Kanada

SHBA ndëshkon një gjyqtare kanadeze të Gjykatës Penale Ndërkombëtare

  • Published in Kanada

Shtetet e Bashkuara shpallën dje (20.08) masa ndëshkuese ndaj katër përfaqësuesve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), mes tyre edhe gjyqtarja kanadeze Kimberly Prost, duke e cilësuar institucionin me seli në Hagë si të politizuar dhe të përdorur kundër interesave të tyre dhe të Izraelit.

Përveç Prost, në listën e zezë u përfshi gjyqtari francez Nicolas Guillou, i angazhuar në dosjen e urdhërarrestit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, si dhe dy prokuroret e përgjithshme ndihmëse, Nazhat Shameem Khan nga ishujt Fixhi dhe Mame Mandiaye Niang nga Senegali.

Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të katër janë ndëshkuar për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në përpjekjet e GJPN për të hetuar, arrestuar apo ndjekur penalisht shtetas amerikanë ose izraelitë, pa miratimin e këtyre shteteve.

Këto masa pasojnë ndëshkimet e shpallura në qershor ndaj katër gjyqtarëve të tjerë dhe ato të muajit shkurt kundër prokurorit të GJPN, Karim Khan. Rubio e akuzoi Gjykatën se përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA dhe se është shndërruar në “armë juridike” kundër Uashingtonit dhe Tel Avivit.

Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë në mënyrë të veçantë hetimet për krime të dyshuara të forcave të tyre në Afganistan, si edhe urdhërarrestet ndaj Netanjahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e Gazës.

Edhe administrata e presidentit Joe Biden ka qenë shprehur kundër këtyre vendimeve të Hagës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare i cilësoi masat ndëshkuese si “sulm flagrant” kundër pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm, duke theksuar se do të vazhdojë punën pa u ndikuar nga presionet. Masat amerikane parashikojnë ndalim hyrjeje në SHBA, ngrirje të pasurive dhe ndalim të çdo transaksioni financiar me të ndëshkuarit.

Nga ana e tij, kryeministri izraelit, i cili prej nëntorit 2024 është nën urdhërarrest ndërkombëtar, i përshëndeti masat amerikane, duke i cilësuar “një veprim vendimtar kundër fushatës së shpifjeve dhe gënjeshtrave ndaj Izraelit dhe ushtrisë së tij”.

Franca, përkundrazi, përmes ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi zhgënjimin e saj dhe shprehu solidaritet me gjyqtarët e ndëshkuar, duke theksuar se vendimi amerikan bie ndesh me parimin e pavarësisë së drejtësisë.

As SHBA, as Izraeli nuk janë anëtarë të GJPN-së dhe nuk e njohin juridiksionin e saj mbi shtetasit e tyre. Megjithatë, Gjykata ka të drejtë të nisë procedura për krime të dyshuara të kryera në territore të shteteve palë, siç është Palestina, apo vende të tjera që i njohin kompetencat e saj.

Vlen të theksohet se edhe gjatë mandatit të parë të Donald Trump, GJPN ishte shënjestër e masave ndëshkuese amerikane, veçanërisht ndaj prokurores së atëhershme Fatou Bensouda. Ato masa u revokuan më pas nga Joe Biden në vitin 2021, por duket se përplasja midis Uashingtonit dhe Hagës është rikthyer me forcë.

Burimi: Radio-Canada

Fotot: Associated Press/Peter Dejong; Reuters /Piroschka Van de Wouw