Njoftime

Botohet libri “Shqipëria në dy kohë” me autor Vangjush Saro

Shtëpia Botuese “ADA” në Tiranë, ka publikuar ditët e fundit librin më të ri të publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur Vangjush Saro me banim në Vancouver të British Columbia, të titulluar “Shqipëria në dy kohë”, një esse për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve para dhe pas vitit ‘90

Lajmi për botimin e librit është shpërndarë nga shtëpia botuese dhe vetë z. Vangjush Saro, i cili në profilin e vet në rrjetin social Facebook ka bërë prezantimin e mëposhtëm, që Flasshqip po e riprodhon të plotë, duke i uruar njëkohësisht autorit suksese të metejshme në krijimtarinë e tij.

“Prej disa vitesh përpiqesha ta përfundoja këtë esse. Ndërrimi i një epoke historike me një tjetër, për më tepër i një rendi shoqëror me një tjetër, sjell ndryshime të mëdhenj në jetën e njerëzve, shpesh edhe moskuptime të thellë; konfliktet përfshijnë kategori të ndryshme, si dhe politikën e mediat. Ato reflektohen dukshëm edhe në përparimin e mëtejshëm apo në zvarritjen e një vendi a të një komuniteti drejt destinacionit të ri. Ky libër është një përpjekje për të ndihmuar sadopak në këtë kapërcim të vështirë. Në një kuptim e, tekefundit, Shqipëria është ajo që është, bota po ashtu; sido që të shkruash, nuk i ndryshon dot ngjarjet, historinë, qasjet në kulturë dhe në fusha të tjera; mbase vetëm mund t’i zbulosh ato njëfarësoj…

Lufta. Paqja. Emancipimi. Artet. Përndjekja. Izolimi. Varfëria. Të vërtetat dhe të shtuarat… Kjo nuk është një sprovë e lehtë dhe nuk bën për njerëz të pasinqertë. Duke iu referuar botimeve, disa institucioneve si ish-Kinostudio dhe mediave ku kam punuar, duke sjellë episode nga jeta private dhe ajo letrare e artistike - Tirana, Korça dhe Gramshi janë dukshëm në to - përpiqem të “vizatoj” tablo sa më realiste nga të dyja kohët. E di që për disa mosha, breza, kjo mund të ishte një tjetër mundësi për të “broçkollitur”… ishte mirë, ishte keq, s’është ashtu, është kështu, etj. diskutime dhe sherre që, me sa duket, nuk i shmangim dot hë për hë; por do të ishte më komode ta lexonin më të rinjtë, ata që nuk e kanë jetuar atë kohë ose kanë qenë shumë të vegjël dhe (për fat të keq) ua shpëlajnë trurin me soj-soj rrëfime e kujtime, të mbushur me ndjenja të paqarta dhe përfundime të ngutur, në mos shpesh edhe me rrena.

(Që të qëndroj pak këtu, ndonjëherë vërtet habitem me disa shkrues. Vërsulen mbi këtë temë si të marrë, duke kujtuar vetëm pamjet e errëta të kohës, duke vjellë pareshtur vrer e urrejtje, duke marrë nëpër gojë gjithfarë njerëzish, me të cilët, me shumë gjasë, kanë qenë afër e mbase u janë servilosur dikur… por jo, tani marrin përsipër vetëm të gjykojnë, të dënojnë… Është kaq e hidhur të pranosh se nuk paskan gjetur asnjëherë e askund qoftë edhe një moment ndryshe, një fije drite a shprese, por kanë jetuar gjithë kohës nën këtë stres e hipokrizi, duke urryer e duke pasur frikë. Është e dhimbshme të mendosh se si dekada të tëra nuk kanë gëzuar as edhe grimën e lumturisë a të kënaqësisë nga jeta reale; me të vërtetë një mjerim i gatuar me një zell që të habit e të trishton. Veç nëse… kushedi, praktikojnë një shtirje të turpshme dhe vetëm kaq; sepse në shumë raste, ata që kanë qenë shtypësit dhe kanë punuar në organet e shtypjes, tani na flasin për shtypjen, në mos edhe thonë që kanë qenë të shtypur… Dhe kjo nuk ishte aspak një kalambur. Kjo thjesht është për të qeshur e për të qarë. Por ja, s’janë të lehtë shpjegimet dhe nuk gjendet përherë vullneti i duhur për të dalë nga kjo kënetë që ka helmuar për dekada të tëra jetën e atij vendi.)

Ky libër nuk është as për nostalgjikët, as për ekstremistët; është një tregim i përmbajtur, që më shumë ndjehet sesa kuptohet. Aty janë gjithë miqtë e mi, të jetës dhe të artit, të kryeqytetit dhe të provincës, aty ka të njohur e të panjohur; në hartën e vendit (kopertina) dhe në përmbledhje të librit, botohet një listë gjithëpërfshirëse. Po ashtu, ribotohen fragmente nga shënimet e mia letrarë për krijues të brezave të ndryshëm, (nga Kadare, Agolli, Trebeshina, Ziko, Bllaci, etj. te Kurti, Shallvari, Braholli, Terziu dhe krijues të tjerë të këtyre dekadave).

Unë shpresoj të jem shfaqur i hapur dhe i sinqertë, i drejtë ca më shumë. Libri i kushtohet kujtimit të prindërve të mi, Nisi e Vasilika. Mirënjohje z. Roland Lushi për kushtet lehtësuese të botimit, si dhe redaktores Zamira Saro (Kaloshi) për rishikimin kohë pas kohe të tekstit. Lexim të mbarë gjithë të interesuarve.”