Përse ambasada ngre flamurin në Toronto më 29 nëntor? - Nga Nador Bakalli
- Published in Komunitet
Një institucion i shtetit shqiptar e ka të nevojshme të bëjë detyrën dhe të respektojë ndjeshmëritë e komunitetit ku shërben. Si justifikohet Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada për organizimin e ceremonisë së ngritjes të flamurit kombëtar në Parlamentin e Ontarios në datën e pakuptimtë 29 nëntor?
Kjo datë, përveç se na rezulton totalisht e pasaktë nga ana arkivore, dokumentare, dhe më e rëndësishmja, logjike (shih fjalinë e fundit), përsa i përket "çlirimit" të Shqipërisë, është kthyer gjithashtu në datë simbol të vuajtjeve të qindra mijëra shqiptarëve nga regjimi i instaluar nga sllavo-komunistët. Është gjithashtu data kur Kosova u shkëput prej nesh dhe iu fal sllavo-komunistëve.
Ngritja e flamurit kombëtar në këtë datë, dashje pa dashje e përçan komunitetin tonë. Do t'i isha mirënjohës ambasadës dhe, në veçanti zonjës ambasadore Artemis Malo, të na shpjegojë nëse ka patur ndonjë pengesë logjistike zgjedhja e një date tjetër, më pak përçarëse. Nëse planifikoni ngritjen e flamurit me datë 28 në Otavë (dhe shumë mirë e bëni), përse jo me 27 ose 30 në Toronto?
Flamuri është kombëtar dhe ceremonia e ngritjes na përket të gjithëve. Simbolika e zgjedhjes së datës, pa sqarime përkatëse, hedh hije dyshimi mbi qëllimet e ambasadës dhe mund të konsiderohet një provokim i rëndë për një pjesë të komunitetit tonë.
Me respekt, ftoj ambasadën të japë përgjigje.
P.S. Nëse nuk keni përgjigje për më sipër, ndoshta më përgjigjeni për diçka tjetër: Meqë festa e çlirimit të Jugosllavisë mban datën 29 Nëntor dhe ne prentendojmë se "gjermani i fundit" u largua nga Shqipëria në po atë datë, si e përshkoi gjithë Jugosllavinë brenda së njejtës ditë ky "gjerman"?
Nëse nuk keni përgjigje, uroj të kaloni gëzuar festën e çlirimit të Jugosllavisë dhe ndarjes së Kosovës prej Shqipërisë!
© Nador Bakalli