Kanada

2025, viti i përmbysjes së rendit botëror

  • Published in Kanada
Nga: Mathieu Carbasse - Le Devoir, Montréal

Viti 2025 përfundoi dhe është koha e bilancit. Rikthimi në pushtet i Donald Trump i rishpërndau kartat e raporteve të forcës në mbarë globin. Tri fuqi të mëdha gëzojnë tashmë duar të lira për të konsoliduar dominimin e tyre, ndërsa Evropa duket se ka humbur ndikimin e dikurshëm. Le Devoir nxjerr katër mësime nga një vit që shënoi përmbysjen e rendit botëror.

Rendi botëror i trashëguar nga Lufta e Dytë Botërore nuk ekziston më

Dokument që zakonisht publikohet me një diskrecion relativ, Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara, e paraqitur në fillim të dhjetorit, këtë vit shkaktoi jehonë të madhe, pasi flet qartë për rendin e ri botëror të imagjinuar nga Shtëpia e Bardhë. Sipas këtij dokumenti, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë kontinentin amerikan si zonë të tyre të privilegjuar dhe konfliktet globale i shohin tashmë vetëm përmes prizmit të interesave të veta. Evropa, e kërcënuar nga një “transformim social”, nuk shihet më si një aleate e patundur e SHBA. Si për ironi simbolike, dokumenti u përshëndet nga Kremlini, i cili e cilësoi atë “gjerësisht në përputhje me vizionin e tij” për botën.

“Me këtë Strategji të re të sigurisë kombëtare, Uashingtoni jep përshtypjen se po mbyll kapitullin e nisur në vitin 1945, pra para plot 80 vitesh”, shpjegon Julien Tourreille, politolog dhe studiues në Katedrën Raoul-Dandurand të UQAM. “Donald Trump imponon vizionin e tij shumë mekanik të raporteve të forcës, me fitues dhe humbës. Ai flet madje për boshtin e ri Trump të doktrinës Monroe, gjë që është mjaft domethënëse. Po kthehemi në një formë mosbesimi ndaj evropianëve.”

Kështu, përfundon ideja e Shteteve të Bashkuara si aleat dashamirës. Në plan të parë dalin tani forca ushtarake dhe presioni ekonomik. Në këtë vizion të botës, Rusia dhe Kina nuk paraqiten më si kërcënime. “Të krijohet përshtypja se Donald Trump pranon një lloj triumvirati në krye të një bote ku sundon ligji i më të fortit”, shpjegon specialisti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Përtej këtyre raporteve të reja force, po vihet në pikëpyetje edhe ideja se e drejta dhe institucionet ndërkombëtare duhet të jenë baza për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve. “Kjo është vërtet e re”, shpjegon Frédéric Mérand, studiues në CERIUM (Centre d'études et de recherches internationales) dhe drejtor i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Montrealit. “Edhe një vit më parë, Kanadaja, Bashkimi Evropian dhe madje Shtetet e Bashkuara të Joe Biden vazhdonin ta mbronin këtë diskurs. Sot, ai është fshirë totalisht.”

Evropa po dobësohet

Shumë përpara publikimit të Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Evropa ishte tashmë në shënjestër të qeverisë Trump. Që në muajin shkurt, fjalimi i ashpër i zëvendëspresidentit amerikan, J. D. Vance, në Mynih, vulosi çarjen ideologjike mes demokracive liberale evropiane (si dhe asaj kanadeze)  dhe kampit joliberal, tashmë të mishëruar nga Shtetet e Bashkuara.

“Modeli evropian dhe ideja e tij për bashkëpunim mes kombeve dhe vendosjen e rregullave të përbashkëta me përfitim reciprok funksiononin mirë kur Bashkimi Evropian ishte në vijën e parë të globalizimit”, shpjegon z. Mérand. “Por kur globalizimi shembet, kjo e vendos BE në një situatë bllokuese. Tregtia është shembulli më i mirë: nëse të gjithë orientohen drejt përpjekjeve kombëtare me një formë proteksionizmi, Bashkimi Evropian, i ndërtuar tërësisht mbi idenë e hapjes, gjendet në një pozitë shumë të vështirë.”

Për më tepër, fragmentarizimi i Evropës i shoqëruar me rritjen e së djathtës radikale e bën gjithnjë e më të vështirë që 27 shtetet anëtarë të bien dakord për një projekt të përbashkët.

Megjithatë, për politologun Julien Tourreille, shembulli i Ukrainës tregon se evropianët arrijnë ndonjëherë, me shumë përpjekje, të marrin vendime dhe të reagojnë shpejt. “Të kesh një reagim të shpejtë me 27 vende për të propozuar kundërpropozime ndaj planit ruso-amerikan të paqes nuk është pak”, thekson ai.

Ai pranon gjithashtu se ideali evropian është i kërcënuar, në mos i dobësuar. “Ajo që mungon është besimi në modelin e vet, vullneti për të shpjeguar se një botë e bazuar në bashkëpunim, në rregulla të qarta dhe në respektimin e shtetit të së drejtës është e mirë për të gjithë”, vëren ai. “Në një kohë kur kritikohet paaftësia e politikës për të marrë vendime që duken thjesht të arsyeshme, Evropa vuan nga kompleksitet, në një epokë ku shumëkush mendon se ka zgjidhje të thjeshta për gjithçka.”

Një garë e re armatimi po fillon

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), shpenzimet ushtarake globale arritën në 2718 miliardë dollarë në vitin 2024. Sipas këtij institucioni të pavarur, kjo përbën rritjen vjetore më të madhe të regjistruar ndonjëherë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Shpenzimet ushtarake janë rritur në të gjitha rajonet e botës, veçanërisht në Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Për vitin 2025, kjo prirje pritet të jetë më e përshpejtuar, me vullnetin e shprehur të shumë qeverive për të investuar masivisht në aparatin e tyre të mbrojtjes.

Nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe përballë kërcënimit rus, shumë vende evropiane kanë rritur ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes. Kjo vlen, ndër të tjera, për Danimarkën, e cila synon të arrijë 5% të PBB deri në vitin 2032, për Suedinë (3,5% e PBB para vitit 2030), si dhe për Francën, shpenzimet ushtarake të së cilës do të jenë pothuajse dyfishuar mes viteve 2017 dhe 2027.

Edhe Kanadaja, që për një kohë të gjatë shihej si nxënës i dobët në këtë fushë, u angazhua të arrijë objektivin e NATO-s prej 2% që në vitin 2025, duke shpallur një buxhet që favorizonte investimet në mbrojtje, me mbi 81,8 miliardë dollarë shtesë gjatë pesë viteve.

Japonia, pavarësisht pacifizmit të trashëguar nga Lufta e Dytë Botërore, ka miratuar gjithashtu një buxhet rekord të mbrojtjes, prej 79 miliardë dollarësh. Nën presionin e SHBA, ajo ka dyfishuar në katër vjet shpenzimet vjetore të armatimit dhe do të arrijë objektivin prej 2% në marsin e ardhshëm, dy vjet më herët nga sa ishte planifikuar.

“Vërehet shumë qartë një zhvendosje e prioriteteve të kombeve. Kur analizojmë shpenzimet e vendeve gjatë vitin 2025, konstatojmë se mjedisi është zëvendësuar nga mbrojtja. Qoftë në Bashkimin Evropian, në Kanada, në Shtetet e Bashkuara apo në Kinë, ka një rënie shumë të theksuar të ambicieve në luftën kundër ndryshimeve klimatike”, shpjegon Frédéric Mérand i CERIUM.

Për Julien Tourreille, evropianët dhe kanadezët po paguajnë sot çmimin e nëninvestimeve të mëdha dhe të shkurtimeve në mbrojtje që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Prandaj, ata po korrigjojnë kursin. “Shumë krerë shtetesh apo qeverish shohin gjithashtu te riarmatimi një perspektivë ekonomike joshëse, që lejon riindustrializimin dhe krijimin e vendeve të punës të paguara mirë. Mbrojtja ushqen edhe idenë e një industrie sovrane dhe nxit inovacionin, i cili më pas përhapet edhe në sektorin civil.”

Tre opsione për Kanadanë

Aleate tradicionale e Shteteve të Bashkuara, Kanadaja përjetoi një vit 2025 të vështirë. Nga kërcënimet e përsëritura të qeverisë Trump për ta bërë atë shtetin e 51-të, te një luftë tarifore që ende nuk ka thënë fjalën e fundit, vendi e kuptoi se fqinji i jugut nuk është më një partner aq i besueshëm sa mendohej.

“Objektivisht, kërcënimi kryesor sot për Kanadanë, ashtu si për Danimarkën, janë Shtetet e Bashkuara”, pohon Frédéric Mérand. “Është e pabesueshme!”

Ai i referohet këtu një raporti të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake daneze, i cili, për herë të parë në historinë e vendit, shpreh shqetësim përballë Shteteve të Bashkuara dhe i vlerëson ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë si burim pasigurie për sigurinë kombëtare. “Pasoja për politikën e Jashtme të Kanadasë është afrimi me evropianët, të cilët janë disi në të njëjtën pozitë si ne ndaj SHBA. Si evropianët, ashtu edhe kanadezët, po ecin mbi një litar të tendosur.”

Përballë këtij kërcënimi të ri, studiuesi sheh tre opsione të mundshme për Kanadanë.

“Qasja e parë (pakicë në qarqet vendimmarrëse, por popullore në opinionin publik) është të thuhet: ‘le t’i këpusim lidhjet me amerikanët dhe të bëjmë diçka tjetër’. Ka edhe një qasje tjetër, që thotë: ‘amerikanët do të kthehen në fund te arsyeja dhe, në çdo rast, nuk kemi zgjidhje tjetër, prandaj le të vazhdojmë si më parë’.”

Së fundi, sipas z. Mérand, ekziston qasja e Evropës dhe e qeverisë Carney, e cila synon të mos e provokojë Donald Trumpin, duke qenë se ai është i prirur për shpërthime zemërimi, dhe të përpiqet të fitojë kohë. Kjo është, për shembull, pozita që Kanadaja mban në çështjen e avionëve F-35 apo në negociatat tregtare: të blejë kohë duke e kursyer shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Nga ana e tij, Julien Tourreille sheh në qëndrimin e ri të Kanadasë një dëshirë për të mos ushqyer më imazhin e një “vendi naiv”, disi i shkëputur nga tensionet e botës. “Me ardhjen e Mark Carney dhe investimet e tij masive në mbrojtje, Kanadaja duket se po e pranon realitetin e tensioneve të botës aktuale. Fatkeqësisht, nuk duket se po ofron diçka vërtet të re.”

Sipas politologut, Kanadaja po e humb shansin për të mbetur shembull referimi. “Kam ndjesinë se mbetemi ndjekës të të tjerëve, sidomos sepse po tërhiqemi nga çështjet mjedisore dhe nga lufta kundër ndryshimeve klimatike.”

Burimi: Le Devoir, Montréal

Foto: Kevin Dietsch, Arkiva Agence France-Presse. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, vëzhgon një skuadron avionësh luftarakë të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara.