Kanada

Kur antitrampizmi të bën të verbër - Nga Christian Rioux

  • Published in Kanada
Nga: Christian Rioux - Journal de Montreal

Gjithmonë më habit fakti që disa njerëz nuk gëzohen për rrëzimin e një tirani. Sidomos kur bëhet fjalë për një teokraci ndër më obskurantistet në botë, e cila ka nënshtruar gratë, ka shtypur me gjak çdo kundërshtar dhe ka përhapur terrorizmin islamist në mbarë planetin.

Sado e çuditshme të duket, ndërsa në shumë kryeqytete iranianët festonin ekzekutimin e ajatollahut Khamenei, disa të tjerë shpreheshin me rezervë. Të verbuar nga një antitrampizëm pothuajse patologjik, ata ankoheshin në emër të “së drejtës ndërkombëtare” se nuk ishte konsultuar OKB-ja dhe Kongresi amerikan përpara se të shfrytëzohej kjo mundësi e rrallë për të goditur elitën e regjimit, të mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në zemër të Teheranit.

Po sikur Winston Churchill të kishte kërkuar miratimin e Parlamentit përpara se të jepte dritën jeshile për zbarkimin në Normandi?

Kjo do të thotë të harrosh se Irani është në konflikt me Perëndimin që nga viti 1979 dhe se përmbysja e regjimit të mullahëve është njëherazi përmbysje gjeopolitike me përmasa të jashtëzakonshme.

Në shënjestër Kina

Irani nuk është thjesht një diktaturë si shumë të tjera. Kthimi i ajatollahut Khomeini në Iran, më 11 shkurt 1979, shënoi lindjen e kalifatit të parë modern dhe fillimin e epokës së terrorizmit islamist.

Ideologjia e tij, e frymëzuar nga Vëllazëria Myslimane, shërbeu si pikënisje për të gjitha format e xhihadizmit - si shiit ashtu edhe sunit - që për gjysmë shekulli kanë përhapur terror në Perëndim dhe në shumë vende të botës myslimane. Shpeshherë, madje, me një miratim naiv nga një pjesë e së majtës.

Për Izraelin, objektivi është i qartë: t’i japë fund një regjimi që deklaron hapur se dëshiron të zhdukë shtetin hebre dhe që synon të pajiset me armë bërthamore.

Për Donald Tramp, çështja është më e ndërlikuar. Nëse ai godet Republikën Islamike, kjo lidhet edhe me faktin se Irani është një nyje kyçe e aleancës mes Moskës, Teheranit dhe Pekinit. Rusia është një nga aleatët kryesorë të Iranit, që e ka furnizuar me dronë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e përshëndeti ndërhyrjen amerikane.

Megjithatë, mbi të gjitha në shënjestër të amerikanëve ndodhet Kina. Irani është shtylla e pranisë së saj strategjike në rajon, ashtu siç ishte Venezuela për Amerikën Latine. Teherani i shet Kinës rreth 80% të naftës së tij dhe ishte gati të blinte prej saj raketa supersonike të afta për të goditur flotën amerikane.

Një rrezik që ia vlen?

Nëse Tramp po luan gjithçka në këtë moment, kjo ndodh sepse regjimi iranian nuk ka qenë kurrë kaq i dobësuar nga brenda dhe sepse aleatët e tij kryesorë në rajon - Hezbollah dhe Hamas - janë sot shumë më të dobët se më parë.

Megjithatë, kjo nuk është garanci për fitore. Gatishmëria e pjestarëve Gardës Revolucionare për të vdekur si martirë u jep atyre një avantazh të madh përballë një populli të paarmatosur.

Irani nuk është as ish-Jugosllavia dhe as Libia, regjimet e të cilave u rrëzuan vetëm nga bombardimet ajrore, pa ndërhyrje tokësore. Pyetja është: a do të ndalet Tramp në gjysmë të rrugës dhe do të mjaftohet me një rikonfigurim të thjeshtë të regjimit?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të shkohet përtej gjykimeve të thjeshta morale. Presidenti amerikan është një lojtar dhe një oportunist, por jo një i çmendur.

Nëse fiton, do të shpallet hero.

Nëse humb, do të konsiderohet nga historia si një i dështuar.

Burimi: Journal de Montreal