Kanada

Kur Kanadaja bëhet objekt talljeje dhe humbet miliarda - Nga Mario Dumont

  • Published in Kanada
Nga: Mario Dumont - Journal de Montréal

Në gusht të vitit 2022, kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në Kanada me një kërkesë të qartë: gaz natyror. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe ndërprerjes së furnizimeve nga Rusia, Berlinit i duhej urgjentisht një burim i ri energjie për të siguruar ngrohjen e qytetarëve dhe funksionimin e industrive të mëdha.

Kanadaja, aleate e ngushtë e Gjermanisë dhe vend me rezerva gjigante gazi, kishte mundësinë të luante një rol strategjik. Nëse do të kishin përfunduar projektet e transportit dhe të lëngëzimit të gazit, furnizimi drejt Evropës do të ishte i mundur.

“Jo”-ja e NëTrudeau

Por kancelari gjerman u kthye në vendin e tij duarbosh. Kryeministri Justin Trudeau i tha “jo” dhe, në vend të gazit, i ofroi hidrogjen “të gjelbër”, një projekt ende i parealizuar. Krahasimi është i thjeshtë: sikur dikush i afërt të të kërkojë makinën, e ti t’i thuash se do t’i japësh një anije kozmike… por që ende nuk ekziston.

Mund ta imagjinojmë Scholz dhe ekipin e tij duke qeshur me ironi gjatë fluturimit të kthimit: “Hidrogjen i gjelbër… është në vete ai!?”

Këtë javë, gjatë vizitës së tij në Evropë, Mark Carney shpalosi një qëndrim krejt ndryshe. Kanadaja mund të bëhet furnizues i gazit natyror për Evropën. Shumë mirë. Pas tre vitesh të humbura, tani mbetet vetëm të konkretizohen projektet që do ta bënin këtë gjë të realizueshme.

Por ajo që mësojmë tani hedh një hije diskredituese mbi qëndrimin kanadez të këtyre viteve. Ndërkohë që Carney vizitonte Varshavën, ambasadori i Polonisë në Ottawa deklaroi në një intervistë për CBC se vendi i tij, megjithatë, po blen gaz natyror kanadez. Çfarë? Si është e mundur?

Të anashkaluar dhe të poshtëruar

Ja e vërteta: SHBA-të, që krijuan kapacitetet e nevojshme, eksportojnë gaz të lëngshëm drejt Evropës. Një pjesë e atij gazi është… kanadez. Dhe amerikanët e rishesin me çmime shumë më të larta.

Pra, gazi që Kanadaja refuzoi t’ia shiste drejtpërdrejt Evropës, përfundon aty gjithsesi, por me fitime marramendëse për kompanitë amerikane. Rezultati: asnjë përfitim për mjedisin, humbje të mëdha ekonomike për Kanadanë dhe një dhuratë e majme për SHBA-të.

Më falni, por kjo është marrëzi!

Deklaratat e ambasadorit polak u morën nga Pierre Poilievre, i cili e denoncoi me të drejtë këtë situatë. Lideri konservator theksoi ndër të tjera se në intervistë, diplomatit polak i shndriste fytyra dhe dukej sikur mezi përmbahej për të mos qeshur hapur me ne.

Përpjekja drejt një virtyti të supozuar i ka kushtuar tashmë shtrenjtë Kanadasë. Në para, në vende pune dhe në besueshmëri ndërkombëtare.

Burimi: Journal de Montreal

Foto: Agence QMI, Mario Beauregard