Vetëm ideja e bashkimit dhe e zgjidhjes me votë do e ndihmojë Shqipërinë - Nga Ilir Levonja
Del Lapaj nëpër ekrane e thotë që nuk bashkohem me këtë, pasi kam aleancë me qytetarët. Del Qorri, po të njëjtën gjë. Del mender Shehaj, edhe ai po kështu. Nga ana tjetër disa parti që kanë vetëm kryetarë u rreshtohen konferencave dhe mbledhjeve të Berishës me të njëjtën strategji, e fjalosin në nëntor dhe thonë se do protestojmë në dhjetor dhe po kështu në dhjetor do të protestojmë në janar, pastaj në shkurt, mars e me radhë. Një fakt tjetër është se Berisha tashmë nuk po përpiqet të mundi Ramën, por rekordet bajate të Lulzim Bashës.
Të gjithë janë dakort që Rama e ka shkatërruar vendin, por për t’u bashkuar e kanë të pamundur. Megjithëse ky bashkim në rrugë me të vetmin simbol Shqipërinë do ishte një sfidë po aq e madhe, po aq “iraniane”, po aq kombëtare edhe për faktin e një shpartallimi publik të kombit të shqiptarëve në proçeset sociale të Perëndimit. Megjithëse një ofertë e tillë dhe totalisht e ndershme mund edhe t’u jepte shpresë shqiptarëve, pasi është vërtetë koha për pakte të mëdha, mbi veten dhe karriken, prapë ata nuk bashkohen.
Të gjithë kanë më shumë hallin e CV-ve të tyre sesa theqafjen e Shqipërisë. Megjithëse mund të ofrohet një pakt fare i thjeshtë, pavarësisht kësaj apo asaj, bëjmë mirë të bashkohemi, më pas le t’ia lëmë në dorë shqiptarëve se kush duhet t’i qeverisë, pra votës, prapë ata nuk e bëjnë. Nga ana tjetër ankohen si kurvat dhe të thonë lart e poshtë se Rama duhet të rrëzuar.
Edhe pse të bindur që edhe vetëm nuk fitojnë, me një fjalë të ndarë nuk fitojnë, e para për shkat të sistemit zgjedhor dhe e dyta, për faktin e rënies së reputacionit ndër shqiptarët pasi me ligjin aktual Shqipërinë mund ta qeverisësh edhe me 15% pjesëmarrje në zgjedhje, prapë ata nuk e bëjnë, nuk bashkohen. Dhe nga kjo pjesëmarrje e ulët vërtetohet një gjë, që në Shqipëri votojnë vetëm anëtarët apo simpatizantët e PS, të PD, të Mundësisë, të Shqipëria bëhet apo të partisë së Qorrit, pra votojnë vetëm militantët dhe jo qytetarët.
Sot kultura e karrierës është kushtetutë ari për çdo individ i cili e di mirë se mund të marrë tituj sa të dojë dhe kollaj fare vetëm përmes analeve partiake. Shqiptarët në masë të madhe tashmë nuk duan garën por meritën partiake bash për benefitet sociale, deri doktor profesor. Kësisoj pa një vendimmarrje të fortë, pa një zgjidhje që përbën kapitull epokal, Ramës i rruani leshtë e palarë.
Po vafshi në të s’ëmës sa jeni aty dhe Zoti shpiktë ndonjë masë voluminoze shqiptarësh qiellorë se ndryshe nuk ka zgjidhje tjetër. A e meriton Shqipëria një opozitarizëm të tillë? Assesi jo... Shqipëria sot është kthyer e gjitha në një organ gjeografik i cohtuar, pa demokraci, pa komunikim, pa çarje bythe aq sa dhuna shtetërore është kudo. Aq sa kryeministri i katastrofave nga kuvlia e tij i akuzon publikisht shqiptarët se duke hedhur vend e pa vend mbeturinat plastike, i shkaktojnë vendit përmbytje apoliptike. Aq sa zëvendsja e tij me 324 apartamente, miliona euro të vjedhura del rishtas ekraneve pa gajle fare dhe bën show publik me domethënien, as e rruaj fare për ju.
Nga i gjithë ky mishmash theqafje ka vetëm një formulë që e ndihmon futjen e vendit në shinat e demokracisë, vendimet e forta, bashkimi pasi njerëzit duan modelin e sakrificës dhe jo komoditetin e sallave të konferencave, foltoreve apo protestave të përçara.
© Ilir Levonja - SHBA

















