Kanada

Themelohet në Toronto Dhoma e Tregtisë Kanada-Shqipëri

  • Published in Kanada

Me iniciativën e një grupi sipërmarrësish dhe aktivistësh shqiptaro-kanadezë që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në metropolin kanadez Toronto, është themeluar para disa kohësh Dhoma e Tregtisë Kanada-Shqipëri (CACC - Canadian Albanian Chamber of Commerce).

Në grupin e themeluesve figurojnë emrat e Arian Sultafës, Agim Tutulanit, Tea Haxhillarit, Paulin Markut, Artan Pultit, Ylli Beqirit dhe Rudin Daklit. Deri në kompletimin e organeve drejtuese dhe organizimin e zgjedhjeve të para është emëruar me konsensus si kryesues i saj i përkohshëm z. Arian Sultafa.

Aktiviteti promovues i kësaj iniciative të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve është parashikuar të zhvillohet të hënën 8 dhjetor 2025 në Toronto, ora 6 e mbrëmjes, në adresën: Vantage Venues, 150 King Street West, 27th Floor.

Në event janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë e Kanadasë dhe ajo e Ontarios, politikanë nga i gjithë spektri politik federal kanadez dhe provincial i Ontarios, përfaqësues të Bashkisë Toronto, të trupit diplomatik, të qeverisë shqiptare, të shoqatave të ndryshme të komunitetit shqiptaro-kanadez, përfaqësues biznesesh dhe përfaqësues të mediave.

Sipas informacionit të konsultuar në faqen e saj në Internet, Dhoma e Tregtisë Kanada-Shqipëri është një organizatë e pavarur, jofitimprurëse, e cila synon të nxisë dhe promovojë investimet, tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Ky institucioni i sapokrijuar synon të shndërrohet në një qendër kryesore referimi për bizneset që kërkojnë të eksplorojnë mundësi të reja për t’u zhvilluar këtej dhe andej Atlantikut.,

Le të shpresojmë dhe urojmë që Canadian Albanian Chamber of Commerce të bëhet gjithashtu nxitëse për avancimin e dosjes së Marrëveshjes për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja mes Kanadasë dhe Shqipërisë (FIPA - Foreing Investments Protection Agreement). Kujtojmë që negociatat për këtë marrëveshje patën përfunduar qysh në nëntor 2013. Informacionet zyrtare të shtetit kanadez lidhur me këtë temë nuk thonë asgjë më shumë se kaq. Kësisoj, prej asaj kohe nuk ka patur asnjë hap konkret për shkaqe që janë të njohura dhe kryesisht përgjegjësi të qeverisë shqiptare (problemet mes Bankers Petroleum dhe mosdhënia e votes për Kanadanë në OKB e cila synonte një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit). Po kështu duhet theksuar që për shkaqe gjeopolitike dhe gjeostrategjike, Ballkani nuk futet në zonat e interesit parësor ekonomik të Kanadasë .

Aktualisht sipas të dhënave që figurojnë në faqen Web të Global Affairs Canada, në vitin 2023, eksportet e mallrave të Kanadasë drejt Shqipërisë arritën shifrën 82 milionë dollarë, një rritje prej 62% krahasuar me vitin 2022, ndërsa importet 21.5 milionë dollarë, një nivel relativisht i pandryshuar krahasuar me vitin 2022.

Ndër vendet e Ballkanit jo-anëtare të BE-së, Shqipëria është partneri i dytë tregtar i Kanadasë dhe destinacioni i parë i eksporteve të saj. Eksportet kryesore drejt Shqipërisë në vitin 2023 ishin: automjetet (74%), mishi (8%), pajisjet lazer dhe pajisjet optike (5.4%), makineri (4.8%), si dhe prodhime deti (4.5%). Importet kryesore kanadeze nga Shqipëria ishin: hekuri dhe çeliku (19.8%), alumini (16.1%), veshjet (14.6%) dhe këpucët (13.3%).

Ndërkohë, sipas Statistics Canada, investimet kanadeze në Shqipëri deri në vitin 2022 arrijnë shifrën 935 milionë dollarë, investime kryesisht të përqëndruara në sektorët e naftës, gazit dhe nxjerrjes së mineraleve.

© Flasshqip.ca