ilir Gjini

Nga: Ilir Gjini - Toronto

Njësoj si furrtari i famshëm Xhafer që e humbi dikur simiten, edhe kryetari i përjetshëm Sali Berisha, sapo e humbi “simiten” e tij që krijoi bashkë me shumë të tjerë 36 vite më parë, duke e pagëzuar me emrin kuptimplotë Partia Demokratike.

E humbi Partinë Demokratike për të mbajtur karrigen e kryetarit, sepse vrau garën. Vrau parimet esenciale që egzistojnë në një parti që para se të kërkojë demokraci e zgjedhje nga Rama, duhet t’i zbatojë ato brenda vetvetes. Jo shumë kohë më parë Saliu e shpalli Salianjin hero sepse ai bëri burg politik, ndërsa sapo shfaqi ambicien për kryetar e etiketoi armik, miku i Sul Çelës e sajesa të tjera si këto.

Dhe këto janë në stilin e Berishës që si ish-komunist, nuk pranon dot mendimin kundër. Kështu ka vepruar me Selamin, Genc Pollon, madje edhe me Gaz Bardhin, që kur përkrahte Bashën, e akuzoi si të lidhur me bandat e Elbasanit?! Por ndërsa Salianji ka moshën në favor dhe në mos sot, nesër ka për ta gjetur “simiten”, z. Sali e humbi përfundimisht atë.

E humbi që kur hodhi ne koshin e mbeturinave gjithë parimet për të cilat u rizgjodh në krye të PD. Kam qenë përkrahës i foltores jo se besoja se z. Berisha do të mposhtte Ramën, se nuk jam kaq naiv për të besuar se një katrahurë despotike si regjimi Rama mposhtet me zgjedhje, po besoja se parimet që u trumbetuan në foltoren e Berishës, do të krijonin një shtrat të shëndetshëm në Partinë Demokratike.

Mbi të gjitha parimi i votës në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë e kryetarë bashkish, e sidomos “neni Basha” që i jepte fund kryetarokracisë. E thënë shkoqur : kryetari që kumbet zgjedhjet jep dorëheqjen dhe nuk ka të drejtë të rikandidojë. Ky nen është shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e demokracisë brenda partive, pasi thuajse askush nuk pranon të largohet pavarësisht humbjes. Por edhe nëse votat vidhen, dorëheqja e humbësit është e shëndetshme për një vend që aspiron të bëhet demokratik. Kjo sepse e nxjerr edhe më zbuluar vjedhësin e zgjedhjeve para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar, se nuk është dështim i opozitës, po grabitje nga ana e pushtetit.

Në atdheun tonë, vetëm Fatos Nano dhe Sabri Godo kanë dhënë dorëheqjen nga kryetarllëku. Kryetarët e partive të mëdha madje edhe të partiçkave të vogla, janë ngjitur pas karriges si miza pas mjaltit, pikërisht për favoret që rrjedhin nga kryetarllëku. Prandaj edhe z. Berisha kërkon me çdo kusht të mbajë ngastrën e tij PD që sa vete e zvogëlohet. Por shqiptarët dëshirojnë t’i bashkohen Europës dhe vlerave të saj, ndërsa Saliu (jo Salianji) njesoj si Xhaferi, e humbi përfundimisht simiten. Se në demokraci nuk ka vetë (S)Ali e vetë Kadi!

© Ilir Gjini - Toronto