Banka e Kanadasë: Tre ulje të normave të interesit deri në Krishtlindje?
- Published in Kanada
 
 - Nga: Pierre-Olivier Zappa, Journal de Montreal

Banka e Kanadasë po përgatitet për të ulur normat bazë të interesit dhe mund ta bëjë këtë deri në tre herë para fundvitit. Pse kaq shumë ulje?
Sepse tregu i punës po tkurret me shpejtësi. Sepse rritja ekonomike ka humbur vrullin. Dhe sepse pas fjalimeve optimiste për “qëndresën” fshihet një realitet i hidhur: Kanadaja po varfërohet.
Vetëm në korrik, vendi humbi mbi 40 mijë vende pune, humbja më e madhe mujore që nga viti 2016 (përjashtuar periudhën e pandemisë). Nuk është thjesht një shifër statistikore: është jeta e mijëra familjeve e përmbysur.
Më shqetësuesja: një në katër të papunë është në këtë gjendje prej më shumë se gjashtë muajsh, niveli më i lartë që nga 1998-a. Papunësia afatgjatë po kthehet të ndjekë vendin si një fantazmë që mendonim se ishte zhdukur.
Shanset për një ulje
Tregjet financiare e kanë kuptuar situatën. Investitorët parashikojnë një ulje të normës bazë me 39% gjasa në shtator dhe 56% në tetor.
Ekonomistët e Desjardins parashikojnë tre ulje deri në Krishtlindje. Sipas tyre, me një normë bazë 2,75%, Banka ka ende hapësirë për të stimuluar ekonominë.
Për qytetarët kjo do të thotë: hipotekat me normë të ndryshueshme do të bëhen më të lira, linjat e kredisë do të kushtojnë më pak dhe normat fikse afatshkurtra do të bien disi. Ato 5-vjeçare do të lëvizin më pak, por gjithsesi konsumatorët do të marrin pak frymë.
Jo të gjithë bien dakord
Capital Economics, Citi dhe CIBC mendojnë se shtatori është momenti i duhur për veprim. RBC, përkundrazi, beson se papunësia ka arritur kulmin dhe se epoka e normave të ulëta ka marrë fund.
Faktori ndërkombëtar
Edhe ekonomia globale po shtyn në këtë drejtim. Marrëveshjet e reja tregtare mes SHBA-së dhe Japonisë, Vietnamit, Koresë së Jugut e Bashkimit Evropian kanë ulur tarifat doganore rreth 15%, larg nga 30% që tronditën tregjet në pranverë. Kjo do të thotë më pak presion mbi çmimet dhe më pak arsye që Banka e Kanadasë të mbetet e kujdesshme.
Data për t’u mbajtur mend
Gjithçka do të vendoset nga dy raportet e ardhshme mbi inflacionin. Nëse ata tregojnë se rritja e çmimeve po ngadalësohet, Banka do të ketë dritën jeshile për ulje.
Shënoni në kalendar: 17 shtatori mund të shënojë uljen e parë pas gjashtë muajsh. Dhe kjo mund të vazhdojë… deri kur zbukurimet e Krishtlindjes të zëvendësojnë kungujt e Halloween-it.
Jo dhuratë, por alarm
Le të mos mashtrohemi: një ulje e normës nuk është dhuratë. Është ekuivalenti ekonomik i një defibrilatori, që përdoret vetëm kur zemra rrezikon të ndalojë.
Burimi: Journal de Montreal
Në foto Guvernatori i Bankës së Kanadasë Tiff Macklem (Arkiva Reuters)
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










